AktualitetBota+Të fundit

Shkëmbim i ri tarifash mes SHBA dhe Kinës

Të enjten, hynë në fuqi një grup i ri tarifash që Shtetet e Bashkuara dhe Kina u kanë vendosur mallrave të njëri-tjetrit.

Më parë gjatë këtij muaji Shtetet e Bashkuara njoftuan se do të vendosnin tarifa prej 25 për qind ndaj mallrave kineze me vlerë 16 miliardë dollarë, kjo krahas një raundi të parë tarifash prej 25 për qindësh ndaj mallrave me vlerë 34 miliardë dollarë të vendosura në fillim të muajit korrik. Pekini ndoqi të njëjtin shembull, në secilin rast, duke vendosur përqindje identike tarifash, në një vendim hakmarrës.

Ministria kineze e Tregtisë lëshoi një deklaratë të enjten duke kritikuar tarifat amerikane si shkelje të rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë dhe tha se do të ankohet ligjërisht bazuar tek mekanizmi i OBT-së për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Raundi i ri i tarifave hyn në fuqi një ditë pasi delegacionet e të dy vendeve u takuan në Uashington për dy ditë bisedime që synonin zgjidhjen e mosmarrëveshjes. Diskutimet e para zyrtare për këtë qëllim nisën në qershor.

Në një intervistë këtë javë Presidenti amerikan Donald Trump i tha agjencisë së lajmeve Reuters se ai nuk pret shumë përparim nga diskutimet.

Administrata Trump kërkon që Pekini të ndryshojë praktikën e saj të subvencionimit të sektorit të teknologjisë dhe të hapë tregun e saj ndaj më shumë mallrave amerikane.

Sipas ekspertëve lufta tregtare mes dy ekonomive më të mëdha në botë do të ulë rritjen ekonomike botërore me rreth 0.5 për qind deri në vitin 2020.

 

Fraksion.com