AktualitetBota+Të fundit

Hayden: Heqja e çertifikatës së sigurisë së John Brennan, e papranueshme

Ish-drejtori i CIA-s Michael Hayden thotë se vendimi i Presidentit Trump për t’i hequr çertifikatën e sigurisë një tjetër ish-drejtuesi të CIA-s, John Brennan, ishte jodemokratik dhe një kërcënim për “procesin e gjerë të mënyrës se si qeveriset vendi”.

Zoti Hayden tha për Zërin e Amerikës se zoti Brennan nuk kishte thyer asnjë nga 13 kriteret që merren parasysh në rastet e heqjes së çertifikatës së sigurisë dhe se zoti Trump e kishte marrë vendimin e tij për shkak të fjalimit politik të zotit Brennan.

Zoti Brennan ka qenë jashtëzakonisht kritik ndaj presidentit, duke e quajtur “asgjë më pak, se tradhëti” sjelljen zotit Trump gjatë një konferencë të përbashkët shtypi muajin e kaluar me Presidentin rus Vladimir Putin në Finlandë.

Javën e kaluar, si përgjigje ndaj një postimi në twitter të zotit Trump, që e cilësonte “qen” ish-ndihmësen e tij Omarosa Manigault Newman”, zoti Brennan tha për Presidentin Trump se “është befasuese se sa shpesh ai nuk arrin të përmbushë standardet më minimale të mirësjelljes, qytetarisë dhe ndershmërisë”.

Të nesërmen, zoti Trump i hoqi zotit Brennan çertifikatën e sigurisë, duke e akuzuar atë në një deklaratë për mbjellje të “ndarjes dhe kaosit” ndaj administratës së tij dhe se kishte “një histori që e vinte në dyshim objektivitetin dhe besueshmërinë e tij”.

Më tej zoti Trump kërcënoi të revokojë të tjera çertifikata sigurie.

Zotin Hayden dhe një grup ish-zyrtarësh të lartë të zbulimit që kanë punuar me presidentë demokratë e republikanë nënshkruan një deklaratë të përbashkët duke kritikuar ato që i quajtën veprime “të pamenduara dhe të pashembullta” të zotit Trump. Që nga publikimi i deklaratës, më shumë se 200 ish-zyrtarë të sigurisë kombëtare kanë shprehur kundërshtimin e tyre për heqjen e çertifikatës së sigurisë ish-drejtorit të CIA-s John Brennan.

 

Fraksion.com