AktualitetBota+Të fundit

Bolton paralajmëron Rusinë kundër ndërhyrjes në zgjedhjet amerikane

John Bolton, Këshilltari i sigurisë kombëtare të Presidentit Trump, tha të enjten se e kishte paralajmëruar Moskën të mos ndërhyjë në zgjedhjet amerikane të mesmandatit.

Ai i bëri komentet pas bisedimeve në Gjenevë me homologun e tij rus Nikolai Patrushev që zgjatën më shumë se 5 orë.

Zoti Bolton tha se kishte ngritur gjithashtu çështjen e shtrëngimit të sanksioneve ekonomike kundër Iranit dhe se kishin diskutuar për një tërheqje me faza të pranisë iraniane në Siri.

“E bëra të qartë se ne nuk do të tolerojmë një ndërhyrje në zgjedhje gjatë vitit 2018 dhe se jemi gati të ndërmarrim hapat e nevojshëm për ta parandaluar këtë,” tha zoti Bolton.

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ekonomike kundër Rusisë lidhur me ndërhyrjen e saj në zgjedhjet presidenciale të 2016-s. Moska i mohon akuzat.

Zoti Bolton tha se çështja e ndërhyrjes në zgjedhje kishte bërë që dy palët të mos ishin në gjendje të lëshonin një deklaratë të përbashkët përfundimtare.

 

Fraksion.com