Hunt, Perëndimi duhet të jetë i bashkuar kundër Rusisë
Sekretari i jashtëm britanik po u bën thirrje aleatëve tradicionalë perëndimorë që të krijojnë një front të përbashkët kundër “sjelljeve agresive dhe keqdashëse” të Rusisë, duke shprehur besimin se Shtetet e Bashkuara nën Presidentin Donald Trump do të udhëheqin këto përpjekje. Zoti Hunt sot zhvilloi një takim me Sekretarin amerikan të Shtetit Mike Pompeu.
Sekretari i Jashtëm britanik Jeremy Hunt i tha një audience në Uashington se është thelbësore që Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Bashkimi Evropian të jenë të vendosur kundër sulmeve gjithnjë e më të rrezikshme të Presidentit rus Vladimir Putin ndaj normave ndërkombëtare.
“Ata që nuk ndajnë vlerat tona duhet ta dinë se gjithmonë do të ketë pasoja serioze nëse shkelen vijat e kuqe përmes inkursioneve territoriale, përdorimit të armëve të ndaluara ose sulmeve kibernetike në rritje. Besueshmëria për këtë çështje vjen pjesërisht kur ka unitet”, tha Sekretari i jashtëm britanik.
Zoti Hunt përshëndeti Presidentin Trump për dëbimin e dhjetra diplomatëve rusë pas helmimit të një agjenti rus dhe vajzës së tij në qytetin britanik Salisbury.
Në të njëjtën kohë, Presidenti amerikan vazhdimisht e ka hedhur në dyshim ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane, duke u shprehur në mediat sociale se hetimi mbi veprimet e Rusisë është një “gjueti shtrigash”.
Në anën tjetër, Rusia ka premtuar se do të përgjigjet ndaj sanksioneve të reja të Shteteve të Bashkuara kundër dy kompanive ruse dhe një individi rus që thuhet se ka ndihmuar Moskën të përpiqet të shmangë sanksionet ekzistuese të lidhura me aktiviteteve kibernetike të Rusisë.
Shtetet e Bashkuara gjithashtu vendosën sanksione ndaj kompanive ruse të transportit detar për shkeljen e kufizimeve të OKB-së mbi transferimin e produkteve të naftës së rafinuar në Korenë e Veriut.
Fraksion.com