AktualitetBota+Të fundit

Dy ish bashkëpunëtorë të Presidentit Trump rezultojnë fajtorë

Dy ish bashkëpunëtorë të ngushtë të Presidentit Donald Trump rezultojnë fajtorë për krime serioze. Të martën, ish-menaxher i fushatës së zotit Trump Paul Manafort, u gjet fajtor lidhur me tetë akuza për mashtrim bankar dhe me taksat, ndërsa ish-avokati personal i presidentit, Michael Cohen, pranoi fajësinë për tetë vepra kriminale. Analistët thonë se të dy rastet flasin për korrupsion mes njerëzve më të afërt në rrethin e zotit Trump, ndonëse veprimet ligjore që rrjedhin nga kjo mund të mos kenë ndikim të menjëhershëm tek baza e mbështetësve të tij.

Michael Cohen pranoi fajësinë për mashtrime bankare, mashtrime me taksat dhe shkelje të ligjit për financimin e fushatave. Zëvendës Prokurori Robert Khuzami tha se këto akuza janë serioze dhe pasqyrojnë një model gënjeshtrash dhe pandershmërie gjatë një periudhe të zgjatur kohe.

“Zoti Cohen pranoi fajësinë për dy akuza që lidhen me financime fushatash, në të dy rastet për të ndikuar në zgjedhjet e vitit 2016.”

Përveç kësaj, zoti Cohen pranoi se ka paguar dy gra, deklaratat e të cilave mund të kishin patur ndikim negativ në fushatën e kandidatit Trump.

Ndërkohë, Paul Manafort u gjet fajtor lidhur me tetë nga 18 akuza për mashtrim.

Analistët i thanë Zërit të Amerikës se dy rastet i japin një legjitimitet të ri hetimit të ndërmarrë nga Prokurori i Posaçëm Rober Mueller për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje.

“Hetimi i zotit Mueller ka nxjerrë në shesh kalbësinë në qendrën e rrethit të Presidentit Trump. Kjo flet për llojin e aktiviteteve dhe llojin e njerëzve që kanë qenë në qendër të fushatës Trump,” thotë David Abraham i Universitetit të Majamit.

Presidenti Trump tha se shpallja fajtor e ish menaxherit të tij të fushatës Manafort nuk provon ndonjë bashkëpunim të fshehtë midis fushatës dhe Rusisë. Por analistët theksojnë se një gjyqi i dytë në shtator do të shqyrtojë lobimin e tij për një qeveri pro-ruse në Ukrainë. Manafort mori pjesë në një takim parazgjedhor në Kullën Trump me bashkëpunëtorë të tjerë të zotit Trump dhe një avokate ruse, e cila dyshohet se ofroi informacione për të dëmtuar rivalen demokrate të zotit Trump, Hillary Clinton.

“Është e vërtetë se të grumbullosh informacion dëmtues për kandidatin rival është pjesë normale e politikës, por të kërkosh baltë nga një fuqi e huaj armike nuk është pjesë normale e politikës, pra kjo do të ishte qartësisht e paligjshme dhe kjo gjithashtu do të bënte që zoti Trump të bëhej më vonë peng i Rusisë, meqenëse kjo i dha informacion mbi fushatën e kandidates Clinton dhe për të ndihmuar zgjedhjen e tij,” thotë Paul Schiff Berman i Universiteti Georgetown.

Analistët i thanë Zërit të Amerikës se hetimi i kryesuar nga prokurori i posaçëm Mueller nuk mund të kalohet lehtë si një “gjueti shtrigash”, siç e quan zoti Trump, por ka të ngjarë të intensifikohet.

“Këta njerëz – Cohen dhe ndoshta edhe Manafort – do të fillojnë bashkëpunimin me prokurorët prandaj mendoj se informacioni që ata do të nxjerrin do të vazhdojë”.

Analistët thonë se faktet e fundit për korrupsion midis bashkëpunëtorëve të ngushtë të zotit Trump mund të mos kenë ndikim të menjëhershëm mbi bazën e tij të mbështetjes. Por ata besojnë se presioni në rritje mund të bindë mjaft votues për ta bërë më të vështirë rizgjedhjen e zotit Trump.

 

Fraksion.com