Bolton: Uashingtoni kërkon sanksione më të fuqishme ndaj Iranit
Këshilltari i presidentit Donald Trump për Sigurinë Kombëtare thotë se rivendosja e sanksioneve ekonomike ndaj Iranit ka patur “efekt të thellë” dhe se Uashingtoni dëshiron të shkojë përtej sanksioneve të vendosura përpara marrëveshjes bërthamore me Iranin në 2015-n.
Marrëveshja e arritur mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Kinës, Francës, Rusisë dhe Gjermanisë, kufizoi programin bërthamor të Teheranit në këmbim të heqjes së sanksioneve që patën dëmtuar ekonominë e këtij vendi.
Të mërkurën, gjatë një vizite në Izrael, John Bolton tha se zyrtarët amerikanë kanë biseduar me aleatët e tyre se çfarë mund të bëjnë tjetër për të ushtruar “presion maksimal” ndaj Iranit, duke përfshirë sanksionet dhe masa të tjera të cilat nuk u specifikuan.
Kritikët e marrëveshjes bërthamore, përfshirë kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu, thonë se Irani përfitoi shumë duke dhënë pak në këmbim si dhe ruajti aftësinë për të prodhuar armë bërthamore.
“Marrëveshja bërthamore me Iranin i zbuti efektet e keqmenaxhimit të ekonomisë së këtij vendi dhe i dha regjimit një jetë të re”, tha zoti Bolton.
“I dha këtij regjimi, i cili ka qenë financuesi kryesor i terrorizmit ndërkombëtar që nga viti 1979, burime të reja që mund t’i përdorë për programin e tij të armëve bërthamore, raketave balistike, për mbështetjen e terroristëve si dhe për aktivitetet e saj ushtarake”, shtoi ai.
Irani këmbëngul se programi i tij bërthamor ka qenë për qëllime paqësore. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, ngarkuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara për monitorimin e zbatimit të marrëveshjes nga Irani, ka raportuar se Teherani po i përmbahet pjesës së tij të detyrimeve.
Zoti Bolton tha se Shtetet e Bashkuara nuk po kërkojnë “ndryshim të regjimit” në Iran, por që qeveria e Teheranit të ndryshojë sjellje. Nëse e bën këtë tha ai “ekziston mundësia për një zgjidhje”.
Fraksion.com