Kështjella e fundit e kryengritësve në Siri; Idlibi
Lufta midis Bashar Al-Assadit dhe kundërshtarëve të tij po i afrohet fundit. Kryengritësit kanë nën kontroll vetëm provincën Idlib në Sirinë Veriore. Shumë vëzhgues kanë frikë për një ofensivë të trupave qeveritare.
Tani, kur kundërshtarët e qeverisë janë mundur thuajse në të gjitha pjesët e tjera të vendit, shumë sirianë dhe vëzhgues ndërkombëtarë llogarisin që një ofensivë kundër kështjellës së kryengritësve është në prag të derës. Gjenerali Mahmoud Ali, një kundërshtar i udhëheqjes në Damask thotë se Idlibin e pret një katastrofë e madhe humanitare.
“Provinca Idlib është një zonë e mbipopulluar, në të cilën jetojnë rreth tri milionë e gjysmë njerëz. Pritet që shumë njerëz të kërkojnë të marrin arratinë. Po ku të venë? A do ta hapë Turqia kufirin?”
Në këtë rast Turqia do të merrte përgjegjësinë për më shumë se një milion refugjatë, thotë Ali.
Banorët e Idlibit, që kanë jetuar gjithmonë këtu dhe që nuk duan të kenë të bëjnë fare me luftën, druhen se do të bien midis fronteve. Më parë Idlibi konsiderohej “provincë e harruar” – një rajon, të cilin qenë para së gjithash të rinjtë që preferonin ta linin pas vetes. Por sot Idlibi ka rreth dyfishin e banorëve që kishte para fillimit të luftës. Një e treta e tyre janë fëmijë.
Jan Egeland, ndihmëskoordinator i OKB-së për Sirinë kërkoi që në fillim të gushtit negociata të menjëhershme për të penguar një kasaphanë.
“Kjo zonë kërkon me forcë një zgjidhje diplomatike, kërkon diplomatët më të mirë, ushtarakët më të mirë, që mund të ulen së bashku dhe të bien dakord – duke e ditur mirë se nuk ka Idlib tjetër, ku mund të evakuohen njerëzit. Këtu ne duhet të kemi negociata paqësore dhe të arrijmë marrëveshje”, thotë Egeland.
Turqia kundër një ofensive në Idlib
Edhe qeveria turke synon ta pengojë patjetër një ofensivë, në mënyrë që në Turqi të mos vërshojnë qindra mijëra refugjatë të tjerë. Një shkak pse do të takohet Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan në fundjavë me Presidentin rus Vladimir Putin, me Presidentin francez Emmanuel Macron dhe me Kancelaren gjermane Angela Merkel. Ahmed Ramadan, nga koalicioni opozitar sirian me seli në Stamboll është po ashtu për një zgjidhje politike.
“Po të sulmojnë rusët në Idlib, ekziston rreziku që të përdorin me armët e tyre fuqi zjarri të madhe dhe të kenë si objektiv infrastrukturën dhe rajonet e banimit të popullatës civile. Regjimi sirian nuk mund të veprojë në Idlib ushtarakisht pa dritë të gjelbër nga Rusia.”
Prandaj do të ishte edhe më i rëndësishëm një dakordim midis Rusisë dhe Turqisë, për t’ia kursyer Idlibit një përplasje ushtarake, thotë Ramadani.
Ende duket e mundur një zgjidhje me negociata. Por koha nuk pret: në dy javët e kaluara u transportuan ushtarë në periferi të provincës Idlib, edhe automjete dhe municion. Dhe pushtetmbajtësi i Sirisë, Bashar Al Assad ka bërë të ditur se do të ripushtojë çdo centimetër katror të vendit të tij./DW
Fraksion.com