AktualitetEkonomiTë fundit

Paga mesatare mujore ra me 3% në tremujorin e parë 2018

Paga mesatare në ekonomi i është kthyer rënies përgjatë tremujorit të parë të vitit, duke konfirmuar edhe njëherë që ekonomia e vendit po i largohet gjithnjë e më shumë produktivitetit.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, paga mesatare mujore në ekonomi u ul në janar-mars 2018 me 3 për qind ose 1468 lekë më pak.

Kështu pagesa mesatare mujore për një të punësuar në Shqipëri arriti në 49,145 lekë nga 50,614 lekë që ishte në fund të vitit 2018.

Në të njëjtën masë, 3 % raportohet edhe rënia e pagës mesatare në sektorin publik, e cila në tremujorin e parë të 2018 shkoi në 59,728 lekë, nga 61,600 lekë që ishte në fund të vitit.

INSTAT për përcaktimin e pagës mesatare në shtet ka nisur të marrë si reference të dhënat nga listëpagesat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, më parë këto të dhëna merreshin nga pasqyrat e programit statistikor.

Më të dhënat zyrtare pagat kanë pësuar rënie në tremujorin e parë, teksa tatimet nisën një aksion në të gjithë vendin.

Drejtoria e riskut në Tatime njoftoi javën që shkoi se ka filluar të marrë në analizë nivelin e deklarimit të pagave të punonjësve për profesione të ndryshme, duke i krahasuar me pagat reale të tregut të punës.

Nga këto analiza, është konstatuar se disa punëdhënës deklarojnë paga, për profesione të caktuara, që janë ndjeshëm nën nivelin mesatar të tregut apo janë afër pragut të pagës minimale të përcaktuar për efekt të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Punësimi në Shqipëri po përmirësohet, por vendet e reja të punës janë me produktivitet të ulët. Banka e Botërore zhvilloi një anketë për shpërndarjen e vendeve të reja të punës në periudhën 2014-2016 dhe gjeti se rritja e punësimit ishte e shoqëruar me një ofertë punë që kërkon kualifikim shumë të ulët.

Me fjalë të tjera, megjithëse u krijuan vende të reja pune (punësimi u rrit me 11 për qind në periudhë, ose 114,000 vende pune), këto punë të reja ishin, mesatarisht, më pak produktive sesa vendet ekzistuese të punës. Për pasoje Shqipëria ka nivelin e pagave më të ultin në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ndërmjet viteve 2015 dhe 2016, rritja e punësimit ishte më e madhe në prodhim me (27 %), ndjekur nga bujqësia (18 %), tregtia (19 %), shërbimet e biznesit (14 %), TIK (10%) dhe turizmi (7%)./Monitor

 

Fraksion.com