Akuzat e PD për Edmond Begën, policia sqaron: U lirua nga Gjykata
Policia e shtetit zbulon se Edmond Bega i dënuar në Itali me burg ka qëndruar vetëm 1 vit e 11 muaj në burg dhe është liruar më 24 nëntor të vitit 2011 pasi gjykata e Krujës pjesën e mbetur të dënimit prej një vit e 8 muaj ia konvertoi me dënim me kusht.
Sipas policisë ai nuk është në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar. Edmond Bego u arrestua me 24 dhjetor 2009 për llogari të drejtësisë në Itali, me urdhër arresti ndërkombëtar. Prokuroria e Përgjithshme në 11 shkurt 2010 njofton Policinë për njohjen dënimit të dhënë ne Itali.
Më 15 shtator Gjykata e Lartë në Shqipëri ka bërë njohjen e vendimit penal të huaj dhe ka dënuar përfundimisht me 4 vite e 4 muaj. Ai është liruar nga burgu në 24 nëntor 2011, pasi ka vuajtur rreth 1 vit e 11 muaj burgim, me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, e cila mbi bazën e kërkesës së të dënuarit ia konvertoi pjesën e mbetur prej 1.8 vitesh burgim, në liri me kusht.
Ky është momenti sqaron policia pas të cilit ajo nuk mund të bëjë asnjë veprim. Ndërkohë pas kontrollit ne sistemin TIMS rezulton se Mondi Bega ka hyrë disa herë në Itali qe nga viti 2013 deri në vitin 2018. Gjithashtu edhe në Greqi ka hyrë disa herë ku për herë të fundit kaloi me 8 gusht për t’u arrestuar gjatë kthimit./TCH
Fraksion.com