Abuzimet e kishës, Papa: Asnjë përpjekje të mos kursehet!
Deri më tani nuk ka pasur një qasje më të drejtpërdrejtë e të sinqertë ndaj skandalit të abuzimeve seksuale, që tronditi nga themelet Kishën Katolike.
Letra drejtuar 1.2 miliardë romano-katolikëve të globit kërkon fundin e kulturës së vdekjes brenda kishës, flet për dështimet e lidhura me menaxhimin e abuzimeve, e mbi të gjitha kërkon falje.
Javën e kaluar, një raport ekspertësh dëshmoi 7 dekada abuzimesh në Pennsylvania me zbulimin e më shumë se 1.000 personave që ishin abuzuar në moshë të mitur nga 300 priftërinj në shtetin amerikan.
Me mijëra të tjerë mendohet të kenë rënë viktima të episodeve të turpshme, por hetimi nuk u mjaftua vetëm me shifra. Ai paraqiste gjithashtu prova të mbulimit sistematik, që kisha u ka bërë ngjarjeve të tilla, e shumë raste tani konsiderohen tepër të vjetra për t’u dërguar në gjykatë.
Pas publikimit të raportit, Vatikani deklaroi se Papa qëndron në anën e viktimave, kundër atyre që Ati i Shenjtë i përshkruan si “priftërinj grabitqarë”.
“Ne nuk treguam kujdes me të vegjlit, – thuhet në letrën e tij. – Ne praktikisht i braktisëm ata”. “Me turp dhe pendim, – vazhdon ‘mea culpa’ e Papës, – ne pranojmë si bashkësi kishtare se nuk ishim aty ku duhej të ishim dhe nuk vepruam në kohë, ndërsa kuptonim madhësinë dhe seriozitetin e dëmeve të shkaktuara kaq shumë jetëve”.
Mesazh citon më tej një pasazh nga Bibla, ku thuhet “kur vuan njëri, vuajmë të gjithë bashkë”, dhe apelon që institucioni i besimit të bëjë llogaritë me realitetin.
Fraksion.com