AktualitetOp-EdTë fundit

“Strategji e re: Ja qasja që do të ndjekim për tërheqjen e investimeve të huaja në vend”

Qasja e re që Shqipëria po zbaton në drejtim të zhvillimit të diplomacisë së saj ekonomike po zhvillohet dhe pritet që të nisë implementimin në shtator. Zv.ministër për Ministrinë e Europës dhe Punët e Jashtme, Etjen Xhafaj thotë se tërheqja e investitorëve të huaj tashmë do të jetë më e lehtë, puna në drejtim të së cilës do të jetë më e shpejtë dhe më eficiente.

Diplomacia ekonomike është konsideruar prioritet, çfarë strategjie po ndiqet në drejtim të zhvillimit të saj?

Qasja e Shqipërisë ndaj diplomacisë ekonomike ka qenë kryesisht në raport individual, d.m.th. një ambasador sa lidhje kishte me ekonominë apo me sektorë të ndryshëm dhe sa i aftë ishte që të bënte këtë urën mes njerëzve të interesuar nga jashtë për të investuar në Shqipëri apo edhe për të ngritur interes tek këta njerëz. Apo edhe strukturave shtetërore, industri të ndryshme apo agjenci specifike. Ajo që po përpiqemi që të ndryshojmë këtë herë është që të kemi një qasje të strukturuar.

Momentalisht, jemi në mesin e një faze të parë, që është faza e përgatitjes së të gjithë trupës sonë diplomatike jashtë. Në këtë trajnim janë aktualisht 28 ambasadorë, me kohëzgjatje 18 javë dhe ne po mendojmë që ta zhvillojmë edhe në vijim. Në këtë trajnim fillimisht merren raste konkrete dhe studiohen se si kanë pasur sukses në implementimin e strategjisë së tyre të diplomacisë ekonomike, në rastin konkret shembulli kryesor që përdoret sot në botë është ai i Singaporit.

Për qasjen që ka pasur. Ndërsa Puerto Riko përmendet si vendi i parë në botë që ka bërë marketing të mirëfilltë për tërheqjen e investimeve të huaja në evenimentin sportiv Superbowl. Trajnimi kryhet nga Qendra për Kërkim Zhvillimor, Harvard University me lektorë që kanë qenë pjesë e shteteve që kanë implementuar diplomacinë ekonomike në funksion të tërheqjes së investimeve, në rastin konkret një ndër folëset e trajnimit tonë është presidentja e Puerto Rikos.

Pjesa e dytë e trajnimit përfshin fazën ‘on the job’, duke u trajnuar, diplomatët vendosen që të arkivojnë një bazë kontaktesh dhe po merren me materiale specifike, me investitorë specifikë dhe me kërkesa të tjera specifike, me qëllimin se, në fund të kësaj, e para do të kemi një listë kontaktesh, e dyta një mënyrë që ne të mund të bëjmë diplomacinë ekonomike, qoftë në nivel aktivitetesh ose e angazhimit për të vendosur ura kontaktesh dhe për të zhvilluar takime.

Pra, në momentin që ti takohesh me një investitor, si e zhvillon takimin dhe si e ndjek të gjithë këtë proces, me qëllimin që të organizosh një vizitë në Shqipëri. Në momentin që investitori vjen në Shqipëri, struktura përgjegjëse e ministrisë organizon më tej takimin, vendoset lidhja me institucionet e ndryshme, duke përfshirë padyshim edhe AIDA-n, që të koordinohet kështu e gjithë qasja, që më pas i bashkëngjitet Ministrisë së Financave dhe Kryeministrisë.

Historikisht, problemi nuk ka qenë që investitori nuk vjen në Shqipëri, ka qenë që vjen në mënyrë të çrregullt, ndaj po merremi specifikisht me qasjen, si dhe me zinxhirin e vijimit të ndjekjes së procesit, që të jetë i shkurtër, i qartë dhe të implementohet sa më shpejt që të jetë e mundur.

Në vijim të kësaj qasje të re që Shqipëria po implementon, si do të asistohet edhe biznesi nga përfaqësitë tona jashtë në raste nevoje?

Mund të jap një shembull për këtë që ka ndodhur dy javë më parë. Ministri i MBZHR, Niko Peleshi, na kërkoi, duke na dhënë disa produkte shqiptare dhe të Kosovës, të cilat janë të pranishme në tregje të jashtme, që ambasadorët tanë t’i jepnin një listë kontaktesh të restoranteve me pronësi shqiptare. Këtë javë i kemi kthyer një listë me 530 kontakte, nga 20 vende. Si ky shembull, do të vijojmë edhe me produkte të tjera shqiptare, për t’i kontaktuar në rast se janë të interesuar për disa produkte specifike që janë “lista e ekselencës” nga prodhimet shqiptare. Ky është një fillim shumë i mirë dhe duhet ta mendojmë më tej në terma të këtij shembulli për të krijuar ura të tjera për biznesin apo më gjerë.

Lidhur me fondet e përfaqësive tona jashtë, është pretenduar prej kohësh se janë të limituara dhe se shpesh, organizime të ndryshme aktivitetesh nuk arrijnë që të financohen. A do të kenë përfaqësitë tona jashtë rritje të financimit të tyre në kuadër të kësaj qasje të re të diplomacisë ekonomike?

Është e vërtetë që fondet kanë limitime, por kjo nuk është vetëm në fushën e diplomacisë, por edhe në sektorë të ndryshëm. Kjo pasi Shqipëria ka nevoja më të mëdha se sa ka mundësitë, sepse është një vend në zhvillim. Mënyra se si e kemi planifikuar ne, është e tillë, në momentin që ne do të jemi gati, qoftë strukturalisht, qoftë në nivel burimesh njerëzore, do të kemi një kërkesë për një rritje buxheti më specifike, do të kemi një ristrukturim të një pjese të stafit të ministrisë, të cilët merren drejtpërdrejt me diplomacinë ekonomike. Kjo strukturë do të jetë si koordinim i diplomatëve, për informacionet që do të sjellin, për vijimin e çështjes.

Çfarë mjetesh do të përdoren për të tërhequr investitorë apo për ta bërë Shqipërinë të dukshme në hartën globale?

Aktualisht ne po punojmë me “Page Books”, që janë libra tipikë të promovimit të vendit, sipas sektorëve specifikë, pra jo një informacion i përgjithshëm, por i konkretizuar. Sepse i gjithë qëllimi i qasjes që po duam të ndryshojmë është që të shkojmë në biznese specifike që përkojnë me sektorët që kanë potencial të madh zhvillimi. Shpërndarja e tyre do të jenë në koordinim me ministrinë e linjës, me AIDA-n, me të gjitha ambasadat.

Në rastin konkret, kur një vend i caktuar ka kompani të fuqishme në fushën e bujqësisë, në takimet e organizuara me ambasadën e atij vendi, do t’u ofrohet libri ynë specifik për bujqësinë, i cili do të ketë informacion të përgjithshëm për sektorin bujqësor, incentivat në këtë fushë, potenciale për investim, specifikat për tokën tonë, kapitali ynë njerëzor etj. Pra, qëllimi ynë është që të shkojmë te një investitor specifik dhe t’i themi “Kjo është arsyeja se pse ju duhet të investoni në Shqipëri.”

Cila është faza pasuese e trajnimit, në kuadër të kësaj qasje të re?

Qëllimi ynë është që në shtator do të kemi një përfundim të këtij trajnimi dhe të nisim që të nxjerrim përfundime. Synojmë që të mos u imponohemi diplomatëve në asnjë moment, por që të punojmë disa strategji specifike për secilin vend, vendosjen e prioriteteve sipas specifikave të çdo vendi. Diplomatët që janë aktualisht në trajnim janë kryesisht nga vendet perëndimore dhe ato kryesore tona në tregti; si dhe një pjesë të shteteve lindore të cilat eksportojnë investime të huaja. Pastaj do të kemi një qasje të dyanshme, nga njëra anë do të flasim për aktivitete specifike që do të organizojmë në terren, nga ana tjetër do të fillojmë ristrukturimin në ministri.

Besoj se do të kemi një përmbledhje të të gjithë këtyre aktiviteteve nga shtatori në vijim, që nga viti që vjen, të kemi një kalendar specifik të diplomacisë ekonomike, dosje specifike në bazë të vendeve. Kjo do të thotë se, në qoftë se sistemi që në bashkëpunim me AKSHI-n, po synojmë që të kemi gati nga mesi i gushtit, do të nisim të hedhim të dhënat e mbledhura si mjet i kësaj qasje të re, do të nisim të organizojmë aktivitete të para që në fillim të vitit.

Kështu, secili ministër që do të ketë një takim jashtë, do të ketë mundësi që të shkojë me një dosje specifike atje. Nga ana tjetër, kjo databazë do të na ndihmojë që të ndjekim edhe interesimin e kompanive të ndryshme në vendin tonë. Pritshmëria ime është që në vazhdimësi të ketë prurje të reja, nga ambasadat, dhe duke ardhur gjithnjë e më shumë investitorë, do të krijohet nevoja për të rritur fondet në funksion të diplomacisë ekonomike. Ne kemi parë specifikisht që interesi për Shqipërinë është i lartë. Javën e kaluar, organizuam Forumin e Parë në Biznesit në Madrid, Spanjë dhe pamë interes të jashtëzakonshëm për vendin tonë, nga kompani në fushën e energjisë, infrastrukturës, prodhimit dhe turizmit./Monitor

 

Fraksion.com