Shtohen tensionet mes komunitetit të zbulimit dhe Shtëpisë së Bardhë
Tensionet mes komunitetit të zbulimit dhe Shtëpisë së Bardhë janë shtuar kohët e fundit, ndërsa Presidenti Donald Trump dhe ish zyrtarë të lartë të zbulimit u përfshinë në një betejë fjalësh lidhur me certifikatat e sigurisë.
Të premten presidenti Trump kërcënoi se do t’i hiqte certifikatën e sigurisë një zyrtari të Departamentit të Drejtësisë dhe shtoi se vendimi tij për heqjen e certifikatës së sigurisë ish Drejtorit të CIA-s John Brennan, është pritur me “reagime të jashtëzakonshme”.
Objekt i zemërimit të zotit Trump të premten ishte zyrtari i Departamentit të Drejtësisë Bruce Ohr, që ishte në mesin e nëntë zyrtarëve dhe ish zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë, që rrezikojnë ta humbin certifikatën e sigurisë.
Zoti Trump bëri lidhje mes Bruce Ohr-it dhe Prokurorit Special Robert Mueller, duke e quajtur lidhjen mes tyre “të papranueshme” për Mueller-in. Mueller po heton ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016, hetim që Trump e quajti të premten “gjueti shtrigash të manipuluar”.
“Ju e dini këtë,” u tha presidenti Trump gazetarëve. “Zoti Mueller është në konflikt interesi”.
Trump kritikoi përsori ish-drejtorin e CIA-s të shtunën, John Brennan, duke pyetur në mënyrë retorike në Twitter nëse dikush ka “shikuar gabimet që bëri John Brennan ndërsa shërbente si drejtor i CIA-s” , pa dhënë shpjegime dhe e etiketoi atë si një “llafazan, njeri partiak, i cili nuk mund të besohet me sekretet e vendit tonë!”
Të premten, ish zyrtarë të CIA-s u kundërpërgjigjën për sjelljen ndaj zotit Brennan: më tepër se 60 persona nënshkruan një deklaratë, duke kritikuar ato që i cilësojnë “komente dhe veprime të papërshtatshme e të pashembullta nga Shtëpia e Bardhë, lidhur me heqjen e çertifikatës së sigurisë së John Brennan-it”.
Fraksion.com