Shoqëria civile, Kosovës s’i duhen zgjedhjet tash
Shoqëria civile vlerëson se nuk duhet të ketë zgjedhje të parakohshme, gjersa Kosova po përgatitet të futet në fazën finale të dialogut me Serbinë në Bruksel.
Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë për Ekonomia Online se është e nevojshme që partitë politike të angazhohen më shumë për proceset politike, para të cilave gjendet vendi, sesa për zgjedhje të reja.
“Ndoshta do të jenë këto afate që më nuk do të kemi kohë dhe mundësi që t’i presim të kalojnë, sepse është procesi i dialogut dhe procese tjera shtetërore, të cilat faktikisht nuk presin dhe konsideroj se fokusi i subjekteve politike, fillimisht do të duhej të ishte në funksionalizimin e institucioneve dhe funksionalizimin e shtetit.
“Ne kemi vetëm pak më shumë se një vit që kemi pasur zgjedhje parlamentare dhe konsideroj se duhet të fokusohemi më tepër në punë, sesa te ideja e zgjedhjeve të reja dhe kur të kalojnë këto procese shtetërore të cilat janë duke na pritur atëherë mund të flasim dhe mund të organizojmë edhe zgjedhje të reja”.
Murati, gjithashtu, thekson se, në qoftë se Kosova do të hynte në një proces zgjedhor, atëherë do të shtyhen edhe më shumë proceset politike të Kosovës.
“Nëse do të shkon në zgjedhje në këtë moment nëse e marrim dhe e shohim aspektin legjitim do të ishin ndoshta edhe të drejta sepse ne po e shohim që koalicioni qeverisës për momentin nuk e përbën mazhorancën në kuvend dhe nuk i ka numrat për të kaluar, madje edhe një ligj të thjesht në kuvendin e Republikës së Kosovës, mirëpo në anën tjetër jemi në një situate shumë delikate dhe ndoshta do t’i shtynim ose do ti prolongonim proceset”.
Partitë, vazhdon Murati, duhet të bashkëpunojnë për proceset e mëdha të vendit, me qëllim që të krijohet një konsensus politik.
Në vijë të njëjtë është edhe Demokracia Plus. Jetmir Bakia mendon që nuk ka nevojë për zgjedhje të reja.
Në një prononcim për Ekonomia Online, ai konsideron se Kuvendi duhet ta luajë rolin e tij kushtetuse dhe të nxjerrë një rezolutë për dialogun me Serbinë.
“Zgjedhje për dialog ndoshta nuk ka nevojë, për shkak se kemi pasur zgjedhje para një viti, është e vërtetë që qeveria e tanishme nuk e ka mandatin më të madh dhe në fakt është diskutabile edhe nëse e ka shumicën në kuvend. Përpos zgjedhjeve, çfarë duhet është që kuvendi ta luajë rolin e vet kushtetues, kuvendi duhet të dalë me një rezolutë që në fakt e tregon se kush duhet ta udhëheqë këtë dialog. Mos të harrojmë që kuvendi është i vetmi institucion i zgjedhur drejtpërdrejt nga populli”, thotë Bakia.
Më tutje, Bakia tha se Kuvendi deri tash nuk ka arritur të mandatojë askënd për kryenegociator dhe, në këtë situatë, Presidenti Thaçi nuk ka mandat ta udhëheqë dialogun.
“Presidenti që tashmë po e luan rolin si udhëheqës i dialogut nuk I është dhënë aj mandat nga kuvendi i Kosovës, mirëpo në të njëjtën kohë edhe kuvendi nuk ka arritur që të përzgjedh një krye negociator apo një ekip negociues”, pohon Bakia.
LDK kërkon zgjedhje të reja, me arsyetimin se institucionet e Kosovës momentalisht nuk kanë fuqi politike dhe legjitimitet qytetarë për të përfaqësuar vendin në procesin e dialogut me Serbinë.
Gatishmërinë për një proces të parakohshëm zgjedhor e kanë shprehur edhe Vetëvendosje e PSD, por tri partitë opozitare, në mungesë bashkëpunimi, deri tash nuk kanë nisur asnjë iniciativë për rrëzimin e qeverisë.
Fraksion.com