Diplomacia për tërheqjen e investimeve të huaja
Koncepti i diplomacisë ekonomike ka ndryshuar gradualisht 50 vitet e fundit, ndërsa ekonomia është shndërruar në ‘timonin’ e influencës politike. Rregulli botëror pas Luftës së Dytë ekonomike, i cili filloi me Planin Marshall dhe me projektet ekonomike, e solli në qendër të vëmendjes këtë fushë. Atëherë të gjithë ekonomitë më të mëdha botërore e drejtuan diplomacinë e tyre drejt fokusit ekonomik, nxitjes së tregtisë dhe investimit. Po Shqipëria çfarë po bën në këtë drejtim?
Nga Deada Hyka
Rendi ekonomik global ka pësuar ndryshime të mëdha gjatë 50 viteve të fundit. Ai bazohej kryesisht në përpjekjet e rindërtimit pas Luftës së Dytë Botërore. Institucionet financiare ndërkombëtare (IFIs) dhe Marrëveshja e Përgjithshme mbi Tarifat dhe Tregtinë (GATT) – e cila u bë Organizata Botërore e Tregtisë (OBT) në 1995 – u krijuan nga dhe për vendet e industrializuara, të cilat në atë kohë ishin fuqitë kryesore. Rritja e vendeve në zhvillim e shqetësoi bilancin ekonomik botëror të pushtetit, me Kinën, duke u bërë një lojtar i rëndësishëm në skenën ekonomike ndërkombëtare dhe përfundimisht duke iu bashkuar OBT-së në vitin 2001.
Pranimi i Kinës në OBT çoi në ndryshime të thella në rendin ekonomik botëror, ndikimi i të cilit vijon të ndihet. Në këtë kontekst, globalizimi ka luajtur gjithashtu rol të madh në zhvillimin e diplomacisë ekonomike. Bota është bërë e ndërlidhur; tregtia është zgjeruar jashtëzakonisht gjatë 50 viteve të fundit, shkëmbimet e mallrave, shërbimeve dhe investimeve janë rritur shumë. Shkalla e tregtisë nuk është më thjesht lokale, kombëtare apo edhe rajonale, por mbarëbotërore. Çështjet kombëtare janë bërë globale, si p.sh. paqja, siguria, zhvillimi, klima etj.
Diplomacia ekonomike shpesh konceptohet si një instrument për të nxitur bizneset, veçanërisht ato të Vogla dhe të Mesme (NVM) ku potenciali për krijimin e vendeve të punës është më i madh; se sa për shumëkombëshe, në tregjet e huaja. Në këtë kuptim, mund të quhet edhe “diplomacia komerciale”. Shumica e vendeve në zhvillim e mbështetën ndërkombëtarizimin e bizneseve në dekadën e parë të këtij shekulli, kur rritja ishte më premtuese në vendet në zhvillim. Vendet e mëdha do të përdorin rrjetet e tyre diplomatike dhe pushtetin për të promovuar biznesin dhe investimet jashtë vendit, ose për të tërhequr investime të huaja në territorin e tyre. Kjo strategji tashmë është e shtrirë në të gjitha shtetet në botë, pra përdorimi i trupave diplomatike, jo vetëm për lidhje politike por në funksion të tërheqjes së investimeve në sektorë të ndryshëm të ekonomisë së një vendi.
Ministria e Punëve të Jashtme e ka shpallur diplomacinë ekonomike si një ndër prioritetet e saj, ndërsa një vit më parë kryeministri Edi Rama, në një mbledhje me të gjithë ambasadorët shqiptarë në botë, vlerësoi me nota kritike përpjekjet e trupës diplomatike për të jetësuar strategjitë e tyre në përfitim real për ekonominë e vendit. Zëvendësministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Etjen Xhafaj, bën të ditur për “Monitor” të gjithë strategjinë e konceptuar dhe ndjekur në këtë drejtim, si dhe përfitimet e vendit tonë nga diplomacia ekonomike e ndjekur nga MEPJ.
“Qasja e Shqipërisë ndaj diplomacisë ekonomike ka qenë kryesisht në raport individual, d.m.th. një ambasador sa lidhje kishte me ekonominë apo me sektorë të ndryshëm dhe sa i aftë ishte që të bënte këtë urën mes njerëzve të interesuar nga jashtë për të investuar në Shqipëri, apo edhe për të ngjallur interes tek këta njerëz. Apo edhe strukturave shtetërore, industri të ndryshme apo agjenci specifike. Ajo që po përpiqemi që të ndryshojmë këtë herë është që të kemi një qasje të strukturuar”, – tha zv.ministri Xhafaj.
Ai shton se si fazë e parë e kësaj qasje të re është zhvillimi i trajnimeve të trupave diplomatike, nga ekspertë të Harvard University, të cilët marrin njohuritë teorike dhe praktike për të vënë në jetë strategjinë e diplomacisë ekonomike që vendit tonë i mungon.
“Duke u trajnuar, diplomatët vendosen që të arkivojnë një bazë kontaktesh dhe po merren me materiale specifike, me investitorë specifikë dhe me kërkesa të tjera specifike, me qëllimin se, në fund të kësaj, e para do të kemi një listë kontaktesh, e dyta një mënyrë që ne të mund të bëjmë diplomacinë ekonomike, qoftë në nivel aktivitetesh ose e angazhimit për të vendosur ura kontaktesh dhe për të zhvilluar takime. Pra, në momentin që ti takohesh me një investitor, si e zhvillon takimin dhe si e ndjek të gjithë këtë proces, me qëllimin që të organizosh një vizitë në Shqipëri.
Në momentin që investitori vjen në Shqipëri, struktura përgjegjëse e ministrisë organizon më tej takimin, vendoset lidhja me institucionet e ndryshme, duke përfshirë padyshim edhe AIDA-n, që të koordinohet kështu e gjithë qasja, që më pas i bashkëngjitet Ministrisë së Financave dhe Kryeministrisë. Historikisht, problemi nuk ka qenë që investitori nuk vjen në Shqipëri, ka qenë që vjen në mënyrë të çrregullt, ndaj po merremi specifikisht me qasjen, si dhe me zinxhirin e vijimit të ndjekjes së procesit, që të jetë i shkurtër, i qartë dhe të implementohet sa më shpejt që të jetë e mundur”, – tha z. Xhafaj.
Sipas ekspertëve, ajo që i mungonte trupave tanë jashtë, është pikërisht një strategji e parë në lupën shqiptare, e personalizuar për secilin vend ku diplomatët tanë operojnë. Ekspert i fushës së diplomacisë për 28 vite, z. Genc Pecani, thotë se Shqipërisë i duhet një strategji “agresive” për tërheqjen e investimeve në vend.
“Mendoj se mbetet ende për të bërë me qëllim që përfaqësitë tona diplomatike dhe funksionarët e tyre të jenë më “agresivë për tërheqjen e investimeve”. Në këtë kontekst, do të përmendja tre elemente kryesore për zbatimin me efikasitet të diplomacisë ekonomike, të cilat duhet të rriten, fuqizohen e përsosen: Burimet njerëzore; burimet financiare si dhe burimet financiare dhe koordinimi”,- thotë z. Pecani.
Nga përvoja e tij si pjesë e trupave diplomatike në shumë shtete, si dhe ambasador për 4 vjet në Çeki, tregon se “thembra e Akilit” për punën e tyre në funksion të diplomacisë ekonomike mbetet financimi, por edhe koordinimi.
“Rritja e fondeve në dispozicion të përfaqësive tona, për mendimin tim është domosdoshmëri. Nuk e kam fjalën për luks, por është fakt p.sh. që fondet e përfaqësive të Shqipërisë janë disa herë më të vogla edhe se ato të përfaqësive të Kosovës (nuk po i krahasoj me ato të vendeve të tjera të rajonit e aq më pak të vendeve të tjera europiane). Pamjaftueshmëria e këtyre fondeve për të mbuluar aktivitetin e përfaqësive (nganjëherë edhe nevojat operative apo organizimin e festës kombëtare) nuk i përmbush nevojat dhe kërkesat për intensifikimin e diplomacisë ekonomike.
Ai shton më tej se shpesh, fondet e mbledhura nga përfaqësitë tona janë nga donacionet nga diaspora shqiptare, të cilat, janë tepër modeste.
“Ato nuk janë e nuk mund të jenë shtylla financiare ku mbështetet një institucion që përfaqëson vetë shtetin dhe është fasada e tij”, – shton z. Pecani.
Sa i përket koordinimit, z. Pecani thotë se nevojitet që, nëpërmjet një bashkëpunimi e koordinimi midis shërbimit diplomatik dhe tërë institucioneve të tjera përgjegjëse, të përpunohen e zbatohen strategji të dedikuara për çdo vend apo grup vendesh, të cilat duhet të përmbajnë objektiva, projekte dhe propozime specifike, konkrete e serioze.
“Ka ndodhur shpesh, që Ambasadorët dhe diplomatët tanë kanë shkuar për të takuar partnerët disa herë me të njëjtat dosje që përmbajnë vetëm teza të përgjithshme mbi dëshirën, vullnetin dhe rëndësinë e bashkëpunimit e materiale promocionale për Shqipërinë. Kjo nuk është strategji diplomacie efektive”, – thotë ai. Ai bën të ditur se edhe koordinimi mes institucioneve shpesh ka çaluar, duke “lënë në baltë” kërkesa të ndryshme për çështje të caktuara nga biznesi jashtë.
Pas goditjes që u trajtua nga kriza financiare dhe ekonomike, objektivi kryesor i BE-së u bë rritja ekonomike dhe krijimi i vendeve të punës. Në vitin 2010, Komisioni bëri një deklaratë mbi “EUROPA 2020, një strategji për rritje të zgjuar, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse”. Strategjia e Europës 2020 është axhenda kryesore e BE-së për rritjen ekonomike dhe për krijimin e vendeve të punës për dekadën aktuale, deri në vitin 2020.
Ajo thekson rritjen e zgjuar, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, si një mënyrë për të kapërcyer dobësitë strukturore në ekonominë e Europës, për të përmirësuar aftësinë konkurruese dhe produktivitetin e saj dhe për të mbështetur një shoqëri të qëndrueshme të ekonomisë së tregut. Eurostat publikon rregullisht raporte gjithëpërfshirëse të progresit për objektivat e saj. Strategjia e Europës 2020 identifikoi qartë instrumentet e politikës së jashtme, si një mjet të rëndësishëm për vendet e punës dhe rritjen ekonomike.
Pak kohë më pas, në vitin 2011, Komisioni propozoi një strategji që synon të ndihmojë NVM-të të zgjerojnë biznesin e tyre jashtë BE, të quajtur “Biznesi i vogël, bota e madhe”. Ai përcaktoi gjashtë fusha të veprimit dhe dialogët e politikave të NVM-ve, të cilat u nisën gjithashtu nga Komisioni, në mënyrë dypalëshe me Kinën dhe në mënyrë shumëpalëshe me shtetet lindore dhe jugore (Bashkëpunimi BE-MED, Partneriteti Lindor).
Pas hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës, në BE filluan të zbatohen kompetencat e reja, siç janë investimet dhe politika e jashtme. Shërbimi Europian i Veprimit të Jashtëm (EEAS) filloi të funksionojë.
Grupi i Komisionerëve për Veprim të Jashtëm (CGEA) 17, i kryesuar nga ZK / VP Federica Mogherini, u riaktivizua dhe konsiderohet si një nga nismat më të rëndësishme institucionale në hartimin e politikës së jashtme të BE-së dhe pasojë e drejtpërdrejtë e krijimit të Shërbimit Europian të Veprimit të Jashtëm. Duke qenë se investimi ishte një mjet i fuqishëm për rritje dhe krijimi i EEAS-ut, duke përfshirë 140 delegacionet e BE-së, BE tani kishte të gjitha instrumentet për të krijuar një diplomaci të vërtetë ekonomike.
Fushat e diplomacisë ekonomike
– Të promovojë tregtinë
– Të inkurajojë rritjen ekonomike
– Të tërheqë investimet
– Të mbështesë bizneset vendase
– Të promovojë turizmin
– Të lehtësojë procedurat në marrëdhënie tregtare
– Të informojë bizneset vendase me lehtësinë apo rregullat e biznesit në një vend
Çfarë duhet bërë për përmirësimin e diplomacisë ekonomike?
a. Strategji e dedikuar: ‘Shopping lists’ me objektivat dhe interesat specifike e konkrete;
b. Lista të subjekteve influente që duhen kontaktuar, sensibilizuar, tërhequr e afruar;
c. Kalendar i veprimeve dhe veprimtarive të parashikueshme dhe të planifikuara për realizimin e objektivave tona.
Format e diplomacisë ekonomike
Diplomacia ekonomike vepron në tre nivele: dypalësh, rajonal dhe multilateral, edhe në kontekstin shqiptar. Diplomacia ekonomike dypalëshe luan rol të rëndësishëm në marrëdhëniet ekonomike me vendet e tjera. Ajo bazohet, ndër të tjera, në marrëveshje dypalëshe mbi tregtinë, investimet, punësimin, tatimet, si dhe angazhohet në trajtimin e një sërë çështjesh ekonomike formale apo informale mes dy vendeve. Marrëveshjet Bilaterale të Tregtisë së Lirë janë prej kohësh “në rend të ditës” dhe një numër i madh vendesh nëpër botë zbatojnë të tilla marrëveshje. Bashkëpunimi rajonal përbën një dimension me rëndësi të veçantë dhe në rritje për diplomacinë ekonomike.
Praktika ka treguar se interesat kombëtare dhe liberalizimi i ekonomive vendase janë lehtësuar dhe favorizuar ndjeshëm në kuadër të mekanizmave dhe instrumenteve, me fokus të qartë rajonal. Heqja e kufijve dhe hapja e tregjeve arrihet më lehtë dhe me sukses në një kontekst rajonal. Diplomacia ekonomike shumëpalëshe zhvillohet në kuadër të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT), si dhe një sërë organizmash ndërkombëtare ekonomike dhe financiare si Banka Botërore (BB), Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe agjenci të ndryshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) etj.
Strategjia e re e Shqipërisë
Faza e parë: janë përfshirë 44 zyrtarë – Ambasadorë, staf MEPJ, Kryeministria, dhe AIDA në trajnimin ekzekutiv me Harvard Kennedy School. Në 3 muajt e fundit:
-10 forume (dypalëshe + shumëpalëshe)
-20 misione biznesi dhe vizita në Shqipëri.
-7 takime për linja direkte
-10 ture gazetaresh të huaj
-48 aktivitete promovuese në vende të ndryshme
-12 aktivitete në kuadër të vitit të Skënderbeut
-58 shfaqje interesi, që po ndiqen për të organizuar vizita
-530 kontakte restorantesh me pronësi shqiptare
Flet Genc Pecani, diplomat karriere dhe ish-ambasador: “Shqipërisë i nevojitet një diplomaci agresive për tërheqjen e investimeve”
Koordinimi, burime njerëzore të mirë-formuara si dhe fonde më të mëdha në funksion të diplomacisë ekonomike janë tejet të rëndësishme për të qenë tërheqës në sytë e investitorëve të huaj. Diplomat karriere prej 28 vitesh, z. Genc Pecani thotë se në eksperiencën e tij në trupat diplomatike në vende të ndryshme në Europë, ka rezultuar se Shqipërisë i mungon një strategji ‘agresive’ tërheqje investimesh…
Çfarë rëndësie ka diplomacia ekonomike dhe si zbatohet në kontekstin shqiptar?
Fillimisht do të dëshiroja të sqaroja se diplomacia ekonomike është një koncept që përfshin tërë diapazonin e politikave, strategjive dhe praktikave të një entiteti (shtet apo institucion ekonomik) për mbrojtjen dhe promovimin e interesave ekonomike, zhvillimin e ekonomisë dhe marrëdhënieve ekonomike të favorshme me partnerët. Nga ana tjetër, tërë arsenalin e instrumenteve (institucione, organizma, grupe pune apo dhe individë) të nevojshme dhe të përdorura për zbatimin e gjithë sa më sipër, në funksion të objektivave të caktuara.
Në këtë kuadër, duhet parë edhe roli i diplomacisë klasike, pra i shërbimit diplomatik (përfshirë dhe përfaqësitë diplomatike) të një shteti, në rastin konkret të Shqipërisë. Pra si një nga instrumentet për zbatimin e Diplomacisë Ekonomike. Shqipëria si vend me një ekonomi të parëndësishme në shkallë europiane e globale mendoj se duhet të bëjë një diplomaci ekonomike pragmatike, inteligjente dhe serioze, duke identifikuar e duke shfrytëzuar dhe duke operuar me një saktësi kirurgjikale në ato pika ku kryqëzohen interesat e saj me ato të partnerëve të huaj.
Çfarë ka bërë Shqipëria në këtë drejtim?
Shqipëria, si çdo shtet tjetër, është përpjekur për të realizuar mbrojtjen dhe promovimin e interesave ekonomike, zhvillimin e ekonomisë dhe marrëdhënieve ekonomike të favorshme me partnerët e saj ndërkombëtarë. Në periudha të ndryshme, diplomacia ekonomike domosdo është përpiluar, udhëhequr e zbatuar nga kabinete të ndryshme qeveritare dhe ato funksionare, që janë caktuar prej tyre në krye të institucioneve kryesore e më së pari të Ministrisë së Ekonomisë. Unë do të rezervohesha të shprehem për aspekte teknike e statistikore që kanë të bëjnë me efikasitetin dhe rezultatet e diplomacisë ekonomike që është bërë ndër vite. Ajo çka mund të them është se cili ka qenë dhe duhet të jetë – sipas perceptimeve dhe mendimit tim – roli i shërbimit diplomatik në këtë kuadër.
Po t’i referohem vlerësimit të Kryeministrit Rama, shprehur një vit më parë, gjatë takimit me krerët e përfaqësive diplomatike të Shqipërisë nëpër botë, do të kujtoja se ai ishte tepër kritik: “Në katër vitet e fundit kemi bërë një vrimë në ujë”.
Një vit pas këtyre vlerësimeve të Kryeministrit, shënohen disa hapa në drejtim të përmirësimit të diplomacisë ekonomike, midis të cilave mund të përmendim organizimin e aktiviteteve promovuese “Colours of Albania”, takimet me persona të spikatur të diasporës, furnizimin e përfaqësive me informacione dhe raporte mbi zhvillimet ekonomike në Shqipëria; guida të investimeve; guida për investimet e mundshme në fushën e turizmit, energjisë, infrastrukturës etj.; informacione mbi avantazhet dhe klimën e favorshme të biznesit në Shqipëri etj.; intensifikimi i propagandës promovuese në rrjetet sociale si Twitter etj.; përfshirja e informacioneve të tipit “Investoni në Shqipëri” dhe integrimi i lidhjeve të institucioneve ekonomike në portalet e unifikuara të përfaqësive etj.
Cilat do të ishin disa nga aspektet që duhen përmirësuar?
Mendoj se mbetet ende për të bërë me qëllim që përfaqësitë tona diplomatike dhe funksionarët e tyre të jenë më “agresive për tërheqjen e investimeve”. Në këtë kontekst do të përmendja tre elemente kryesore për zbatimin me efikasitet të diplomacisë ekonomike, të cilat duhet të rriten, fuqizohen e përsosen:
1.Burimet njerëzore
Shtetet e fuqishme kanë nëpër përfaqësi personel të specializuar në fushën ekonomike (atashe apo këshilltarë ekonomikë) të cilët merren me të gjitha aspektet në mënyrë kapilare nga studimi i tregut tek përpilimi dhe ekzekutimi i strategjive. Shqipëria nuk mund ta ketë luks, por e ka plotësisht mundësinë për të përzgjedhur ekipe diplomatike dhe ambasadorë të aftë dhe të aftësuar për të qenë më proaktive. Është fakt që diplomatët janë emëruar dhe vazhdojnë të emërohen nëpër përfaqësi drejtpërdrejt nga ministri i Jashtëm ndërsa ambasadorët emërohen me miratimin dhe pëlqimin e të gjithë politikanëve më të lartë. Kjo do të thotë edhe mandatorët e tyre të ndiejnë dhe mbajnë barrën e përgjegjësisë për përzgjedhjen dhe emërimin e tyre.
2.Burimet financiare
Rritja e fondeve në dispozicion të përfaqësive tona, për mendimin tim përbën domosdoshmëri domethënëse dhe urgjente. Nuk e kam fjalën për luks, por është fakt p.sh. që fondet e përfaqësive të Shqipërisë janë disa herë më të vogla edhe se ato të përfaqësive të Kosovës (nuk po i krahasoj me ato të vendeve të tjera të rajonit e aq më pak të vendeve të tjera europiane).
Pamjaftueshmëria e këtyre fondeve për të mbuluar aktivitetin e përfaqësive (nganjëherë edhe nevojat operative apo organizimin e festës kombëtare) nuk mund të përligjë paaftësinë e disa diplomatëve e ambasadorëve, por as mund të rimojë me nevojat dhe kërkesat për intensifikimin e diplomacisë ekonomike.
Fondet që mund të grumbullojnë përfaqësitë tona nga donacionet janë në përpjesëtim të drejtë me potencialet e donatorëve nga diaspora shqiptare, të cilat, duhet të pranojmë se janë tepër modeste. Ato nuk janë e nuk mund të jenë shtylla financiare ku mbështetet një institucion që përfaqëson vetë shtetin dhe është fasada e tij. Vetë termi “ekonomi” nënkupton një raport proporcional investim – prodhim.
3.Burimet informative dhe koordinimi
Komunikimi, koordinimi dhe bashkëpunimi intensiv institucional dhe ndërinstitucional për çështje ekonomike me interes kombëtar dhe ndërtimi i platformave të përbashkëta për zbatimin e një diplomacie ekonomike efikase. (Ambasadorët dhe diplomatët tanë nuk mund e nuk duhet të shkojnë për të takuar partnerët disa herë me të njëjtat dosje që përmbajnë vetëm teza të përgjithshme mbi dëshirën, vullnetin dhe rëndësinë e bashkëpunimit e materiale promocionale për Shqipërinë).
Në këtë kuadër, mendimi im është se nevojitet që nëpërmjet një bashkëpunimi e koordinimi midis shërbimit diplomatik dhe tërë institucioneve të tjera të rëndësishme, të përpunohen e zbatohen strategji të dedikuara për çdo vend apo grup vendesh, të cilat duhet të përmbajnë objektiva, projekte dhe propozime specifike, konkrete e serioze.
Në vija të përgjithshme do të përmendja tre elemente të domosdoshme:
a. ‘Shopping lists’ me objektivat dhe interesat konkrete specifike e konkrete;
b. Lista të subjekteve influente që duhen kontaktuar, sensibilizuar, tërhequr e afruar;
c. Kalendar i veprimeve dhe veprimtarive të parashikueshme dhe të planifikuara për realizimin e objektivave tona.
4.Në përvojën tuaj si ambasador në Çeki, çfarë instrumentesh u përdorën si pjesë e një diplomacie ekonomike?
Gjatë periudhës kur kam ushtruar funksionin e Kreut të Ambasadës në Çeki, marrëdhëniet midis dy vendeve tona përjetuan një periudhë të vështirë të krijuar nga ngërçi i krijuar nga çështja e CEZ. Kjo situatë fatkeqësisht përkoi edhe me një periudhë kufizimesh të ndjeshme të fondeve dhe burimeve njerëzore. Rrjedhimisht, kuptohet që kryesisht për arsye politike, por edhe për arsye objektive teknike, ushtrimi i një diplomacie ekonomike aktive dhe efektive ishte tepër i vështirë.
Në këto kushte përpjekjet tona u drejtuan kryesisht në promovimin e vlerave të Shqipërisë dhe elitës së shqiptarëve që jetojnë në Republikën Çeke, duke luftuar klishetë negative që ekzistonin apo që propagandoheshin për arsye të caktuara nga disa media. Gjithsesi do të thosha që me gjithë vështirësitë dhe burimet e limituara për tërheqjen e investitorëve dhe financimeve të rëndësishme në fusha strategjike, mendoj se arritëm të ruanim një klimë pozitive, të vendosnim dhe ruanim disa kontakte, të krijonim një bazë të mirë nga ku në vitin 2014 nisi ‘bum’ i marrëdhënieve dhe i ardhjeve të turistëve çekë në Shqipëri./Monitor
Fraksion.com