A kanë nevojë kompanitë për një “përfaqësues etike”?
Ata mendojnë se kompania gjermane e prodhimit të makinave po lëviz shumë ngadalë, pohim ky i konfirmuar edhe nga Hiltrud Werner, përfaqësuesja e etikës të Volkswagen për Financial Times.
Përfaqësues etike? Kjo tingëllon disi e çuditshme, kur kemi të bëjmë me një kompani që sapo ka paguar 25 miliardë dollarë dëmshpërblim, si pasojë e mashtrimit në testet e emetimeve dhe ndaj drejtuesit ekzekutiv të mëparshëm të së cilës u hodhën akuza të shumta se ishte në dijeni të këtij fakti. A do të thotë që ekzistenca e pozicionit të znj. Werner në këtë kompani, ta përjashtojë të gjithë pjesën tjetër të bordit të kompanisë nga të menduarit në lidhje me etikën?
Bota e korporatave është e mbushur me tituj misteriozë. Nga një kërkim i shpejtë në LinkedIn ne u ndeshëm me shumë tituj të çuditshëm, ku mund të përmendim për shembull “shef i lumturisë”, etj. Por si integriteti, ashtu edhe etika, janë çështje delikate në ditët e sotme.
Nëse do të shikonim në faqen e rekrutimit të Glassdoor për pozicionin e përfaqësuesit të etikës, aty dalin të renditura 426 aplikime.
Ndërsa nëse do të kërkonim për një shef të etikës, një pozicion i cili mori famë veçanërisht pas skandalit WorldCom dhe Enron, numri i aplikantëve është më i madh, duke shkuar në 667.
Ky trend ka shënuar rritje në tre ose katër vitet e fundit, veçanërisht pasi qeveritë lokale, organizatat bamirëse dhe korporatat shumëkombëshe kanë marrë vlerësime dhe janë lavdëruar që kanë caktuar një përfaqësues të integritetit ose kanë krijuar një zyrë të etikës. Kjo është e përhapur kryesisht në kompani të tilla si banka amerikane Wells Fargo, e cila krijoi një zyrë të etikës, pasi u përfshi në skandalin e llogarive të rreme në fundvitin e 2016-s.
Sipas disa ekspertëve, një person përgjegjës për kulturën e kompanisë është shumë kuptimplotë. Ligjet aktuale antikorrupsion kërkojnë që kompanitë të punojnë në mënyrë aktive për të parandaluar marrjen e ryshfeteve, pastrimin e parave dhe sjelljet e tjera të pahijshme dhe vendosja e një ekzekutivi të nivelit të lartë është një prej mënyrave më të mira për të demonstruar angazhimin e duhur në këtë drejtim. Por që mbi të gjitha edhe mund të funksionojë.
“Unë kam shqyrtuar më shumë se 50 çështje penale si hetues”, thotë Antonino Vaccaro, një profesor i asociuar i etikës së biznesit në IESE. “Pothuajse në të gjitha rastet, problemi kryesor kanë qenë vlerat organizative”. Nëse ju keni një organizatë të shëndetshme dhe vjen një mollë e krimbur, atëherë ajo dallohet lehtësisht ndër të tjera, prandaj ose do t’i përshtatet kulturës së kompanisë ose do të dëbohet.
Por sipas Richard Bistrong, një konsulent i etikës dhe pajtueshmërisë, krijimi ose riemërtimi i një pozicioni nuk do të ndikojë në riformësimin e kulturës së një kompanie.
Liderët e biznesit duhet të përfshijnë përfaqësuesin e integritetit në marrjen e vendimeve, në mënyrë që edhe punonjësit e tjerë ta vënë re këtë dhe të kuptojnë rëndësinë e pozicionit të tyre. Sigurisht që shembulli i Volkswagen në këtë drejtim nuk është ndoshta i duhuri, sepse rrugëtimi i kompanisë në drejtim të frontit të etikës nuk ka qenë i lehtë.
Përfaqësuesi i saj i parë i integritetit, një ish-gjyqtar, jep dorëheqjen pas një viti në këtë pozicion si pasojë e mosmarrëveshjeve në lidhje me rolin e saj. Por në ndryshim, qëndrimi i znj. Werner ka qenë më i gjatë se kaq. Ajo është anëtare e bordit drejtues dhe mbikëqyr 500 persona.
Zëdhënësi i saj, Andreas Meurer, argumenton se prania e saj si pjesë e bordit është një ndihmë e madhe për të ngritur zërin e integritetit në çdo vendim që merret. Ky është një proces i mirëfilltë, që duhet të drejtohet dhe nuk mund kurrsesi t’i lihet rastësisë.
Në disa kompani, pozicionet e përfaqësuesit të etikës nuk zgjasin shumë. Kështu për shembull, zyra e etikës së Wells Fargo zgjati më pak se gjashtë muaj përpara se të shndërrohej dhe të quhej “menaxhimi i sjelljes”. Që atëherë, banka ka zbuluar sjellje të pahijshme në sektorin e sigurimeve, kredive, te kartat e kreditit, etj. Ndoshta të pasurit e një lideri të dobët ose joefikas është më keq sesa të mos kishit fare një të tillë.
Fraksion.com