Life StyleTë fundit

Shumë shpejt, modelet më të bukura të botës nuk do të jenë njerëzore

Mikela ka 1.3 milionë ndjekës dhe është një nga 25 figurat më me ndikim në internet. Shudu është një supermodele që vetëm me 26 publikime arriti 130 000 ndjekës. Asnjëra nga këto të dyja nuk është njeri. Të dyja janë avatar që besohet se mund të ndryshojnë përgjithmonë industrinë e modës.

Me një filtër të Snapchat-it njerëzit realë mund të duken jo realë. Nga ky këndvështrim ishte çështje kohe që njerëzit jorealë të dukeshin realë. Lil Mikela për shembull ka 1.3 milionë ndjekës në Instagram, vetëm se nuk është një njeri, është modele virtuale që ka dalë nga software –i i startup-it të Los Angeles-it, “Brud” i specializuar në inteligjencën artificiale dhe robotikë.  Dukuria tjetër më e fundit, Shudu që ka 130 000 ndjekës është supermodelja e parë digjitale e botës e krijuar nga Cameron-James Wilson në Londër. Është një vajzë e lindur në Afrikë me një bukuri kaq të spikatur, saqë fotografi i modës deklaroi që nuk ishte një njeri kur fotoja e saj u bë virale. Shudu është një nga tri modelet, e alienizuar që ofron agjencia e Wilson-it, “The Diigitals”. Megjithatë ka shumë si ajo.

Që nga prilli, “Irmaz Models” u promovon njerëzve stafin e vet me modele alternative të një realiteti të imagjinuar. Agjencia shprehet se modelet e saj digjitale kurrë nuk diskutojnë, kurrë nuk hanë dhe nuk lodhen. Ajo ka 12 modelë, 3 nga të cilët avatarë mashkullorë. Markat mund të specifikojnë deri se çfarë look-u kërkojnë si p.sh etninë, gjininë dhe krehjen. Sipas “The Washington Post” këto dy modele janë vetëm fillimi i revolucionit të avatarëve. Disa druhen se kjo valë modelesh digjitale do të verë më në presion njerëzit, në veçanti femrat që do t’i shohin si një version ekstrem dhe sintetik të bukurisë. Sipas Wilson-it modelet e tij kanë lëkurë të zezë, linja femërore, rrudha fine dhe strije, detaje realiste këto që lejojnë promovimin e diversitetit dhe pranimit të bukurisë natyrore. Zëra të tjerë kontradiktorë lidhen edhe me etninë pasi e konsideruan një shfrytëzim të një modeli të zi pa punuar me të, si dhe një këndvështrim racist i ekzotizmit.

Sipas një profesoreshe të psikologjisë në universitetin e Northwestern, Renee Engeln ka burra dhe gra të madhësive dhe të etnive të ndryshme, nëse bëhet fjalë për diversitetin racor. “Nuk mund të jetë gjë e mirë kjo për shëndetin e femrave,” – u shpreh specialistja. – “Të blesh nga femrat që nuk janë njerëzore më duket një shaka jo fort me kripë.” Përpos komenteve artisti 29 vjeçar i promovon këto modele si individë realisht unikë. Një modele 3D nuk mund të ecë në një pasarelë, por mund të jetë fytyra digjitale për shërbimin ndaj klientit, – u shpreh Wilson.  Mikela ka promovuar rroba për Maison Margiela dhe Prada, filma për Hollywood-in, një hotel luksi  dhe Barneys Beverly Hills. Është 19 vjeçe me origjinë braziliane dhe spanjolle, jeton në Los Angeles, është muzikante dhe ka nxjerrë këngë në Spotify dhe ka fituar admirimin e millennials dhe të Gen Z. Shudu është më e madhe, 25 vjeç.

Ka si objektiv merkaton e luksit. Një model mund të kushtojë mijëra dollarë dhe kërkon qindra orë prodhimi. Pavarsisht se ka detaje realiste si refleksi i dritës në sy apo ndonjë fije floku të çrregullt, artisti thotë që këto modele nuk i lënë pa punë modelet njerëzore. Sipas Kelvin Boon, pronari i agjencisë “Boon Models” modelet e krijuara nga kompjuteri do të prekin shumë industrinë. Që nga perspektiva e markës që nuk do të paguajë mijëra dollarë modelet dhe fotografët për një imazh kur mund të kontaktojë thjesht me një artist digjital. Njerëzit nuk kapen shumë pas vizatimeve të animuara, por avatarët ngjajnë me njerëz realë dhe kjo do të prekë agjencitë e modelingut. Markat kanë nevojë vetëm për modele njerëzore në evenimente dhe në sfilata. Wilson mendon se mund të ketë edhe një sistem hibrid: Gisele Bündchen dhe Kim Kardashian në një të ardhme të afërt mund të liçencojnë personazhet e veta digjitale, çka do të lejonte prezantime të njëkohshme p.sh. në Nju Jork dhe Shangai.

 

Fraksion.com