AktualitetTë fundit

Shqiptarët nuk e marrin seriozisht “Sigurinë”, pasojat që vijnë nga indiferenca janë serioze

Shoqëria jonë ende nuk ka njohje dhe vlerësim korrekt për çështjet e sigurisë, pavarësisht se përvoja ka treguar dhe na ka mësuar se pasojat që vijnë nga indiferenca apo formimi i pamjaftueshëm në këtë fushë, shpesh janë serioze, duke kërkuar kosto të mëdha për t’u rikuperuar.

 

Nga Roland Tashi

 

Po të vëzhgojmë thellë historinë, që nga fillesa e njerëzimit, kuptojmë që nevoja për të qenë i mbrojtur dhe i sigurt gjendet në vendin e dytë në piramidën e shkallëzimit të nevojave njerëzore, ajo vjen menjëherë pas plotësimit dhe garantimit të mbijetesës. Koncepti instiktiv i “sigurisë”, ishte në të vërtetë përpjekja dhe puna që kryhej për të arritur një gjendje, e cila vlerësohej e parrezikshme.

Sot, “Siguria” konsiderohet si kryefjala, fjala kyçe e të gjitha veprimtarive njerëzore individuale, duke qenë e kërkuar dhe e nevojshme në të gjithë segmentet e shoqërisë, në strukturat, organizatat publike dhe jo vetëm, pasi mungesa e saj nënkupton një rrezik të drejtpërdrejtë dhe me peshë vitale në çdo vendimmarrje.

Në terminologjinë e përditshme, me termin “siguri”, kuptojmë qëndrueshmëri, një proces të sigurt që operon normalisht sipas një destinacioni të caktuar, qetësi, si dhe garancinë për të qenë i mbrojtur. Shërbimi i sigurisë ka të bëjë pikërisht me organizimin, ruajtjen, vështrimin e parashikimin me qëllim parandalimin e një situate jonormale, për të cilën është i interesuar një individ apo subjekt i caktuar. Për këtë natyrë shërbimi janë të interesuara jo vetëm strukturat shtetërore, por edhe institucionet e tjera jopublike, të cilat tashmë janë kthyer në subjekte vitale për zhvillimin ekonomik të vendit.

“Siguria” si proces, së bashku me produktet e saj, nisi të bëhej e njohur, madje shumë e kërkuar, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore, pasi organet shtetërore dhe sidomos ato ligjzbatuese nuk funksiononin normalisht për arsye të problematikave të mëdha që krijoi lufta. Pamundësia e strukturave shtetërore të cilat duhet të angazhoheshin me problemin e sigurisë njerëzore, sigurisë së institucioneve deri në nivelin e sigurisë kombëtare, e orientoi Europën në zhvillime të ngjashme, si në Amerikë, ku ndryshimet sociale, rritja e nivelit të krimit kushtëzoi dhe favorizoi edhe krijimin e strukturave të sigurisë të pavarura nga shteti, ato që tashmë njihen si kompani apo shoqëri të sigurisë private të sigurisë.

Në rast se u referohemi shërbimeve të inteligjencës, me “Siguri” kuptojmë veprimtarinë që konsiston në grumbullimin e të dhënave ose informacionit për veprimtari që cenojnë ose synojnë të cenojnë sigurinë fizike të personelit, të informacionit, të rrjeteve të komunikimit, shkëmbimit, transmetimit të informacionit të klasifikuar “sektet shtetëror” ose të NATO-s.

 

Siguria sot konsiderohet shkencë

Nisur nga të gjithë këta faktorë, historikë dhe shoqërorë, të cilët janë të lidhur ngushtë me natyrën, ndryshimet, ekspozimin e individit ndaj rreziqeve të mundshme, si dhe diversitetin dhe potencialin që ai shfaq, siguria sot konsiderohet shkencë. Kjo shkencë studion rrezikun, nivelin e tij, format dhe mënyrat si ai mund të shfaqet me qëllim njohjen, kontrollin, bllokimin apo reduktimin e pasojave të tij.

Është shumë e rëndësishme të kuptohet se pavarësisht masave të marra, asnjëherë nuk mund të pranohet koncepti se rreziku nuk ekziston apo mund të shmanget tërësisht. Kjo lidhet me faktin se rreziku shfaqet në variante, forma dhe mënyra të pafundme dhe të paparashikueshme, prandaj është e nevojshme të kultivohet si dhe të përhapet mendësia dhe kultura e reduktimit të rrezikut dhe pasojave të tij. “Rrezik” vlerësohet kapaciteti, mundësia që mbart një situatë, një gjendje, veprim apo një veprimtari për të shkaktuar dëmtime, humbje, pasoja apo ngjarje të padëshirueshme.

Baza për të konceptuar një sistem sigurie, duhet të jetë pasojë e analizës së detajuar të elementeve dhe funksioneve të rrezikuara. Konceptimi i nevojës për siguri dhe mbrojtje të pjesshme, ndikon dhe kushtëzon organizimin e përgjithshëm të sigurisë. Duhet kuptuar se sa më e gjerë të jetë baza e analizës së faktorëve, ngjarjeve, përvojave të mëparshme apo atyre bashkëkohore, aq më cilësor bëhet organizimi dhe funksionimi i strukturave që do të angazhohen me problemet e sigurisë. Strukturat e sigurisë, pavarësisht institucionit, subjektit ku ato veprojnë, është e nevojshme të bashkëveprojnë ngushtë edhe me organet ligjzbatuese të shtetit për të gjitha ato probleme të cilat mund të ndikojnë në popullsinë, ekonominë dhe sigurinë e vendit.

Në nivelin ndërkombëtar ekzistojnë tre terma për të konceptuar sigurinë; – safety; koncept i cili i referohet sigurisë së individit, konsiston në marrjen e masave për parandalimin, mbrojtjen nga aksidentet, fizike dhe morale, direkte dhe indirekte si pasojë e proceseve dhe pakujdesive në punë; – security; koncept i cili studion dhe administron masat e nevojshme që duhen marrë për parandalimin e ngjarjeve, mbrojtjen fizike të institucioneve, objekteve, mbrojtjen e informacioneve të rezervuara dhe sekrete të arkivuara fizikisht apo të ruajtura në sistemet dhe arkivat elektronike, njohjen e rrezikut me qëllim shmangien e pasojave, si dhe formimin, informimin dhe trajnimin e punonjësve për përballimin e situatave të krijuara, – emergency: koncept i cili i referohet të gjitha veprimtarive individuale dhe sociale që planifikohen dhe aplikohen në rastet kur masat e marra për të garantuar sigurinë janë të pamjaftueshme. Strukturat që veprojnë për vendosjen dhe qëndrueshmërinë e “sigurisë” gjatë emergjencave, janë institucionet e shtetit, si policia, zjarrfikëset, ndihma e shpejtë, mbrojtja ushtarake, civile, etj.

Konceptimi

Baza për të konceptuar një sistem sigurie, duhet të jetë pasojë e analizës së detajuar të elementeve dhe funksioneve të rrezikuara. Konceptimi i nevojës për siguri dhe mbrojtje të pjesshme, ndikon dhe kushtëzon organizimin e përgjithshëm të sigurisë

 

Vlerësim i pakët për çështjet e sigurisë

Duke ju referuar praktikave dhe veprimtarisë së përditshme, vërehet se shoqëria jonë ende nuk ka njohje dhe vlerësim korrekt për çështjet e sigurisë, pavarësisht se përvoja ka treguar dhe na ka mësuar se pasojat që vijnë nga indiferenca apo formimi i pamjaftueshëm në këtë fushë, shpesh janë serioze, duke kërkuar kosto të mëdha për t’u rikuperuar.

Duhet kuptuar se siguria, pavarësisht subjektit, institucionit, vendit, territorit apo shtetit, si objekt kryesor, efekt përfundimtar ka pasur dhe do të ketë njeriun, mbrojtjen e tij, duke përcaktuar rreziqet që atij mund t’i shfaqen, si dhe duke vepruar për eliminimin e tyre nëpërmjet një organizimi të përshtatshëm të shoqëruar me masa efektive. Siguria nuk mjaftohet vetëm me mbrojtjen, sigurinë individuale, sigurinë kolektive dhe disponimin e teknikës së nevojshme, por në radhë të parë, me një përdorim dhe koordinim korrekt dhe efikas të tyre.

Në këtë kontekst, nuk duhet përjashtuar në asnjë rast roli që luan individi, i cili përbën një potencial të rëndësishëm për sigurinë, por është shumë e rëndësishme të theksohet nevoja që ata kanë për t’u formuar, për t’u informuar, për t’u trajnuar e për t’u përgatitur në mënyrë të vazhdueshme. Në Europë, çështja e “Continuing Training” (Formimit të vazhdueshëm) dhe rritjes së investimeve për sigurinë, përbën një problem dhe angazhim shumë konkret të institucioneve dhe subjekteve të interesuara.

Cikli i sigurisë

Cikli i sigurisë përbëhet nga tre momente kryesore, të cilat mund të përmblidhen si më poshtë;
Analiza; përmbledh bazën legjislative dhe normative të veprimtarive dhe proceseve që do të organizohen.
Masat; parashikojnë dy grupime të mëdha, ato që lidhen me masat parandaluese dhe ato që lidhen me masat mbrojtëse. Masat mund të jenë aktive, pasive, strukturore, administrative dhe disiplinore.

Menaxhimi; është procesi që duhet ta mbajë aktive dhe ta rrisë nivelin e sigurisë, nëpërmjet studimeve të ndryshme të proceseve të ekspozuara dhe rrezikuara, përditësimit të masave të marra, formimit, informimit dhe trajnimit të burimeve njerëzore, mirëmbajtjes së sistemeve, hartimit të planeve të sigurisë, planeve të evakuimit dhe stërvitjes. Përmirësimi dhe rritja e nivelit të sigurisë duhet të bazohet mbi analizën e gjendjes dhe situatave reale, duke mos u mjaftuar vetëm tek analizat dhe studimet e kryera pas një ngjarje të ndodhur. Siguria mbështetet në parimin klasik se masat që kanë qëllim parandalimin, kanë kosto shumë herë më të favorshme se pasojat.

Shërbimet sigurisë përmbushin detyra të përcaktuara në aktet ligjore dhe normative, duke vendosur rregulla nëpërmjet urdhrave, udhëzimeve, procedurave të cilat kanë si qëllim kryesor sigurinë fizike të personelit, të informacionit, të rrjeteve të komunikimit, shkëmbimit, transmetimit të informacionit të klasifikuar si dhe mbrojtjen e pronës dhe aseteve të ndryshme civile dhe ushtarake./Monitor

 

Fraksion.com