Vuçiç, në Kosovë më 9 shtator: Kufijtë na i kanë përcaktuar fuqitë perëndimore
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç ka konfirmuar vizitën e tij në Kosovë më 9 shtator.
“Kemi një territor të përcaktuar nga ana e fuqive perëndimore, që shkon kundër nesh”, citohet të ketë thënë Vuçiç. “Kufijtë në Jarinjë dhe Bërnjak janë vendosur përfundimisht në vitin 2011, ne i quajmë kalime administrative sepse nuk i njohim, por nuk mund të hyjmë në Kosovë e të mos e kalojmë këtë kufi”, ka shtuar ai.
Kreu i shtetit serb, sidoqoftë theksoi se qëllimi kryesor i Beogradit është ruatja e paqes në Kosovë. Më herët, Vuçiç pati komentuar pa tone të ndezura deklaratën e Kancelares gjermane, Angela Merkel, që kundërshtonte rishikimin e kufijve, duke theksuar se qëndrimi i Perëndimit pro shtetit së Kosovës dhe territorit të saj nuk është gjë e re.
Mbi situatën e krijuar së fundi dhe rreziqet e ndarjes në Ballkan ka shprehur mendimin e tij edhe analisti i njohur Janusz Bugajski.
Përmes një artikulli të botuar në “CEPA”, Qendra për Analizat e Politikës Europiane në Uashington, Bugajski thotë se Uashingtoni dhe Brukseli po shohin nëse Prishtina dhe Beogradi janë në gjendje të gjejnë vet një zgjidhje përfundimtare.
“Gushti është muaji më i mirë për thashetheme, por nganjëherë në Ballkan thashethemet marrin drejtim të paparashikuar dhe njerëzit veprojnë në bazë të tyre”, shprehet Bugajski.
Sipas analistit, duket se Shtetet e Bashkuara janë duke përdorur si taktikë lënien e lirë të Beogradit dhe Prishtinës në bisedime, për të parë nëse mund të arrihet një zgjidhje dypalëshe midis dy qeverive. Bugajski mendon se, pikërisht marrëveshja Maqedoni-Greqi mund të ketë dhënë shtysën për një qasje të tillë.
Fraksion.com