Rama: 360 gradët e Parkut të rilindur Kombëtar të Divjakës
Parku Kombëtar i Divjakës është transformuar në një destinacion turistik gjithnjë e më i vizituar nga shqiptarë e të huaj.
Përmes rrjetit social “Facebook”, Kryeministri Edi Rama shpërndau një video me pamje nga parku i rilindur i Divjakës.
“Mirëmëngjes dhe me këto pamje 360 gradë të Parkut të rilindur Kombëtar të Divjakës, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një zonë e mbrojtur në zonën bregdetare të Shqipërisë, që përbëhet nga ekosisteme komplekse, shumë të pasura në biodiversitet dhe burime natyrore.
Parku është shpallur si zonë e mbrojtur natyrore për shpendët e ujit, si ligatinë me rëndësi ndërkombëtare sipas Konventës së Ramsarit, që nga viti 1995.
Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta gjendet 90 km nga kryeqyteti i Tiranës, 60 km nga Durrësi qyteti-port më i madh, dhe 80 km nga Aeroporti Ndërkombëtar i vetëm në Shqipëri. Ai kufizohet nga lumi Shkumbin në veri, nga kodrat e Divjakës në Lindje, nga kanali i Myzeqesë dhe lumi Seman në jug, dhe laget nga deti Adriatik në perëndim.
Zona e parkut kombëtar Divjakë-Karavasta është zona më e rëndësishme komplekse e Shqipërisë për sa i përket biodiversitetit.