AktualitetBota+Të fundit

Presidenti Trump anulon paradën ushtarake të nëntorit

Presidenti Trump njoftoi sot se e anuloi paradën ushtarake të planifikuar për në nëntor, për shkak të kostos së lartë dhe njoftoi se në vend të saj do të shkojë në Paris për të marrë pjesë në ceremonitë në kujtim të përfundimit të Luftës së Parë Botërore.

Presidenti e kërkoi zhvillimin e paradës për të nderuar trupat amerikane me rastin e 100 vjetorit të Luftës së Parë Botërore, pasi u kthye nga ceremonitë me rastin e festës kombëtare të Francës ku mori pjesë vitin e kaluar.

Por dje, zyrtarët thanë se kostoja e një parade të tillë mund të shkonte në 90 milionë dollarë, gati tre herë më shumë se sa vlerësimi fillestar i Shtëpisë së Bardhë. Pas kësaj Departamenti i Mbrojtjes vendosi që ta shtynte paradën.

Kritikët ishin shprehur kundër një parade në Uashington, duke ngritur shqetësime për koston e lartë dhe duke thënë se nuk ka nevojë për të, në një kohë që Pentagoni po punon për të stabilizuar gjendjen e ushtrisë për shkak të pjesmarrjes në operacione të shumta.

Paradat ushtarake në Shtetet e Bashkuara janë të rralla dhe historikisht janë organizuar vetëm për të shënuar fundin e ndonjë lufte. Në vitin 1991, tanket dhe mijëra trupa parakaluan në Uashington për të festuar përfundimin e Luftës së Gjirit./VOA

 

Fraksion.com