Financat: Tender 15 milionë euro për përmirësimin e sistemit të menaxhimit të kontrollit të faturimit
Ministria e Financave ka njoftuar se Administrata Tatimore do të aplikojë së shpejti një sistem të ri teknologjik të faturimit. Projekti i fiskalizimit synon krijimin e një sistemi on line të mbikqyrjes në kohë reale të pajisjeve fiskale si për pagesat në cash për transaksionet biznes-konsumatorë, ashtu edhe për transaksionet biznes-biznes.
Për këtë arsye, më herët, Agjencia Kombëtare e Shërbimit të Informacionit (AKSHI) ka hapur një tender, përfituesi i të cilës do të jeë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Qëllimi i tenderit është krijimi i Sistemit të Menaxhimit dhe Kontrollit të Faturave (MKF), që është një grup i procedurave dhe mjeteve ligjore, organizative dhe teknike, qëllimi kryesor i të cilave është kontrolli i transaksioneve me pagesa me para në dorë dhe pagesa me para jo cash.
Fondi limit është 1.87 mld lekë (rreth 15 milionë euro) do të financohet gjatë viteve 2018- 2022 nga fondet e Buxhetit të Shtetit. Synimi i këtij projekti është “Krijimi i një sistemi të mbikëqyrjes në kohë reale të pajisjeve fiskale që operojnë me para në dorë dhe atyre jo cash, në mënyrë që të ulet evazioni fiskal dhe mashtrimi tatimor. Qëllimi përfundimtar i këtij projekti është rritja e të ardhurave buxhetore dhe zbatimi i kontrollit efektiv mbi transaksionet cash dhe jo cash në Republiken e Shqiperise”, sipas dokumentacionit të tenderit.
Një element i tenderit është gjurmimi i pasurive të tatimpaguesve. “Qëllimi i këtij nënsistemi “Pasuria e tatimpaguesit” është të krijojë një sistem unik për monitorimin e pasurisë së tatimpaguesve, parandalimin e evazionit fiskal, rritjen e efikasitetit të mbledhjes së tatimit dhe automatizimin, përmirësimin dhe shumëllojshmërinë e procesit të mbledhjes së tatimit nga pasuria”, thuhet në dokumentet e tenderit.
Financat: Çfarë do sjellë sistemi i ri
Ministria e Financave ka bërë të ditur në një njoftim për shtyp se sistemi i ri, ndryshe nga ai aktual i ndërtuar në vitin 2010, do të lidhet edhe me modulin aktual të manaxhimit të riskut në tatime e më pas edhe në dogana, për të mundësur një analizim më të thellë të përgjegjësive fiskale të subjekteve dhe transaksioneve individuale të bizneseve.
Aktualisht pajisjet fiskale transmetojnë të dhëna në sistemin qendror nëpërmjet GPRS, në fund të ditës së punës, kur mbyllet kasa manualisht. Sistemi aktual është i centralizuar; nuk identifikon kuponin në kohë reale, por transmeton vetëm totalin e xhiros dhe numrin total të kuponëve të printuar nga çdo pajisje fiskale një herë në ditë. Në të njëjtën kohë, me sistemin aktual mungon një analize e detajuar për menaxhimin e riskut dhe kontrollit; nuk identifikohen faturat e lëshuara në mënyrë elektronike biznes-biznes dhe faturat me blloqe për shkak të mos-deklarimit të shitësit dhe blerësit, elemente këto të domosdoshme për efektivitetin e punës së administratës tatimore.
Sistemi i ri, përveç se adreson këto mangësi, sjell edhe disa risi të rëndësishme:
- Është një sistem gjithëpërfshirës që mbulon transaksionet Biznes-Konsumatorë (B2C) dhe Biznes-Biznes (B2B);
- Do të mundësojë monitorim më të mirë të të gjithë tatimpaguesve dhe auditimit të synuar, zvogëlimin e kostove administrative dhe rritjen e efikasitetit të Administratës Tatimore;
- Do të mundesojë plotesimin automatik të formularëve që tatimpaguesit duhet të dorezojnë pranë autoriteteve tatimore (librat e shitjes dhe blerjes, apo të para-plotësojë fusha të caktuara të deklaratës së TVSH);
- Në transaksionet B2B, do të jetë e mundur që blerësi të përcaktojë menjëherë nëse furnizuesi është me të vërtetë një pagues tatimor i TVSH-së.
Projekti i fiskalizimit është një tjetër hap i rëndësishëm në procesin e dixhitalizimit të administratës fiskale, në favor të rritjes së kapaciteteve dhe përmirësimit të efikasitetit të mbledhjes së të ardhurave dhe uljes së evazionit fiskal si dhe transformimit në të njëjtën kohë të marrëdhënies dhe bashkëveprimit mes administratës fiskale dhe tatimpaguesve./Monitor
Fraksion.com