AktualitetEkonomiTë fundit

Eksportet në ngadalësim; Rriten 16.7% për 7-mujorin, dobët tekstilet e këpucët

Eksportet kanë vijuar tendencën e tyre rritëse edhe në korrik, megjithëse ritmet e rritjes janë ngadalësuar ndjeshëm, duke u zgjeruar me 7.9%, nga rritja dyshifrore e muajve të mëparshëm.

Kjo ka bërë që për 7 mujorin, shitjet e mallrave e produkteve jashtë vendit të ngadalësohen në 16.7%, nga 18.3% që ishte zgjerimi për 6-mujorin, duke treguar se performanca e mirë e muajve të mëparshëm ishte më shumë nga faktorë rastësore si energjia elektrike e nxitur nga reshjet, sesa pasojë e një zhvillimi të qëndrueshëm të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë shqiptare. Pothuajse të gjitha grupet kanë shfaqur ngadalësim të rritjes në korrik në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Efektin kryesor në këtë ngadalësim e ka dhënë zëri i “mineraleve, lëndëve djegëse e energji”, grup që kishte udhëhequr rritjen gjatë muajve të mëparshëm, i nxitur nga Bankers Petroleum, eksportuesi më i madh i naftës në vend, por dhe nga energjia elektrike, eksportet e të cilës u shtun si pasojë e motit me reshje në muajt e parë të vitit. Ky grup u ngadalësua në korrik dhe për 7 mujorin rritja ishte 24.8% (nga 34% për 6 mujorin), duke arritur në 34.5 miliardë lekë.

Shitjet jashtë vendit të “tekstileve dhe këpucëve”, grupi më i madh i eksportuar në vend, arritën në 75.4 miliardë lekë, me një zgjerim vjetor prej 7.4% për periudhën janar-korrik. Edhe ky grup shfaqi ngadalësim, pasi ishte zgjeruar me  9.3% për 6-mujorin e parë të vitit. Në korrik, eksportet e tekstileve u rritën vetëm me 1%, ritmet më të ulëta në dy vjet.

Eksportuesit e tekstileve e këpucëve janë ankuar vazhdimisht për efektin negativ që po vjen nga zhvlerësimi i euros, që aktualisht është stabilizuar në 126 lekë, nga 134 lekë që ishte mesatarja e vitit të kaluar dhe rreth 139-140 lekë që këmbehej mesatarisht në periudhën 2010-gjysma e parë 2016. Pavarësisht efekteve të kursit, industria vijon t’i gëzohet një kërkese të lartë nga partnerët e huaj.

Grupi i tretë më i madh i eksporteve “materiale ndërtimi dhe metale” ka vijuar me tendencën pozitive, i ndikuar nga riaktivizimi i kompanisë së prodhimit të çelikut, Kurum, tek e cila ka funksionuar procesi i falimentit për efekt ristrukturimi, i nisur në mars 2016. Tashmë kompania, sipas burimeve të saj po shlyen normalisht kreditë dhe i është rikthyer tregjeve të huaja, teksa më shumë se gjysma e prodhimit po eksportohet,  ku vendin kryesor e zë Kosova, e ndjekur nga Mali i Zi, Maqedonia e më pak në Serbi. Eksportet e këtij grupi arritën në 31.8 miliardë lekë, me një rritje prej 22%edhe ky në ngadalësim në krahasim me zgjerimin prej 28.6% për 6 mujorin).

Eksportet e “ushqime, pije e duhan” u rritën me 10.2% (nga 14.9% për 6 mujorin) duke arritur në 18 miliardë lekë.

Pozitive ka qenë dhe ecuria e grupit “makineri, pajisje e pjesë këmbimi”, që u rrit me 17%, për të arritur në 10 miliardë lekë për 7 mujorin. Janë dy kompani gjermane të cilat punojnë me systemin e materialit të porositësit për prodhimin e sistemit të kabllove për autobusët, Forschner, që ka filluar punë në vitin 2015 dhe PSZ Albania, që ka hapur fabrikën në Shqipëri në vitin 2012, duke sjellë një rritje të ndjeshme të eksporteve të grupit “Tela, kabllo, përcjellës etj.”.

Kompania Forschner ndërkohë po punon për zgjerimin me ndërtimin e një fabrike të dytë me një sipërfaqe prej 25-30 mijë metrash katrorë (për vetë proceset e punës kërkohen ambiente të mëdha). Investimi pritet të jetë në total rreth 13.5 milionë euro (7.5 milionë euro për ambientet dhe pjesa tjetër për pajisjet), që do të hapë edhe 1200 vende të tjera pune.

Ulet deficiti

Sipas publikimit të INSTAT, në shtatëmujorin e parë të vitit 2018, eksportet e mallrave arritën vlerën 185 mld lekë, duke u rritur me 16,8 %, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 367 mld lekë, duke u rritur me 4,8 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 182 mld lekë, duke u ulur me 5,0 %, krahasuar me 2017.

Kontributi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të eksporteve:

Rritja vjetore e eksporteve prej 7,9 %, këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me +4,2 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +2,8 pikë përqindje, “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” me +1,1 pikë përqindje“. Në ndryshimin vjetor të eksporteve ka ndikuar negativisht grupi: “Ushqime, pije, duhan” me -0,8 pikë përqindje.

Eksportet, gjatë këtij shtatëmujori janë rritur me 16,8 %, krahasuar me një vit më parë. Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, janë: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +5,4 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +4,5 pikë përqindje,“Tekstile dhe këpucë” me +3,5 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të eksporteve ka ndikuar negativisht grupi: “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” me -0,02 pikë përqindje.

Kontributi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të importeve:

Rritja vjetore e importeve prej 5,4 %, këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +1,7 pikë përqindje, “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” me +1,5 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +1,2 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të importeve ka ndikuar negativisht grupi: “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” me -0,5 pikë përqindje.

Ecuria e tregtisë së mallrave sipas vendeve partnere

Sipas raportit të INSTAT, në muajin Korrik 2018, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Korrik 2017 janë: Italia (6,2 %), Kosova (48,6 %) dhe Gjermania (10,7 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Spanja (-23,6 %), Greqia (-2,4 %) dhe Kina (-56,1 %).

Gjatë këtij shtatëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (5,3 %), Kosova (17,8 %) dhe Spanja (71,7 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Kina (-27,5 %), Turqia (-13,6 %) dhe Ukraina (-52,5 %).

Në muajin Korrik 2018, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me Korrik 2017 janë: Kina (19,0 %), Turqia (1,4 %) dhe Gjermania (0,2 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (-8,6 %), Greqia (-11,5 %) dhe Spanja (-14,9 %).

Gjatë këtij shtatëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (1,0 %), Greqia (3,6 %) dhe Turqia (2,7 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Gjermania (-2,3 %), Spanja (-0,6 %) dhe Shtetet e Bashkuara (-3,2 %)./Monitor

 

Fraksion.com