Deputeti i PS-së informoi Shullazin për hetimet e prokurorisë: “E kemi keq punën”
Pas një hetimi të nisur kryesisht në shkurt të 2016, prokuroria për Krime të Rënda vuri nën përgjim dhe vëzhgim Emiljano Shullazin dhe miqtë e tij. Mes dhjetëra telefonatave të përgjuara, dy prej tyre tërhoqën vëmendjen e prokurorëve. Në rrjetën e përgjimit, kishte rënë Jurgis Çyrbja, ish-zyrtar i lartë i hipotekës në Durrës, aktualisht deputet i Partisë Socialiste.
Referuar dosjes hetimore rezulton se menjëherë sapo një oficer i policisë gjyqësore shkoi në zyrat e hipotekës në Durrës për të sekuestruar praktikën e regjistrimit të ish-hotel Vollgës, Çyrbja telefonon Gilmando Danin, i konsideruar si krahu i djathtë i Shullazit.
Ligjvënësi e informon atë, se prokuroria ishte vënë në lëvizje dhe shprehte shqetësim për këtë fakt.
“E kemi keq punën. Lidhet me detyrën time”, dëgjohet Çyrbja t’i thotë të pandehurit.
Po atë ditë, prokurorët e ftuan Çyrbjan, të jepte shpjegime ne cilësinë e personit që kishte dijeni për rrethanat e hetimit.
Pasi mbaron rrëfimin e tij, pa kapërcyer rrethimin e godinës së xhamtë, ligjvënësi telefonon sërish Gilmando Danit dhe i kërkon të takohen.
Nga ai moment deputeti dhe i dyshuari nuk rezultoi të kenë folur më në telefon. Pak muaj me vone të Çyrbja u ballafaqua në sallën e gjyqit me Shullazin dhe të pandehurit e tjerë duke dhënë dëshminë e tij. Ai foli asokohe edhe për një takim që kishte pasur me Emiljano Shullazin, për çështjen e ish-hotel Vollgës, por nuk pranoi të kishte pasur komunikime me miqtë e tij përmes telefonit, ku i informonte për gjithë sa ndodhte.
Prej atëherë ka kaluar jo pak kohe. Çyrbja vazhdon i qetë jetën parlamentare. Ndërkohë Shullazi dhe miqtë e tij, ndaj të cilëve rëndojnë akuza të rënda, si gjobëvënie apo shkatërrim prone me eksploziv presin shtatorin për të dëgjuar pretencën e prokurorisë.
Fraksion.com