SHBA vendosin sanksione të reja për Korenë e Veriut
Shtetet e Bashkuara vendosën të mërkurën sanksione ndaj disa kompanive në Kinë, Rusi dhe Singapor, për të cilat thanë se kishin shkelur embargon e tregtisë me Korenë e Veriut.
Kjo është përpjekja më e fundit e Uashingtonit për ta ruajtur presionin ndaj Phenianit, si kusht që t’i japë fund zhvillimit të armëve bërthamore
Departamenti amerikan i Thesarit akuzoi kompaninë kineze “Dalian Sun Moon Star International Logistics Trading Co.” dhe degën e saj në Singapore, SINSMS Ltd., për falsifikimin e dokumenteve për të lehtësuar transportin e palejueshëm të alkoholit dhe cigareve në Korenë e Veriut, që i kanë siguruar kompanive fitime neto prej më tepër se 1 miliardë dollarësh në vit.
Shtetet e Bashkuara po ashtu thanë se kompania Profinet Ltd. në Rusi ka shkelur sanksionet e Kombeve të Bashkuara, duke i siguruar shërbime në port anijeve me ngarkesa nafte, me flamuj koreanoveriorë, ndaj të cilave janë vendosur sanksione, në tre porte në lindje të Rusisë. Në listën e zezë është përfshirë edhe drejtori i përgjithshëm i kompanisë.
Sanksionet e reja ngrijnë çdo pasuri që këto kompani mund të kenë në SHBA dhe nuk i lejojnë amerikanët të bëjnë biznes me to.
Kur i njoftoi sanksionet e reja, Sekretari i Thesarit, Steven Mnuchin tha:
“Departamenti i Thesarit do të vazhdojë me zbatimin e sanksioneve ekzistuese ndaj Koresë së Veriut dhe do të marrë masa për bllokimin e kompanive, porteve dhe mjeteve që lehtësojnë dërgesat e paligjshme dhe mundësojnë rrjedhjen e të ardhurave drejt Koresë së Veriut. Pasojat për shkeljen e këtyre sanksioneve do të mbeten në fuqi, deri sa të arrihet çnuklearizimi i plotë, përfundimtar dhe plotësisht i verifikueshëm i Koresë së Veriut.”
Udhëheqësi koreanoverior Kim Jong Un ra dakord në muajin qershor, në takimin e Singaporit me Presidentin amerikan Donald Trump, për çnuklearizimin e Gadishullit Korean, por nuk u dhanë hollësi për kohën dhe mënyrën se si do të zhvillohej ky proces.
Që nga ajo kohë, Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Veriut janë angazhuar në bisedime të mëtejshme për çështjen se si t’i jepet fund ambicieve bërthamore të Phenianit, por nuk janë arritur ndonjë marrëveshje.
Fraksion.com