FIQ: Thaçi të sqarojë shpenzimin e parasë publike për ushqim e verëra
Me moton “President, konsumo prodhime vendore, e ke më lirë dhe më mirë”, Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ) i ka dërguar presidentit Hashim Thaçi pako me verëra vendore, si shenjë proteste për shpenzimet e bëra nga zyra e kryeministrit, e të publikuara në medie, në ushqim mesdhetar e verëra ndërkombëtare të shtrenjta.
Dajana Berisha, nga FIQ, tha se presidenti duhet patjetër ta sqarojë arsyen se pse ka qenë kjo shifër aq e madhe në një darkë apo drekë zyrtare.
Ajo tha se presidenti duhet ta tregojë arsyen e takimit, pasi që, sipas saj, shuma që është parë në fatura ka qenë jashtëzakonisht e lartë dhe e pajustifikueshme, raporton Ekonomia Online.
“Në emër të fondacionit dhe të qytetarëve që virtualisht i kanë komentuar shpenzimet marramendëse të presidentit dhe të stafit të tij e të kabinetit të tij në një drekë apo darkë zyrtare që kushtonte diku rreth 1 mijë euro”, tha Berisha.
Ajo tha që përpara zyrës së presidentit do t’i vendosin verërat vendore si lloj proteste për çmimin e lartë të faturës që kanë konsumuar verë me para të qytetarëve, raporton EO.
“Ky është një akt simbolik për të sensibilizuar njerëzit që është krejtësisht gabim me shpenzu para publike në atë masë dhe atë mënyrë siç ka qenë nga raportet e kallxo.com”, tha ajo.
“Njerëzit nuk janë budalla dhe e dinë që një faturë e tillë 1 mijë euro e 500 euro venë apo ushqime mesdhetare duhet gjithqysh me pasë një justifikim, argumentim nga kabineti i presidentit për çka është organizuar ajo drekë”, tha Berisha.
“Drekat zyrtare me mjetet financiare të xhepit të shtetit pa asnjë lloj justifikimi, duhet të dihet pse janë shpenzu ato mjete. Askush nuk e di, besoj dhe shpresoj që ka një justifikim, por megjithatë ajo është një shumë e jashtëzakonshme duke pasur parasysh gjendjen e mjeruar që është në komuna të Kosovës”, tha ajo.
“Suhareka është përmbytë nga reshjet e shiut, njerëzit janë mbyllë në stalla t’i shpëtojnë kësaj përmbytje e këtu flasim për një shpenzim marramendës të shifrave për të ngrënë dhe pi ku në fund të ditës janë njerëz që nuk po ia shohim hajrin”, tha ajo në fund./EO
Fraksion.com