Kosovë, dorëhiqet prokurori i posaçëm Elez Blakaj
Prokuroria e Shtetit tha se prokurori i Prokurorisë së Posaçme të Kosovës, Elez Blakaj ka dhënë dorëheqje nga detyra e tij ndërsa nuk bëri të ditur arsyet.
Në komunikatën e Prokurorit të Shtetit thuhet se: “Prokurori Blakaj, ishte duke hetuar rastin e njohur në opinion si ‘Lista e veteranëve të UÇK-së’, kishte marrë informacione se Komisioni i Mjekëve në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale ishte duke u marrë me përcaktimin e statusit të invalidëve të luftës dhe se gjatë punës së këtij komisioni ka pasur kanosje, për të cilën edhe është hapur rasti si i tillë në Policinë e Kosovës. Kërkesa e prokurorit Blakaj është shqyrtuar dhe Policia e Kosovës ka vendosur të shtojë patrullimet në vendin ku po punonte komisioni si dhe në vendosjen e kontakteve të vazhdueshme në mënyrë që procesi të vazhdojë sipas planifikimit”.
Po ashtu, në komunikatë thuhet se: “Në llogarinë e prokurorit Blakaj në rrjetin social Facebook ka marrë një mesazh kërcënues me fjalët: ‘Dënoi kriminelët, e jo hoxhallarët’, kurse më pas prokurori Blakaj e ka raportuar në polici, ku ka deklaruar se nuk e ndien veten të kërcënuar, por është i brengosur rreth familjes së tij, sidomos për fëmijët dhe ka kërkuar përcjelljen nga njësitet policore të fëmijëve të tij gjatë shkuarjes në shkollë dhe kthimit në shtëpi.. Policia e Kosovës ka shqyrtuar kërkesën e prokurorit Blakaj dhe të nesërmen ka filluar shoqërimin e fëmijëve të prokurorit Blakaj”,thuhet në komunikatën e prokurorisë duke nënvizuar se prokurorët kanë të drejtë që nga Këshilli Prokurorial i Kosovës të kërkojnë masa të veçanta mbrojtëse për veten dhe për familjet e tyre.
Por, mediat e Kosovës njoftuan se dorëheqja e prokurorit Elez Blakaj lidhet me kërcënimet që janë barë gjatë kryerjes së detyrës, posaçërisht me rastet e hetuara për terrorizëm dhe listën e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Duke reaguar ndaj këtyre njoftimeve, Prokuroria e Shtetit bëri të ditur se prokurori Blakaj nuk ka depozituar ndonjë kërcënim rreth punës së tij.
Prokurori i Posaçëm i Republikës së Kosovës, Elez Blakaj, kishte drejtuar hetimet lidhur me keqpërdorimet e mundshme në listën e veteranëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, çështje kjo që kishte nxitur reagime të shumta në Kosovë për shkak të numrit të madh të personave që janë përfshirë në këtë listë.
Reagon ministri i drejtësisë, Abelard Tahiri
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri nëpërmjet një reagimi në rrjetin social Facebook, tha se një mesazh i tillë është i papranueshëm dhe meriton trajtim emergjent.
“Republika jonë është e ndërtuar mbi parime ku sundimi i ligjit është mbi të gjithë, i barabartë për të gjithë dhe se askush nuk mund të ngritet mbi të e aq më pak të cenojë funksionimin e organeve të rendit për shkak të detyrës zyrtare në vendosjen e drejtësisë. Pa dashur të aludoj në rrethanat e ngjarjes, në rast se zyrtarisht konstatohet se arsyet e dorëheqjes së Prokurorit janë të natyrës përtej personale, konsideroj se një hetim i plotë rreth këtij rasti duhet të zë vend, për të parë se kush ka kërcënuar prokurorin dhe në rast se organet e pavarura të zbatimit të ligjit kanë ndërrmarrë masat e nevojshme për të adresuar dhe rrënuar deri në fund çdo kërcënim të mundshëm ndaj tij, kurdo qoftë dhe nga kushdo qoftë”,tha ministri Tahiri duke nënvizuar se është e pa pranueshme që një prokuror i shtetit, të bie nën presionin e kërcënimit dhe të zgjedhë dorëheqjen si alternativë.
“Krimi, korrupsioni, shmangia nga përgjegjësia dhe abuzimi në këtë vend, duhet të marrin fund njëherë e përgjithmonë. Republika e Kosovës ka nevojë për prokurorë të zotë që për punën e tyre i japin llogari vetëm ligjit dhe askujt tjetër dhe të gjitha organet tjera kanë për obligim që t’i sigurojnë pacënueshmërinë e punës së tyre nga kushdo. Nuk do të lejojmë për asnjë çast që shteti ynë të duket shtet i brishtë dhe nuk do të tolerojmë askënd dhe asgjë që të jetë mbi ligjin. Ky rast, është po ashtu një ftesë për krerët e institucioneve të sistemit të drejtësisë për të pasur një bashkërendim më të ngushtë që adreson çdo difekt të sistemit, në mënyrë të përgjegjshme, të pa kompromis dhe të paalternativë”,thuhet në reagimin e ministrit të drejtësisë, Abelard Tahiri.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, e ka quajtur një ditë të trishtuar dorëheqjen e prokurorit Elez Blakaj.
“Një ditë e trishtuar për sundimin e ligjit në Kosovë, kur një prokuror i lartë mendon se duhet të japë dorëheqjen për shkak të kërcënimeve dhe mungesës së mbështetjes. Sidomos tronditëse kur ai po punonte për një rast masiv të mashtrimit të pensioneve”,thuhet në reagimin e ambasadorit amerikan.
Ambasada amerikane në Kosovw tha se: “Është dekurajuese të dëgjosh lajmin për dorëheqjen e Prokurorit të Posaçëm, Elez Blakaj, kryesisht për shkak se po punonte për çështje të rëndësishme si hetimi dhe ndjekja penale e mashtrimit masiv të pensioneve. Por edhe për shkak të sfondit dhe premtimit të tij, ai u mbështet nga qeveria amerikane për të studiuar në ‘Wake Forest’ ku ai mori një diplomë LLM dhe hetoi raste të rëndësishme në Kosovë. Kosova duhet të provojë angazhimin e saj për sundimin e ligjit jo vetëm duke mbështetur prokurorët, por edhe duke siguruar që të gjithë ata që janë të dënuar të shërbejnë kohën e tyre”,thuhet në reagimin e ambasadës amerikane në Kosovë
Reagojnë organizatat që vëzhgojnë sistemin e drejtësisë
Betim Musliu drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi i tha Zërit të Amerikës se gjendja në sistemin prokurorial është e rëndë në kuptim të atmosferës së punës për shkak të trysnive dhe ndikimeve të mëdha politike në punën e prokurorëve.
“Dorëheqja e prokurorit të posaçëm Elez Blakaj dëshmon për dështimin e sistemit prokurorial për të mbajtur në radhët e veta prokuror me integritet, të cilët përballen me sfida dhe shënojnë suksese. Është e pakuptimtë se si Kryeprokurori i Prokurorisë së Posaçme ende nuk e ka proceduar aktakuzën më të ndjeshme që nga pas lufta ndaj profilit të lartë të veteranëve të ngritur pikërisht nga prokurori Elez Blakaj. Këto situata padyshim se krijojnë atmosferë që pamundësojnë ushtrimin e funksionit në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe profesionale, gjë që detyron prokurorët me integritet të dorëhiqen”.
Fraksion.com