AktualitetTë fundit

Frontex: Në korrik rrjedha migratore përmes Shqipërisë pati rritje

Në shtatë muajt e parë të vitit 2018, numri i kalimeve të parregullta kufitare në BE përmes katër rrugët kryesore të migracionit ra me 43 për qind nga një vit më parë, në rreth 73.500.

Kjo shifër e bërë publike në raportimin më të fundit të Frontex, agjencisë Europiane për Kufijtë tokësore dhe bregdetarë, tregon se ulja e rrjedhës migratore ka ardhur kryesisht për shkak të presionit të ulët migrator në rrugën Mesdhetare Qendrore.

Në korrik, rreth 14 900 kalime të parregullta u zbuluan në rrugët kryesore të migracionit në BE, 18% më pak se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Sa i përket Shqipërisë, vijon të jetë udhë kryesore kalimi emigrantësh, madje, sipas Frontex, ka pasur rritje fluksi në muajin korrik. Rruga paralele nëpërmjet Shqipërisë, Malit të Zi dhe Bosnjës dhe Hercegovinës ka parë rritje të presionit migrator.

Mesdheu Perëndimor

Muajin e kaluar, rruga migratore e Mesdheut Perëndimor llogaritej më shumë se gjysma e të gjitha zbulimeve të kalimeve kufitare të paligjshme në BE. Numri i emigrantëve që arritën në Spanjë u katërfishua nga një vit më parë, në gati 8 800 në korrik. Në shtatë muajt e parë të 2018, kishte rreth 23 100 kalime të parregullta kufitare në rrugën e Mesdheut perëndimor, më shumë se dyfishi i shifrës nga një vit më parë. Shtetasit e Marokut, Guinea dhe Mali llogariten për numrin më të madh të ardhurish në Spanjë këtë vit. Emigrantët nga vendet sub-Sahariane përfaqësonin më shumë se tre të katërtat e të gjitha zbulimeve në këtë rrugë.

Mesdheu Lindor

Në korrik, numri i emigrantëve të parregullt që merrnin rrugën e Mesdheut Lindor ishte rreth 4 000, 17% më pak se në muajin paraprak. Por kryesisht për shkak të një rritje të konsiderueshme të kalimeve të parregullta në muajt e fundit në kufijtë tokësorë me Turqinë, numri i përgjithshëm i emigrantëve të zbuluar në rrugën Mesdhetare Lindore në shtatë muajt e parë të vitit u rrit me tre të katërtat, në rreth 29 500. Numri më i madh i emigrantëve në këtë rrugë deri tani këtë vit ishin shtetas të Sirisë dhe Irakut, edhe pse afganët llogariten për numrin më të madh në korrik.

Mesdheu qendror

Numri i emigrantëve që mbërritën në Itali nëpërmjet rrugës Mesdhetare Qendrore në korrik ra në rreth 1 900, me një rënie prej 83% nga korriku 2017. Numri i përgjithshëm i emigrantëve të zbuluar në këtë rrugë në shtatë muajt e parë të vitit 2018 ra në rreth 18 200, 81 % më e ulët se një vit më parë.

Deri më tani këtë vit, tunizianët dhe eritreasit ishin dy kombësitë më të përfaqësuara në këtë rrugë, së bashku duke përbërë më shumë se një të tretën e të gjithë emigrantëve të zbuluar atje.

Ballkani Perëndimor

Rruga kryesore migratore në Ballkanin Perëndimor nga Serbia në Hungari dhe Kroaci vazhdon të shohë një numër të vogël migrantësh të parregullt. Megjithatë, një rrugë paralele nëpërmjet Shqipërisë, Malit të Zi dhe Bosnjës dhe Hercegovinës, si dhe nga Serbia në Bosnje Herzegovinë, ka parë rritje të presionit migrator në korrik.

Analiza

Frontex, Agjencia e Gardës Kufitare dhe Rojet Bregdetare, në analizat e saj për gjendjen në Ballkanin Perëndimor në vitin 2017 dhe në tremujorin e parë të vitit 2018 tregon për një rënie prej 92 për qind të numrit të kalimeve të paligjshme të kufirit nga emigrantët jashtë rajonit të Ballkanit Perëndimor në afërsisht 19 000 nga më shumë se 260 000 në vitin 2016.
Sipas raportit të Frontex Ballkanit Perëndimor TM1 2018, në tre muajt e parë të këtij viti numri i kalimeve të paligjshme të kufirit nga emigrantët jo-rajonalë ra 10 për qind krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar, si dhe në tremujorin e fundit të vitit 2017 . Presioni i vazhdueshëm përgjatë nën-rrugës Greqi-Shqipëri-Mal të Zi-Bosnje dhe Herzegovinë-Kroaci mbetet tregues për emigrantët që përpiqen të anashkalojnë masat ekzistuese të sigurisë përgjatë rrugës kryesore nëpërmjet Serbisë.

 

Fraksion.com