Shembet ura në Genova: 22 viktima
Shembet ura në Xhenova ndërtuar në vitet 1960 e njohur si “ura Morandi”. Pjesa e shembur është rreth një kilometër e gjatë dhe ngrihet mbi një pjesë të shtratit të lumit Polcevera.
Një urë është shembur rreth mesditës së kësaj të marte në afërsi të qytetit verior të Xhenovas, në Itali.
Ura, pjesë e superstradës A10, është rreth 100 metra e lartë dhe ka raporte për të paktën 22 njerëz të vdekur, mes të cilëve ndodhet edhe një fëmijë.
5 raportohen të plagosur në gjendje të rëndë, por numri mund të rritet pasi zjarrfikësit po përpiqen të nxjerrin njerëzit e bllokuar në makinat e tyre nën rrënoja.
Fotot nga vendi i ngjarjes tregojnë pjesë të shembura të urës në mes të saj, në shtratin e një lumi, por edhe mbi shtëpitë dhe kapanonet industriale që ndodhen nën të.
Ura e ndërtuar në vitet 1960 është e njohur si “ura Morandi”.
Pjesa e shembur e urës “Morandi” është rreth një kilometër e gjatë dhe ngrihet mbi një pjesë të shtratit të lumit Polcevera.
E përditshmja italiane “La Repubblica” e përshkruan atë pjesë të qytetit si shumë të banuar.
Shkak për shembjen e urës mund të jetë bërë një defekt strukturor. Autostrada është mbyllur në drejtimin Xhenova-Savona dhe gjithashtu në drejtimet Milano-Xhenova dhe Xhenova-Aeroport.
Liguria është përfshirë prej disa orësh nga reshje të dendura shiu, ndërsa Mbrojtja Civile ka shpallur alarmin “portokalli”.