Fondi i Kompensimit shtesë me 181 milionë lekë, AMF merr përsipër kompetencat e Byrosë
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka vendosur që të marrë përsipër kompetencat e Byrosë Shqiptare të Sigurimit në rastet kur kjo e fundit nuk bën shpërndarjen e praktikave të dëmeve pranë shoqërive të sigurimeve. Me një vendim të miratuar pak kohë më parë AMF ka bërë një shtesë në rregulloren “Për krijimin, llogaritjen, financimin, administrimin e fondit të kompensimit dhe kryerjen e pagesave të dëmeve”.
Shtesa është bërë në nenin 6 ku pas pikës 1 shtohet një pikë e re e cila legjitimon ndërhyrjen e AMF duke mundësuar kështu vijimin e procesit të shlyerjes së dëmeve.
“Nëqoftëse Byroja Shqiptare e Sigurimit nuk bën shpërndarjen e praktikave të dëmeve të fondit të kompensimit tek shoqëritë e sigurimit anëtarë të saj sipas vlerave respektive të detyrimit të tyre, shpërndarja për pagesë tek shoqëritë e sigurimit, do të bëhet nga vetë Autoriteti.
Byroja Shqiptare e Sigurimit brenda 7 ditëve nga data e marrjes dijeni nga Autoriteti të shpërndarjes së praktikës do të vijojë me dërgimin e autorizimit dhe kopjen e praktikës tek shoqëria e sigurimit e caktuar nga Autoriteti. Shoqëria e sigurimit ndjek procedurën e rimbursimit sipas parashikimeve të kësaj rregulloreje” thuhet në shtesën e bërë nga AMF.
Fondi i Kompensimit, shtohen edhe 181 milionë lekë
Një vendim tjetër i AMF i lidhur po me Fondin e Kompensimit bën një analizë të situatës së dëmeve. Kjo lidhet me një inspektim të kryer nga institucioni pranë shoqërive të sigurimit për ngjarjet e pas 1 janar 2014 si dhe pagesat e kryera për këto praktika gjatë periudhës janar-prill 2018.
“Në përfundim të rezultateve të inspektimit është konstatuar se dëme të fondit të kompensimit për ngjarjet pas 1 janar 2014 e në vazhdim të përfunduara (miratuara pa paguar dhe përmbarimore), ishin në vlerën 226,849,777 lekë. Për këtë situatë, nisur nga fakti se fondi i miratuar me vendimin nr.217, datë 28.12.2018 “Mbi fondin e kompensimit të vitit 2018”, me qëllim pagesën e dëmeve për ngjarjet pas 1 janar 2014 e në vazhdim, është i pamjaftueshëm për pagesën e këtyre dëmeve, është kërkuar nga anëtarët e asamblesë shtesë e këtij fondi, miratuar nga Asambleja me vendimin nr. 13, datë 25.06.2018” thuhet në vendimin e AMF.
Sakaq edhe Byroja Shqiptare e Sigurimit, ka konstatuar se deri më 31 maj 2018, referuar situatës së dëmeve të fondit të kompensimit të papaguara për ngjarjet pas 1 janar 2014 e në vazhdim të përfunduara vlera e tyre në total është 229,058,962 lekë.
Duke bërë vlerësimet për dëmet dhe nevojën për pagesën e tyre në respekt të afateve dhe objektivave AMF ka vendosur që të miratojë një shtesë tek fondi i Kompensimit në vlerën 181 milionë lekë për vitin 2018. Detyra për njoftimin dhe shpërndarjen e detyrimit që kanë shoqëritë e sigurimit i është lënë Byrosë Shqiptare të Sigurimit.
Fraksion.com