Rimëkëmbja nga përmbytjet e uraganëve
Sezoni i uraganëve të Atlantikut ka filluar tashmë, por shumë familje në Hjuston ende po përpiqen të marrin veten nga përmbytjet shkatërruese të shkaktuara nga uragani Harvey vitin e kaluar. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Elizabeth Lee shkoi në Hjuston për të parë se si viktimat e përmbytjeve po rimëkëmben pothuajse një vit më vonë dhe çfarë mund të bëhet për të parandaluar përmbytjet e ardhshme në qytetet e prirura për përmbytje.
Viti i kaluar ka qenë një makth për Samantha dhe Justin Scott të cilët jetonin në lagjen Bear Creek.
“Është emocionalisht rraskapitëse. Kur fëmijët e mi të kujtojnë vitin e kaluar të jetës sonë, sidomos më i madhi, do mbajë mend vetëm se kam qarë shumë”.
Ata ende po rregullojnë dëmtime nga përmbytja e uraganit Harvey vitin e kaluar. Nëna dhe fëmijët u larguan për një kohë ndërsa babai punoi në shtëpi. Fëmija i tyre më i vogël ishte vetëm disa muaj.
“Është shumë e vështirë. Është shumë e rëndë. Pothuajse nuk isha aty gjysmën më të mirë të vitit të parë të jetës së tij. Nuk isha aty kur ai filloi të ecë. Më kanë humbur pa parë shumë gjëra që fëmijët bëjnë për herë të parë”, thotë Justin Scott.
Shtëpia ende ka nevojë për punë brenda dhe dëmtimi i stuhisë është ende i dukshëm në lagje.
“Të godet si një shuplakë në fytyrë çdo herë. Është sikur puna nuk ka fund, sikur stuhia po vazhdon”, thotë Samantha Scott.
Gjatë gjithë zonës Bear Creek ka shenja se gjërat nuk po i kthehen ende normalitetit.
Gjatë përmbytjeve, uji arriti më lart se kjo kuti postare. Fqinjët thonë se vetëm tre familje në këtë rrugë vendosën të qëndrojnë. Të gjitha familjet e tjera po përpiqen të shesin shtëpitë e tyre dhe të lëvizin diku tjetër.
Rindërtimi ka qenë i ngadalshëm. Shumë njerëz nuk kishin siguracion për përmbytjet.
“Me të vërtetë, është sikur të priten krahët dhe besimi që duhet të kesh në këto raste, sepse është e vështirë”, thotë Joe Franz, banor i zones.
Bear Creek u përmbyt pasi është ngjitur me një rezervuar, shtëpitë e tjera u përmbytën, sepse janë në fushat sedimentare.
“Fushat sedimentare janë si lugina të vogla dhe ato përballojnë cdo gjë që vjen nga natyra, përfshi uraganin Harvey, por me kalimin e kohës, i kemi shkelur këto rrafshe dhe kemi ndërtuar mbi to”, shpjegon John Jacob, ekspert me Watershed Management.
Parandalimi i përmbytjeve katastrofike të shtëpive do të dojë kohë.
“Pesëdhjetë vjet më pas duhet të jemi në gjendje të lirojmë të gjitha rrafshinat e përmbytjeve. Një pjesë e kësaj mund të jetë nëpërmjet blerjes me fonde federale, por pjesa tjetër do të kërkojë rritjen e ndërgjegjësimit”, thotë eksperti John Jacob.
Ekspertët thonë se kur kërkoni shtëpi, studioni hartat e lartësisë dhe kërkoni terren të lartë. Një zgjidhje tjetër: ngrini nivelin e shtëpisë.
“Shtëpia ime është e ngritur mbi një metër mbi tokë.”
Këshilla mund të jetë e dobishme për disa njerëz, por familja Scott nuk ka rrugë tjetër tani për tani.
“Jemi në një situatë ku nuk mund të përballojmë dot të marrim plackat dhe të largohemi”.
Ata po vlerësojnë bekimet e vogla – të tilla si kalimi i natës së bashku në shtëpinë e tyre, për herë të parë që nga përmbytja.
Fraksion.com