Fermerët duan tregtinë, jo ndihmat e qeverisë
Fushat e sojës në fermën e Fred Grieder në shtetin Illinois kanë shërbyer gjithnjë si një ogur i mirë që sinjalizonte për të korra të mbarë në vjeshtë.
Por, tarifat po largojnë klientët e mundshëm nga përtej oqeanit dhe zoti Grieder parashikon se mund të humbasë rreth 100 dollarë për hektar nëse lufta tregtare vazhdon.
Shtrëngimi financiar është pranuar edhe nga administrata Trump. Departamenti i Bujqësisë po harton një paketë ndihmash prej 12 miliardë dollarësh për të ndihmuar fermerët si zoti Grieder.
“Edhe nëse e merr të gjithë ndihmën prej 12 miliardë dollarësh dhe ja jep vetëm fermerëve të sojës, gjë që nuk do të ndodhë, atëherë pjesëtuar me hektarët tanë, del rreth 14 dollarë për hektar”, thotë zoti Grieder.
Pra edhe në një rast të tillë ai parashikon të humbasë 86 dollarë për hektarë. Zoti Grieder e vlerëson ndihmën, por do të preferonte “tregtinë në vend të ndihmës”.
“E vlerësojmë që qeveria kujdeset për ne, por realiteti është se në një luftë të madhe tregtare si kjo, shifrat janë marramendëse”, thotë zoti Grieder.
“Kjo nuk është një katastrofë natyrore, por e shkaktuar nga njeriu. Nuk është vepër e mbinatyrshme; disa do ta quanin madje një veprim marrëzie”, thotë Mark Albertson, i Shoqatës së Sojës në Illinois.
Zoti Albertson thotë se mosmarrëveshja tregtare me Kinën përbën një kërcënim më të madh për fermër edhe se thatësira e vitit 2012.
“Patëm mekanizma për të përballuar pasojat e thatësirës duke rifituar nga të mbjellat e vitit pasues. Por, në këtë rast nuk dimë se ç’do të sjellë viti tjetër. Nuk kemi ndonjë shpresë që do të përfundojë së shpejti lufta tregtare, ndërkohë që Brazil duket se është gati të marrë tregun tonë në Kinë”, thotë zoti Albertson.
Ky është edhe shqetësimi më i madh i zotit Grieder.
“Nuk janë vetëm pasojat afatshkurtra. Një ndër konkurrentët tanë më të mëdhenj, Brazili, është gjithnjë duke zgjeruar tregtinë dhe kjo mund të na ndikojë në vitet në vazhdim. Jam më i shqetësuar për këtë aspekt”, thotë zoti Grieder.
Sfida tjetër është se çfarë do të bëhet me sojën që nuk do të shitet dot.
“Me sa duket do të përfundojmë duke depozituar një sasi rekord fara soje dhe në atë moment, siç dimë prej historisë, çmimet do të bien shumë”, thotë zoti Albertson.
Për momentin, zoti Grieder vazhdon punën e tij si zakonisht, duke shpresuar që kërkesa për sojë nga vende të tjera, përveç Kinës, do të balancojë rënien e çmimeve. Ai gjithashtu pret të shikojë rezultatet e taktikave tregtare të Presidentit Trump dhe nëse do të shmanget dëmtimi i reputacionit të produkteve amerikane.
“Mbështes përpjekjen e tij, por nuk mund të them se mbështes metodat e tij”, thotë zoti Grieder.
Këto metoda mund të krijojnë pasiguri të mëtejshme dhe ulje të fitimit për fermerët amerikanë.
Fraksion.com