Banka Qendrore e Turqisë siguroi për stabiltet financiar
Pas zhvleftësimit të Lirës turke Banka e Rezervave po përpiqet të qetësojë tregjet. Ajo do t’u ofrojë bankave biznese shtesë rifinancimi. Monedhat e vendeve të tjera në ekspansion mund të influencohen.
Banka Qendrore deklaroi, se do të vëzhgojë me vëmendje tregun dhe politikën e çmimeve e do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm, për të siguruar stabilitetin financiar. Pas kësaj deklarate Lira u përshtat me Dollarin, por vetëm shkurt.
Ministri turk i Financave Berat Albayrak në fundjavë shpalli një plan aksioni, mbi bazën e të cilit institucionet përkatëse monetare duhet të marrin masat e nevojshme dhe të komunikojnë me tregjet. Në këtë kuadër merren parasysh në radhë të parë bankat turke si dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të vendit. Këto të fundit po i ndjejnë veçanërisht pasojat e
zhvleftësimit të monedhës. Albayrak është dhëndri i presidentit Recep Tayyip Erdogan.
Lira humbet mbi 40 përqind
Lira që nga fillimi i vitit ka humbur mbi 40 përqind të vlerës së saj. Vetëm të premten ajo u zhvleftësua me 18 përqind duke shënuar një rekord humbjeje këmbimi me 7,24 Dollar që nga viti 2001. Arsye thelbësore për këtë është frika që Erdogani, i cili pas ndryshimeve kushtetuese gëzon kompetenca të mëdha pushteti, mund të ndërhyjë masivisht në politikën ekonomike monetare.
Në këto kushte po rritet shqetësimi, se Banka e Rezervave mund të humbasë pavarësinë e saj. Gjithashtu Erdogani për shumë tema është në mosmarrëveshje me partnerin e NATO-s, SHBA, ndër të tjera edhe sa u përket interesave të ndryshme lidhur me konfliktin në Siri. Po ashtu këto mosmarrëveshje janë acaruar edhe më shumë për shkak të priftit nga SHBA-ja Andrew Brunson, i ndaluar nën akuzat për terror.
Albayrak, dhëndri i Erdoganit dobësimin e Lirës e quajti një sulm. Ngjashëm u shpreh edhe Erdogani. Në fundjavë ai e cilësoi rënien e kursit të Lirës si “raketë” në një luftë ekonomike kundër vendit të tij. Sipas tij, rruga për të dalë prej “komplotit monetar” konsiston, në rritjen e prodhimit dhe uljen e interesave.
Erdogan në mënyrë të përsëritur e ka cilësuar veten si “kundërshtar të interesave” dhe ka deklaruar, se do të ushtrojë kontroll të madh ndaj politikës monetare. Ai do që bankat të japin kredi të leverdisshme dhe me këtë t’i jepet hov rritjes ekonomike. Po depozituesit druajnë, se kjo mund të shkaktojë anomali. Ekspertët së fundi kanë theksuar, se rritja e interesave mund ta frenojë zhvleftësimin e Lirës.
Rritje e doganave për çelikun hyn në fuqi
Pas përshkallëzimit të grindjes javët e fundit presidenti i SHBA-së Donald Trump të premten (10.08)deklaroi dyfishimin e doganave për importin e çelikut dhe aluminit nga Turqia. Rritja me 25% në 50% tashmë ka hyrë në fuqi.
Si rrjedhojë Erdogani kërcënon me një distancim ekonomik dhe politik prej Perëndimit dhe një orientim më të fuqishëm nga Rusia, Kina dhe Ukraina. Turqia ka alternativa, shkruante Erdogan në një opinion botuar në fundjavë në “New York Times”. Nëse SHBA nuk respekton sovranitetin e Turqisë, partneriteti mund të rrezikohet. “Kësisoj për Turqinë do të jetë e nevojshme të shohë për miq e partnerë të rinj përreth”.
Edhe vende të tjera në ekspansion mund të preken
Zhvleftësimi i Lirës turke po i preokupon edhe vendet në ekspansion ekonomik. Monedha në Afrikën e Jugut, në Indi dhe Rusi pësuan humbje të papara prej shumë vitesh. Depozituesit druajnë, që investitorët si pasojë e luhatjeve në Turqi mund të influencohen edhe monedhat e vendeve të tjera në ekspansion.
Randi afrikano-jugor ra me më shumë se 10 përqind në nivelin më të ulët që nga viti 2016. Një Dollar u këmbye përkohësisht me 15,70 Rand. Rupie indian shënoi po ashtu rënie dhe Rubla ruse përkohësisht në treg arriti vlerën më të ulët gjatë dy viteve të fundit. Këmbimi me Dollarin arriti gati 70 Rubla.
Analistët megjithatë mendojnë, se për shkak të problemeve në Turqi nuk do të ketë krizë në rritje në vendet në ekspansion. “Ne nuk llogarisim as me përshkallëzim të grindjeve në tregtinë globale në formën e një lufte të mirëfilltë tregtare apo monetare, dhe as nuk ka shenja për një rënie sinjifikative të rritjes së ekonomisë”, tha ekonomisti Stefan Bielmeier nga Banka Qendrore e Gjermanisë./DW
Fraksion.com