AktualitetOp-EdTë fundit

Rusia hap krahun për ndryshimin e kufijve: Dërgon në Beograd “yllin në ngjitje” të diplomacisë

Nga Ylli Pata

Kremlini nuk ka vonuar; menjëherë pas hapjes së çështjes së “korigjimit të kufijve” të Kosovës, ka dërguar në Beograd “yllin në ngjitje” të diplomacisë ruse, zëdhënësen e Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova.

Portali i Kremlinit Sputnik e thekson hapur se tashmë hartës së Ballkanit po i bëhet gati gërshëra, e cila normalisht do të lëvizë nga dy fuqitë e mëdha botërore, SHBA e Rusia.

Siç bën të ditur Sputnik, Saharova ka përcjellë në Beograd mesazhin e Vladimir Putinit dhe Sergej Lavrovit, sipas të cilëve Serbia nuk duhet të bëjë pakt me Brukselin, por të kërkojë zyrtarisht përfshirjen e Rusisë në negociatat për Kosovën, natyrisht së bashku me Uashingtonin.

Zakharova jo pa qëllim ka takuar Ivica Daçicin për të përcjellë mesazhin dhe jo kryeministren Ana Brnabiç, apo presidentin Vuçiç. Shefi i diplomacisë serbe është “delfini” i Moskës në Beograd, i cili njihet për mënyrat e tij “tallava” të të bërit diplomaci.

Ai sërish nuk ka zhgënjyer duke e vënë në siklet diplomaten e lartë ruse, pasi i ka thurrur temena e komplimente prej adoleshenti.

Megjithatë, Zakharova ka folur qartë në Beograd duke dhënë sinjalin e parë “jeshil” që Moska nuk do të kundërshtojë një marrëveshje për korigjimin e kufijve, por vetëm nëse Rusia do të jetë në “tavë”.

Sputnik thekson se Zakharova ka deklaruar që “deri tani mund të them se janë zhvlerësuar marrëveshjet ndërkombëtare, ku së pari ndër ta është rezoluta 1244 për Kosovën. Qasja jonë për këtë çështje është serioze dhe bazohet në të drejtën ndërkombëtare, në respektimin e sovranitetit të Serbisë, dhe ky qëndrim i Rusisë nuk ka ndryshuar. Të gjithë e e dinë shumë mirë në Beograd”.

Pra, njeriu më i rëndësishëm i Lavrovit dhe në “provë” për t’u ngjitur në krye të qeverisë ruse së shpejti, ka bërë të ditur se nuk ka veto të Moskës për një ndarje të re zonash të influencës në Ballkan.

Krahu i djathtë i Sergej Lavrov ka publikuar edhe strategjinë ruse në negociatat e ardhshme për Kosovën. Moska nuk do të nisë bisedimet me SHBA-në nga pozita e sotme, pra që Kosova është shtet i pavarur, por në bazë të 1244, që Kosova është pjesë e Serbisë.

Duket si një utopi, pasi tashmë Kosova është vulosur e pavarur edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë që është mekanizëm i OKB-së. Por kleçka qëndron në lojën e rëndë që Moska synon të luajë në bisedime, duke kërkuar pazar për Republika Srbska dhe Maqedoninë.

Sputnik ka publikuar një hartë të Ballkanit duke i vënë gërshërën pikërisht pranë Maqedonisë. Një lojë që duket se do të luhet nëse dështojnë bisedimet në Bruksel.

Aleksandër Vuçiç synon ta mbyllë marrëveshjen me BE-në. Por Moska pikërisht për këtë ka dërguar bjondinën simpatike të Ministrisë së Jashtme ruse që të “joshë” publikun por dhe të kërcënojë Vuçiçin.

Injorimi që Zakharova i ka bërë në protokoll kryeministres proeuropiane serbe, ka qenë një sinjal që është kapur menjëherë nga mediat e Beogradit dhe ato europiane.

Duke folur gjatë një konference të përbashkët shtypi me Ivica Daçiçin, Zakharova tha se Rusia qëndron fort për të mbrojtur sovranitetin e territorit serb – por shtoi se vendi i saj do të respektojë vendimet e Serbisë.

Daçiçi nga ana e tij tha se “delimitimi” nuk ishte ende “një marrëveshje e bërë”. “Kjo është diçka që ne e pamë si një mundësi për të arritur një kompromis”, tha Daçiç, që po ta çkodosh këtë frazë është hapur që po kërkohet përfshirja e Moskës.

Në një intervistë televizive, Daçiç tha se e mbështeste shkëmbimin e territoreve prej 10 vitesh, por bëri të ditur se këtë s’mund ta bëjnë “mbështetësit e Kosovës te vetëm, por duhet futur në lojë edhe të tjerët”.

Në fakt, koha më e mirë për përfshirjen ruse është tani, kur edhe në Uashington ka një vullnet prej Donald Trump-it për ta rivlerësuar dhe rifutur në lojë “mikun” e tij Vladimir Putin.

Sa do të humbin shqiptarët nga ndërhyrja ruse në këtë çështje? Kjo do të shihet. Në histori ka pasur katër marrëveshje botërore, ku rusët nuk kanë pasur rol krejt bardh e zi.

Në vitin 1874, rusët në Shën Stefan, pikërisht në paktin e përfundimit të luftës Ruso-Osmane, i morën Portës së Lartë Nishin, Vranjën, Sanxhakun etj.

Në 1878, rusët ndërhynë në Berlin për t’i dhënë serbo-malazezëve Ulqinin, Plavën, Gucinë, Hotin, Grudën, Krajën, pra territoret shqiptare që sot janë në Mal të Zi.

Në 1913 në Londër, Moska arriti të shkëpusë gjysmën e territoreve shqiptare lindore t’ja japë Serbisë, pra Kosovën, Rrafshin e Dukagjinit dhe territoret shqiptare sot në Maqedoni.

Por në 1917, ishte Vladimir Iliç Lenini, që jo vetëm bëri publik Paktin e fshehtë të Londrës por nuk e njohu. Në 1924, sovjetikët ishin të vetmit që njohën qeverinë e Nolit, e cila u rrëzua edhe me ndihmën e Beogradit po atë vit.

Në Jaltë, në vitin 1945, Stalini la pezull çështjen e Kosovës, duke i kërkuar Beogradit ta trajtojë si njësi me vete, si republikat sovjetike, ndërkohë që refuzoi ashpër përfshirjen e Shqipërisë në Federatën Jugosllave.

Tani duket se po vjen një Jaltë e re, me kushte e pazare të reja. Këtë herë SHBA nuk është ajo e vitit 1999; madje qarqe serbe e quajnë Trump aleat, kurse Putin është në zenithin e tij, për të kryer edhe aktin, sipas gjasave të fundit strategjik të presidencës së tij, të ndajë zonat e influencës siç bëri Stalini në vitin 1945.

Megjithatë nuk është kaq e thjeshtë. Në lojë sot ka një lojtar që fuqinë e ka reale jo kaq virtuale siç është Uashingtoni dhe Moska.

Ky lojtar është Gjermania e Angela Merkelit, e cila frikshëm po avancon kudo si “përbindshi” ekonomik që nuk njeh ndaljen.

Sot më shumë se gjithçka vlen fuqia ekonomike. Pikërisht Gjermania po shtyn Vuçiçin e Thaçin që të bëjnë marrëveshje pa praninë e SHBA-së dhe Rusisë.

Por a do të ketë përplasje të re globale në Ballkan?

Njëra prej luftrave botërore nisi pikërisht këtu…

 

Fraksion.com