Paralajmërimi i FITCH: Rritja ekonomike mund të ngadalësohet në 2019-n
Gjiganti financiar “FITCH Ratings” ka deklaruar se rritja ekonomike e vendit mund të frenohet vitin e ardhshëm, për shkak të ngadalësimit të ekonomisë europiane.
Në vlerësimin e detajuar për zhvillimet ekonomike në Shqipëri, FITCH thotë:
“Ekonomia shqiptare u rrit me shifrën robuste 4.4 për qind në tremujorin e parë. Për këtë arsye ne kemi rritur parashikimin për rritje vjetore të 2018-s, nga 3.7 për qind në 4 për qind.”
Por sipas tij, ekonomia shqiptare mund të humbasë terren pas këtij momenti pozitiv, për shkak të efekteve negative nga jashtë.
“Edhe pse besojmë se kërkesa e brendshme do të vazhdojë të rritet, ne presim që në 2019-n rritja ekonomike e Shqipërisë të zbresë në 3.5 për qind, për shkak të ngadalësimit që po ndodh në partnerët kyç të eurozonës”, thotë FITCH.
Ekonomia shqiptare ka përfituar gjatë dy viteve të fundit nga situata e mirë ekonomike në eurozonë, duke eksportuar më shumë mallra dhe shërbime drejt tregjeve të BE-së.
Por në tremujorin e dytë të këtij viti, rritja ekonomike e zonës euro zbriti në nivelin më të ulët të dy viteve, për shkak të shqetësimeve nga lufta tregtare mes SHBA-së dhe fuqive të tjera të mëdha ekonomike.
FITCH e cilëson këtë frenim të aktiviteteve ekonomike në Europë të dëmshëm për ekonominë shqiptare, pasi do të frenojë eksportet dhe flukset e tjera të të ardhurave që vijnë nga jashtë.
Fraksion.com