AktualitetTë fundit

E ardhmja e Fiat Chrysler

Vdekja e Sergio Marchionne lë një boshllëk të madh te FCA. A do të ecë Mike Manley në hapat e paraardhësit të tij?

Pyetja se kush do ta zëvendësonte Sergio Marchionne kishte më shumë sesa një vit që diskutohej, që në momentin kur drejtuesi i Fiat Chrysler Automobiles (FCA) njoftoi se do të jepte dorëheqjen më 2019. Por përgjigjja e kësaj pyetje erdhi në një formë tronditëse dhe njëkohësisht tepër të trishtë. Vdekja e Marchionne, në moshën 66 vjeç, u njoftua më 25 korrik, për shkak të komplikacioneve pas një operacioni, shkruan The Economist.

Një përkeqësim i papritur në shëndetin e tij e detyroi bordin e FCA-së që të mblidhej më 21 korrik për të konfirmuar se Mike Manley, shefi i markave Jeep dhe Ram, do të zinte vendin e Marchionne. Situata e papritur nuk i la fare kohë në dispozicion z. Manley për të sistemuar dokumentacionin në kompanitë e tij përpara se ato të kontrolloheshin. Ai bëri publike të gjithë të dhënat e tremujorit të dytë të firmave të tij më 25 korrik, duke theksuar se po e bënte këtë gjë në nder të “një njeriu të veçantë dhe unik”.

Edhe pse atij iu desh të përballej me një sërë shpjegimesh në lidhje me të ardhurat dhe fitimet në rënie për këtë vit, ai gjithashtu konfirmoi se më në fund, nuk kishte më borxhe, duke arritur të përmbushte kështu një prej objektivave kryesore që z. Marchionne kishte për FCA.

Ish-drejtuesi ekzekutiv i FCA-së e kishte përshkruar heqjen e borxhit prej 13 miliardë dollarësh si një “proces shërimi” për Fiat dhe Chrysler.

Të ecësh në hapat e z. Marchionne do të jetë padyshim një sfidë shumë e vështirë.

Ai konsiderohet si një nga yjet e të gjitha kohërave të industrisë së makinave. Pasi shpëtoi Fiat-in nga një falimentim në vitin 2004, ai veproi në të njëjtën mënyrë edhe me Chrysler, duke e shpëtuar atë në prag të krizës financiare në vitin 2009. Edhe pse ai ka punuar me disa prej emrave më të njohur, kjo nuk e ndryshoi atë kurrë. Ai shkonte në takime gjithnjë i veshur shumë thjesht, me një bluzë të zezë (e cila pothuajse nuk mungonte asnjëherë), gjë kjo që sipas z. Marchionne, i kursente atij kohë për t’u marrë me vogëlsira si zgjedhja e një kostumi.

Tek ai mund të shikoje cilësi të ndryshme të karakterit, herë shfaqej shumë i prerë e herë shumë mendjehapur, në një epokë ku drejtuesit e tjerë të kompanive të mëdha të makinave po tregoheshin gjithnjë e më të kujdesshëm për sa i përket përballjes me polemika të ndryshme. Duke mos qenë pjesë e industrisë së makinave, por duke ardhur nga jashtë saj dhe mbi të gjitha trajnimi i tij si llogaritar, i erdhën atij në ndihmë për t’i parë me një sy tjetër, me një sy të kthjellët mangësitë financiare të FCA-së.

Sipas tij, zgjidhja më e mirë ishin bashkimet e mëdha ku do të ndaheshin kostot dhe si rezultat i së cilës do të ekzistonin vetëm disa prodhues të mëdhenj makinash.

Të shumtë kanë qenë edhe pronarët e tjerë të industrisë së makinave që e kanë mbështetur propozimin e tij, por duke preferuar që të krijojnë aleanca me njëri-tjetrin, të cilat sigurisht që sjellim shkurtime kostosh dhe rrjedhimisht kursime, por jo në të njëjtin nivel me atë të bashkimeve të mëdha. Dhe pikërisht një ndër sukseset më të mëdha të z. Marchionne ishte edhe bashkimi i Fiat me Chrysler. Gjithmonë i vëmendshëm për të arritur marrëveshjet më të mira (pothuajse çdo prodhues tjetër i madh makinash ka qenë i përfolur si një prej partnerëve të mundshëm me të cilët ai mund të krijonte një bashkim të madh), disa analistë shprehen se përpara se të tërhiqej nga kjo industri, ai do të përfundonte edhe një marrëveshje shumë të rëndësishme.

Çdo gjë tashmë mbetet në dorë të z. Manley, pasardhësit të tij. FCA kishte deklaruar gjithmonë se pasardhësi i z. Marchionne do të vinte nga brenda kompanisë. Z. Manley, një shitës makinash britanik, ka punuar prej vitesh në këtë kompani, duke ngjitur shkallët e karrierës derisa u bë drejtuesi i markës së famshme Jeep, një nga pjesët më të mira të FCA-së.

Ai u përfshi shumë në planin e fundit pesëvjeçar, i cili u publikua në qershor të këtij viti.

Dhe pikërisht, kjo është edhe një tjetër arritje e z. Marchionne, t’ia lehtësonte detyrën z. Manley, në mënyrë që ai të mos ta kishte atë po aq të vështirë sa paraardhësi i tij. Edhe pse nëpërmjet menaxhimit të mirë, ndarjes së kostove dhe kapitalit, kjo situatë në të cilën ndodhet grupi i madh i FCA-së do të kalohet shpejt, gjithsesi, puna që e pret z. Manley nuk do të jetë e lehtë. Sipas planit të fundit pesëvjeçar, duhet të rritet shitja e markave Jeep dhe Ram, të cilat gjenerojnë dy të tretat e të ardhurave dhe pjesën më të madhe të fitimeve. Në të gjithashtu përfshihet edhe një zgjerim më i madh i markave premium Alfa dhe Maserati.

Ashtu si të gjithë shefat e tjerë të makinave, z. Manley gjithashtu duhet të përballet me kërcënimin e një lufte tregtare globale, si dhe me kërcënimin që i vjen nga një e ardhme e afërt e makinave elektrike dhe atyre me vetëdrejtim.

Por ai do të jetë i vetëm në këtë rrugëtim jo të lehtë, sepse ai nuk do të ketë ndihmën e Alfredo Altavilla, drejtorit për Europën dhe një prej rivalëve kryesorë për zëvendësimin e z. Marchionne, i cili njoftoi më 23 korrik se do të largohej.

Ndërsa Richard Palmer, shefi i Financave, i cili gëzon një respekt shumë të madh në këtë kompani, ka njoftuar se do të vazhdojë të rrijë në këtë kompani.

Ngritja në detyrë e z. Manley nuk ishte i vetmi vendim për John Elkann, kryetarin e Exor, firmës së investimeve të familjes Agnelli që kontrollon FCA. (Z. Elkann gjithashtu është pjesë e bordit të kompanisë mëmë të The Economist).

Duhej gjetur edhe shef i ri për Ferrarin, të cilin z. Marchionne pritej ta drejtonte deri në 2021. Louis Camilleri, një ish-drejtues ekzekutiv në kompaninë e duhanit, do ta drejtojë atë. Drejtimin e CNH ai ia kaloi Suzanne Heywood (e cili është gjithashtu pjesë e bordit të The Economist Group).

Por përveç emërimeve në postet drejtuese, z. Elkann dhe të gjithë grupin FCA e presin vendime më të rëndësishme përpara, ku një ndër më të rëndësishmet është nëse prodhuesi i shtatë më i madh në botë i makinave do të jetë i aftë të mbijetojë në një të ardhme të afërt të makinave me vetëdrejtim dhe elektrike.

Lista e partnerëve të mundshëm po zvogëlohet. Shumica e prodhuesve të mëdhenj të makinave në Perëndim tashmë kanë mjaftueshëm mundësi zgjedhjesh, ndërsa gjigantëve kinezë u mungojnë paratë për të blerë FCA-në. Një ndër veprat më të mira që la pas z. Marchionne është krijimi i një FCA-je, që tani është mjaft e fortë për të qëndruar e vetme.

 

Fraksion.com