AktualitetKosovaTë fundit

Debati për kufijtë, Bushati: Thaçit i duhet thënë “Jo!” e prerë. Nurellari: Po fryhet tepër

“Po të dëgjosh deklaratën e Thaçit, duket që do të bëhet një marrëveshje mes Serbisë dhe me Vuçiçin, ku Kosova do të marrë, por nuk do të humbë. Madje Thaçi ka shkuar deri atje sa ka thënë që edhe nëse marrëveshja nuk realizohet, ai ka një plan B që qëndron vetëm në kokën e tij”, shprehet Adri Nurellari.

Për analistin Andi Bushati presidenti i Kosovës ka diçka që po e mban në errësirë, por me aq sa Thaçi ka thënë deri tani:

“Qëndrimeve të Thaçit u duhet thënë një jo e prerë. Duket sikur e gjithë klasa politike sot në Kosovë dhe Shqipëri është në terr të plotë dhe Hashim Thaçi hedh pak nga pak ndonjë copëz për të bërë komunikimin e tij me publikun. Ne nuk mund të përfshihemi në një proces të tillë pa ditur se deri ku mund të shkohet dhe pa vendosur kornizat e kuqe se deri ku mund të negociohet”, thotë Bushati.

Dikur këshilltar i Thaçit, tani i kryeparlamentarit Kadri Veseli, Adri Nurellari thotë se debati po fryhet tepër. Kosova po përmbush marrëveshjet e nënshkruara me Serbinë dhe veriu i saj është i përfshirë në jetën politike e institucionale të vendit, ndaj sipas tij është iluzion të mendohet që drejtuesit e saj po kërkojnë kthim mbrapa. Komunikimin e presidenti Thaçi me publikun e sheh si mesazh taktik për Brukselin.

“Për t’i vënë fre një përpjekjeje që po bën pala serbe për të përfshirë si pjesë të dialogut shkëputjen e një territori të Kosovës. Ajo kërkon që të bëhet presion ndaj Beogradit që ta pranojë Kosovën kështu siç është”, mendon Nurellari.

Serbia është duke e pranuar këtë realitet sipas tij.

“Pra në një farë mënyrë kjo është një lloj disfate apo dorëzimi nga ana e serbëve të cilët tani janë duke folur jo më Kosova ka për t’u kthyer në Serbi, po janë duke folur të kapim ça të kapim…dhe që gradualisht do konvertohet në një pozicion që Kosova është e pavarur ashtu siç është, por të garantojnë maksimalisht të drejtat e serbëve”, thotë Nurellari.

Nëse për Bushatin krahasimi me ndarjen e kufirit Belgjikë-Holandë është qesharak.

“Duket qesharake që ato 200 metra2 janë tjetër gjë nga problemet e thella që ka Kosova me Serbinë”, deklaron Bushati.
Nurellari beson se ky rast po lakohet për të dhënë mesazhin e fleksibilitetit që mund të kërkojë përcaktimi i vijës së Demarkacionit pas një marrëveshjeje finale me Serbinë.

“Duke pasur parasysh që demarkacioni do të kërkojë elementë teknikë në terren dhe të mos përsëriten rasti i Maqedonisë apo me Malin e zi por të ketë më shume fleksibilitet se sepse me malin e zi pati tre vjet kosto që vonuan vizat”, shprehet Nurellari.

 

Fraksion.com