#MeTwo: Gjerman, por jo gjerman sa duhet? Këngëtarja Y’akoto
Michel Abdollahi, Y’akoto dhe Idil Baydar kanë përvojat e tyre me racizmin. A mund të ndryshojë gjë debati #MeTwo? Artistët përcjellin vështrimin personal për çështjen e identitetit, sot pozicioni i këngëtares Y’akoto.
Kabaretisten Idid Baydar e migrantizojnë herë pas here. Ajo nuk ka migruar kurrë. Rruga e saj për në Gjermani ishte e shkurtër, siç e thotë ajo me dy fjalë në programin e saj në skenë:”nga mitra jashtë”.
Kurse këngëtarja Y’akoto beson se koncepte si atdheu dhe identiteti në një botë digjitale dhe të globalizuar, siç i gjejmë sot, janë të kapërcyera dhe kërkojnë që shoqëria ta ndryshojë mënyrën e të menduarit.
Po si e përjetojnë debatin e #MeTwo dhe çfarë lidhin ata me koncepte si atdheu, identiteti dhe Gjermania? Sot shprehet këngëtarja Y’akoto:
“Gjerman apo jo gjerman? Koncepti është i kapërcyer”
Y’akoto, me emrin e vërtetë Jennifer Yaa Akoto Kieck lindi në 1988 në Hamburg. I ati i këngëtares së muzikës soul dhe autores së këngëve është nga Gana, e ëma nga Gjermania. Deri në vitin e 11-të të jetës ajo u rrit në Ganë. Pastaj familja u rikthye në Hamburg. Ajo ka botuar tre albume. Në këngët e saj ajo dënon problemet e shoqërisë, kundërshton racizmin dhe këndon për problematikën e refugjatëve. Ajo jeton në Hamburg dhe në Paris.
“Çfarë është ky “gjermani” ose “jo-gjermani”? Kjo më duket e kapërcyer dhe anakronike në një botë të globalizuar. Unë besoj te identitetet-cross dhe te trans-identitetet. Por në Gjermani gati sa nuk të shtrëngojnë që të përcaktohesh për një vend, për një kulturë ose për një pasaportë dhe kjo më duket tepër e bezdisshme, sepse frenon zhvillimin e shoqërisë. Është edhe shumë fyese përballë njerëzve, që ndihen mirë në dy identitete dhe jetojnë plotësisht në të dyja ato.
“Unë nuk e torturoj veten, vetëm që të përkas diku!”
Kur hyra në shkollë në Gjermani në moshën 12 vjeçare dhe kur më zemëronin fëmijët gjermanë, unë nuk përpiqesha që edhe të miqësohesha me ta. Unë kërkoja njerëz të ngjashëm me veten dhe përpiqesha të bëja diçka të mirë nga kjo. Kështu që në moshën 15 vjeçare ngrita bandën time të parë muzikore. Unë natyrisht që nuk e torturoj veten që të përkas diku. Po besoj që ky është gabimi, që bëjnë shumë bi-kulturorë: që shpenzojnë deri në sëmundje të gjitha fuqitë, për t’iu përshtatur këtij sistemi gjerman.
Ideja është e mirë që përmes medieve sociale, me Hashtag-un #MeTwo u vu në lëvizje diçka, që bëhet debat. Por shumë më i rëndësishëm është hapi tjetër: që të veprojmë kundër kësaj sistematikisht dhe në mënyrë shkencore. Që për racizmin e përditshëm të flitet dhe të jepet mësim në shkolla. Që të marrim përgatitje ndërkulturore që në kopsht. Sepse ja që ky është realiteti, bota po përzihet gjithmonë e më shumë – kjo është e pandalshme.