Librat që nuk duhet t’i humbisni këtë verë!
Në stinën kur dielli është i fortë dhe ditët janë të gjata, libri mund të shndërrohet në bashkëshoqëruesin tuaj më të mirë. Po cilët janë librat e verës 2018 që shtëpitë botuese këshillojnë? Të rinjtë po blejnë gjithnjë e më pak, librat romancë kryesojnë sërish në listën e dëshirave, ndërsa thriller-at dhe historitë po fitojnë terren… edhe në verë!
Libri nuk është thjesht një mjet për të shtyrë kohën; por mënyra ideale për të pasuruar imagjinatën, për të bërë më të magjishëm momentet dhe për të ndier fuqinë e fjalës së përzgjedhur. Kot nuk thonë që libri ushqen mendjen dhe shpirtin. Por sa lexojnë shqiptarët dhe sidomos, a i ka larguar teknologjia nga ndjesia e shfletimit një libër fizikisht? A lexojnë e-libra apo rrjetet sociale janë konsumi i tyre më i madh?
Sipas botuesve, vera nuk është e mirë vetëm për ata që njihen si libra “të lehtë”, një fenomen që haset edhe në tregjet e tjera, ata pohojnë se në kolanën e librave të verës 2018, ka për të gjitha shijet dhe për çdo lexues. “Mjafton dashuria për të pasur librin në duar dhe për ta shfletuar”, – pohon Loreta Berhami nga shtëpia botuese “Pegi”.
Sipas botuesve, një libër i mirë mbetet i tillë në çdo stinë dhe nuk ka shumë rëndësi nëse është shqip apo në gjuhë tjetër. Megjithatë, sipas tyre, të rinjtë janë shumë më larg se sa duhet të ishin nga leximi dhe kjo ndodh për disa arsye. “Unë jam e mendimit se dashuria për librin kultivohet që në vegjëli. Për këtë duhet të jenë shumë të vëmendshëm prindërit dhe sidomos kurrikula shkollore. Shkolla duhet të gjejë një rrugë të mesme mes edukimit të dashurisë por edhe disiplinës që duhet të shtyjë brezin e ri të lexojë. Në fund të fundit, edhe pse kohet kanë ndryshuar, unë mbaj shumë mirë mend që shkolla na detyronte në lexime që në fund të herës hapnin e zbukuronin mendjet tona. Ndaj kurrikula shkollore duhet të përfshijë lexime në masë të gjerë që në hapat e parë të jetës shkollore.”- thotë Arlinda Dudaj, drejtuese e shtëpisë botuese “Dudaj”.
Kryesojnë romancat
Krahas kremit për mbrojtje nga dielli dhe rrobave të banjës, në çantat e plazhit ka vend dhe për romanet. Shitësit e librarive të Tiranës thonë se në këtë periudhë, kërkesat e lexuesve për të blerë libra janë rritur ndjeshëm. Sipas tyre, tendencat e lexuesve anojnë drejt romaneve rozë. Megjithatë, edhe librat me karakter historik kanë pasur një tendencë në rritje vitet e fundit dhe kjo shihet në titujt që botuesit nxjerrin në treg çdo muaj. Kjo lidhet dhe me mungesën e informacionit që kemi pasur për më shumë se 40 vjet në çështjet e historisë.
Thriller si frymë e re
Rrallë ndodh që të gjesh bashkë dy bestseller të ditëve tona bashkë, në një: Dan Brown dhe Paula Hawkins, ndër shkrimtarët më të lexuar të momentit dhe ke fatin që dy romanet e fundit të tyre, të jenë edhe në shqip: “Origjina” dhe “Nën ujë”. Pushimet tuaja do të jenë krejt ndryshe nëse do të keni në çantën e plazhit këto dy romane të jashtëzakonshme. Nga shtëpia botuese Dituria ju sugjerohet kjo kolanë e cila ka fuqinë, sipas tyre, që t’ju zhysë në ujëra të fantazisë dhe do t’ju nxisin imagjinatën.
Botuesit sugjerojnë…
1.“Origjina” nga Dan Brown, Botimet DUDAJ
Origjina është jashtëzakonisht krijues – romani më i shkëlqyer dhe më zbavitës i këtij autori deri më sot. Robert Langdon, profesor i simbologjisë dhe i ikonologjisë në Harvard, mbërrin në muzeun ultramodern Gugenhajm të Bilbaos për të qenë i pranishëm në një njoftim madhor – paraqitjen e një zbulimi që “do të ndryshojë përgjithmonë fytyrën e shkencës”. Prezantuesi i mbrëmjes është Edmond Kirsh, një miliarder dhe futurist dyzetvjeçar, të cilin, zbulimet mahnitëse në teknologjinë e lartë dhe parashikimet e guximshme e kanë bërë një figurë të famshme globale. Kirsh, që kishte qenë një nga studentët e parë të Langdonit në Harvard para dy dhjetëvjeçarësh, po bëhet gati të shpallë një zbulim të madh të habitshëm – një zbulim që do t’u japë përgjigje dy prej pyetjeve fondamentale të ekzistencës njerëzore.
- “Nën ujë” nga Paula Hawkins, Botimet MORAVA
Autorja e romanit bestseller “Vajza në tren”, Paula Hawkins na paraqet tani një histori mahnitëse, plot kthesa dhe thellësisht të ndier, e cila tregon se sa “mashtruese” mund të jenë emocionet dhe kujtimet, por edhe se në ç’mënyrë shkatërrimtare mund ta zgjasë e shkuara dorën drejt së tashmes. Një nënë beqare gjendet e vdekur në fund të lumit që rrjedh përmes qytezës. Më herët, gjatë po asaj vere, një vajzë e brishtë adoleshente pësoi të njëjtin fat. Ato nuk ishin gratë e para që humbën jetën në ujërat e errëta, por vdekja e tyre e trazoi lumin dhe historinë e tij, duke nxjerrë në dritë sekretet e fshehura prej kohësh. Një vajzë pesëmbëdhjetëvjeçare mbetet jetime. Pa prindër dhe pa miq, e sheh veten nën kujdestarinë e tezes, një grua e panjohur që u kthye në vendlindjen e saj për shkak të tragjedisë, në një vend ku ishte betuar se nuk do të shkelte më kurrë.
- “Për dashurinë dhe demonë të tjerë” nga Gabriel Garcia Marquez, Botimet ONUFRI
Kur një doktoreshë shfaqet në pragun e derës së Marquis de Casalduero-s dhe parashikon një sëmundje tërbimi në qytetin e tyre port në Kolumbi, ai i shpërfill pretendimet e saj – deri në momentin kur dëgjon se vajza e tij e vogël, Sierva María, ishte një nga katër personat e kafshuar prej një qeni të tërbuar dhe e vetmja që kishte mbijetuar. Sierva María duket krejt e padëmtuar – por, ndërsa thashethemet për sëmundjen e tërbimit përhapen, Marquis dhe gruaja e tij, habiten me shëndetin e saj që vijonte të ishte mirë. Në një qytet të mbërthyer nga supersticioni, nuk do të kalojë shumë kohë derisa ata apo kushdo tjetër, ta shohin mbijetesën e saj si të pushtuar nga djalli dhe fuqitë e saj të mbinatyrshme, si shkaktarët e fatkeqësive të qytetit. Vetëm një prift i ri në moshë, i ngarkuar me detyrën për të përzënë shpirtin e keq, kupton shëndetin e mirë të vajzës. Por a mund ta bindë ai qytetin se nuk është vajza ajo që ka nevojë për shërim?
- “Shuma e ditëve” nga Isabel Allende, Botimet DUDAJ
Vitet që pasuan vdekjen e së bijës, Paulës, Isabel Allende i përshkruan në formë ditari, duke bërë një kronikë të familjes, të cilën e ka mbledhur me mund në Kaliforni. Kujtimet ndërthuren me reflektimet mbi jetën, mbi veprën e saj dhe mbi botën bashkëkohore. Marrëdhënia dashurore me burrin e dytë, Uillin, dhe ankthi për të krijuar dhe për të mbrojtur një fis të gjerë familjar janë dy lajtmotivet kryesore që mbajnë unitetin e së tërës. Isabel mban bashkë – në kuptimin e mirëfilltë të fjalës – një klan shumë të larmishëm me njerëz dhe e qeveris si një patriarke e vërtetë. E si mund të dyshosh për këtë prirje të saj pasi ke lexuar “Shtëpia e shpirtrave”?! Dhe, paçka se ndonjëherë bujaria tejkalohet e shndërrohet në ushtrim pushteti dhe në kontroll të jetës së të tjerëve, është po kaq e vërtetë se nga ky portret i gjallë dalin në pah vlerat e padiskutueshme të familjes së zgjeruar, si vend i dashurisë dhe i mirëkuptimit. Nëse aventurat e fisit dhe “të mbretëreshës” së tij luajnë rolin kryesor, nuk mungojnë reflektimet mbi pasiguritë e kohës, mbi dobësitë e një karakteri të fortë, mbi shpërblesën e shpirtgjerësisë, mbi aftësinë për të ndryshuar dhe, tekefundit, mbi dhuntinë për ta parë veten në mënyrë ironike.
- “Matja e botës” nga Daniel Kehlmann, Botimet PEGI
Romani ngjall emocione thellësisht frymëzuese rreth përpjekjeve të racionalitetit më të lartë në betejë me natyrën e egër dhe mizore të njerëzimit. Në vitin 1828, Gausi, një matematikan, fizikan dhe astronom ftohet, nga Aleksandër fon Humbold, eksplorues, gjeograf dhe shkencëtar, të shkojë në Berlin ku do të mbahet një kongres shkencëtarësh. Gausi nuk ka aspak dëshirë të marrë pjesë, nuk i pëlqen të udhëtojë, njerëzit nuk para i interesojnë; është tip i vetmuar, tejet kritik dhe gërnjar, por Humboldi është më kokëfortë dhe arrin ta bindë.
Takimi midis dy prej mendjeve më të ndritura të Gjermanisë iluministe i jep autorit shkas për të rrëfyer jetën e tyre jashtëzakonshme, që nga fëmijëria e deri në takimin e vitit 1828, duke përfshirë edhe përshkrimin lehtësisht të kuptueshëm të teorive që kanë themeluar gjeografinë dhe matematikën moderne.
Autori e shoqëron lexuesin në udhëtimet e Humboldit mbi lundra të pabindura, në majat e maleve më të larta e në thellësitë e kratereve e shpellave më të fshehta. Lexuesi përhumbet në magjinë gjeniale të zbulimeve të Gausit, duke qeshur me manitë e tij, duke u pasionuar pas ideve dhe mënyrës se si e shihte botën ai, jetën dhe të ardhmen. Ky është portreti entuziast e i përkushtuar i gjigantëve të shkencës dhe kulturës, të cilët zbresin nga piedestali dhe kthehen në personazhet zbavitëse të një komedie, tejet të saktë nga pikëpamja historike.
- “Historia e vajzës së humbur” nga Elena Ferrante, Botimet PEGI
“Historia e vajzës së humbur” është vëllimi i katërt dhe i fundit i “Mikeshës gjeniale”, sagës që e ngriti autoren në shkallën e një prej shkrimtareve më të mira në botë. Prandaj Guardian shkruan për këtë sagë: “Kurrë më parë s’është botuar diçka e tillë”.
Dy heroinat, Lina dhe Elena, tashmë kanë mbi shpinë një jetë plot ngjarje, zbulime, rrëzime dhe “rilindje”. Elena, shkrimtare e njohur, nënë e dy vajzave, kthehet në Napoli për t’i rënë pas një dashurie rinore, që u bë sërish e pranishme në jetën e saj të re. Lina nuk është larguar kurrë nga Napoli, ku arriti të ngrinte një karrierë të mahnitshme si sipërmarrëse informatike, duke ushtruar më shumë se kurrë rolin e saj karizmatik dhe magnetik si lidere e fshehtë, por e vërtetë e lagjes. Dy gratë, pole vërtet të kundërta të së njëjtës forcë, takohen dhe përplasen, ndikojnë mbi njëra-tjetrën, largohen e sërish gjenden, zilepsen dhe admirojnë sho-shoqen.
- “Kthimi” nga Albatros Rexhaj, Botimet BUZUKU
Albatros Rexhaj është shkrimtar që e ka gjetur rrugën te shumë lexues. Sinqeriteti dhe thjeshtësia e tij krijuese, trajtimi pa ekuivokë dhe pa komplekse i temave, origjinaliteti krijues, e ka bërë emrin e tij të pranishëm në letërsinë shqipe. Mos hezitoni ta lexoni: Nuk është shkrimtari tipik që do ta hasni.
- “Tetë malet” nga Paolo Cognetti, Botimet PEGI
Pietroja është një djalë qyteti, vetmitar e paksa idhnak. E ëma punon në një konsultore periferie dhe dhuntia e saj është të shqetësohet për të tjerët. I ati është kimist, një njeri sedërmadh e magjepsës, që kthehet nga puna në shtëpi çdo ditë i xhindosur. Prindërit e Pietros i lidh një pasion i përbashkët, themeltar: janë njohur, dashuruar, madje dhe janë martuar në mal, në rrëzë të Tri Majave të Lavaredos. Mali i ka lidhur ngaherë, edhe në tragjedi, e vija e horizontit të Milanos i ngjall herë keqardhje e herë mall. Kur zbulojnë fshatin e Granës, në rrëzë të Malit Roza, e ndiejnë se kanë gjetur bash atë që kërkonin: Pietroja do t’i kalojë të gjitha verat në atë vend “të mbyllur nga mali prej kreshtave ngjyrë hiri të metalizuar dhe nga lugina prej një shkëmbi të thepisur që nuk linte shteg për të hyrë”, por i përshkuar prej një përroi që e magjeps Pietron sa e sheh.
Për të pasionuarit e e-book
Ka disa burime online ku mund të gjeni përmbajtje me akses të hapur për të gjithë të pasionuarit e versionit online të librave, ja disa prej tyre:
Project Gutenberg. Koleksioni përmban më shumë se 45.000 libra elektronikë dhe qasja nuk është e nevojshme me asnjë regjistrim ose para.
Bookboon. Nëse jeni duke kërkuar për një libër të biznesit apo tekstit shkollor, kjo bazë të dhënash ofron më shumë se një mijë libra. Kërkimi është me të vërtetë i thjeshtë dhe nuk kërkon regjistrim.
ManyBooks.net. Kjo faqe ofron më shumë se 29,000 tituj. Librat mund të lexohen me një shumëllojshmëri të platformave.
Free e-books. Nga romanca përmes misterit e deri te drama. Kjo faqe ua ofron të gjitha zhanret e librave.
Kohë e mirë për blerje
Vera është periudha ku njerëzit blejnë më shumë dhe lexojnë më shumë libra, pavarësisht se sipas disa shtëpive botuese, leximi nuk është në nivelin që duhet të ishte. Sipas një vëzhgimi me disa nga libraritë e kryeqytetit, në këtë stinë ka shumë njerëz që u drejtohen atyre për të marrë titujt e tyre të preferuar. Dhe në fakt, ajo që bie në sy është se nuk marrin një titull, por disa. Në përgjithësi kanë blerë libra me disa vëllime, përgjithësisht romanca ose thriller. Ndoshta për t’i lexuar deri në fund të verës. Grupmosha që kryeson është 25-40 vjeç.
Sa lexohet libri?
Industria e librit në Europë po jeton momentalisht një periudhë dixhitalizimi. Sidoqoftë, shumica e dashuruesve të librit mbeten besnikë ndaj formës së printuar. Një studim i kryer në Francë në vitin 2017 tregoi se rreth 59% e lexuesve të librit të shtypur nuk kanë ndër mend të lexojnë në formatin dixhital. Opinionet janë të ngjashme në Spanjë; në vitin 2017, rreth 79% e të anketuarve lexonin libra të shtypur, ndërsa vetëm 11.1% parapëlqenin kopjet dixhitale. Me librat e shtypur që janë metoda e preferuar e leximit në Europë, tregu i e-librave mbetet më i dobët. Një studim tregoi se në 2017, e-libra do të përbëjnë rreth një të pestën e të gjitha shitjeve të librit në Europë, por ende nuk kanë dalë shifrat zyrtare. Ndërsa një studim i NOP World në 2016, agjenci e cila merret me kërkimet, ku është analizuar një kampion prej 30,000 personash në të gjithë botën, tregon se njerëzit shpenzojnë mesatarisht gjashtë orë e gjysmë në javë për të lexuar. Një shifër shumë e ulët nëse krahasohet mesatarisht me 16 orë e 36 minuta në javë që i dedikohet televizionit apo 8 orë e 45 minuta që kalohen përpara kompjuterit. Studimi tregon se populli më virtuoz në lexim është ai indian, me 10 orë e 42 minuta që kalojnë mesatarisht në javë për të lexuar libra apo gazeta. Më pas vjen Tajlanda me 9 orë e 36 minuta e Kina me 8 orë.
Financial Times: Çfarë librash duhet të lexoni në verën e 2018?
– Caroline’s Bikini, nga Kirsty Gunn, Faber (14.99 paund)
Një histori dashurie nga autori i mirënjohur që ka marrë çmime të shumta me bestseller e tij “The Big Music”
-The Mars Room, nga Rachel Kushner, Cape (16.99 paund)
Një novelë e cila flet për një grua të burgosur, nga autori i mirënjohur i “The Flamethrowers”.
-Warlight, nga Michael Ondaatje, Cape, (16.99 paund)
Novela e parë në shtatë vite e autorit të së famshmes “The English Patient”.
-In Pursuit of Civility: Manners and Civilization in Early Modern England, nga Keith Thomas, Yale, (25 paund) roman historik
-The Inner Level, nga Richard Wilkinson dhe Kate Pickett, Allen Lane (20 paund)
Një analizë e hollë e efekteve të pabarazisë në shëndetin e popullatës.
-History of Violence, nga Edouard Louis, Harvill Secker (14.99 paund)
Autobiografi
-The Silence of the Girls, nga Pat Barker, Hamish Hamilton (16.99 paund)
Një autor i mirënjohur për novela lufte, kësaj here treguesja e historisë është një grua./Monitor
Fraksion.com