Efekti i TVSH; Bizneset tregtuese u favorizuan nga inventarët, më të prekura shërbimet
Data 16 korrik shënoi pagesën e parë për rreth 11 mijë e 700 biznese të vogla që u përfshinë në skemën e TVSH-së. Në tremujorin e parë, bizneset tregtuese u favorizuan nga inventari, i cili rriti shumën e TVSH-së së kreditueshme, ndërsa më të prekurat ishin shërbimet. Ekonomistët shprehen se tremujori i dytë do të tregojë sa do t’i rëndojë TVSH-ja bizneset. Qëllimi kryesor i uljes së pragut të TVSH ishte ulja e informalitetit dhe mbyllja e zinxhirit të TVSH-së. Kjo nuk ka ndodhur deri tani. Aktorët e tregut pohojnë se informaliteti është rritur si te të mëdhenjtë, ashtu dhe të vegjlit. Këtë e konfirmon edhe fakti që TVSH-ja e brendshme ka qenë me rënie, që nga 1 prilli
Nga Ledina Loga
Bizneset që u përfshinë në skemën e TVSh-së, pas uljes së kufirit nga 5 në 2 milionë lekë në fuqi nga 1 prilli, paguan për herë të parë më 16 korrik TVSH të thjeshtuar për muajt prill, maj dhe qershor (TVSH e thjeshtuar paguhet një herë në tre muaj).
Fatos F. (emër i ndryshuar), punon prej vitesh si kontabilist i shumë bizneseve në Tregun e Medresesë. Prej pothuajse 100 bizneseve të vogla që iu bënte mbylljet vjetore dhe deklarimin tremujor të siguracionave, më shumë se gjysma u përfshinë në skemën e TVSH-së. Shuma mesatare që kanë paguar bizneset që mban ai, varion nga 60,000-100,000 mijë lekë, megjithatë shton se një pjesë e tyre nuk kanë paguar, se kanë pasur mundësi që të shkarkonin inventarin e një viti (1 prill 2017 – 1 prill 2018).
“Mbetet për t’u parë në tremujorin tjetër situata financiare e bizneseve dhe nëse do të arrijnë që të përballojnë shpenzimet”, thotë ekonomisti për “Monitor”.
Të mëdhenjtë faturojnë më pak, të vegjlit nuk presin kuponët
Elona prej shumë kohësh ka hapur një dyqan ku tregton rroba me pakicë. Edhe pse ka pak kohë që ka nisur aktivitetin u përfshi në skemën e TVSH-së. Ajo thotë se pagesa e parë e TVSH-së ishte një shumë modeste, duke qenë se kishte pasur faturat e blerjeve të një viti, të cilat i kishin dhënë mundësi që të shkarkonte TVSH-në.
Problem kryesor për sa i përket TVSH-së është faturimi fiktiv i bizneseve të mëdha ku ajo bën furnizimet. “Për një bluzë që unë e marr me çmim real prej 1200 lekësh, biznesi ku bëj furnizimin ma faturon me vlerë 500 lekë. Përveçse kreditoj një shumë të ulët të TVSH-së, e nxjerr biznesin tim sikur punon me marzhe të larta fitimi. Në rast kontrolli nga tatimorët, kjo do më nxirrte zbuluar”, – tregon ajo për “Monitor”.
Megjithatë, përveç çmimeve më të ulëta, Elona thotë se shpesh edhe njësitë që blen nuk i merr të deklaruara plotësisht.
“Tani që jam e përfshirë në skemën e TVSH-së, më intereson që mallin ta marr me faturë të saktë, por grosistët nuk tolerojnë dhe në rast se kërkojmë fatura të sakta, nuk pranojnë të na shërbejnë”, – shton ajo.
Ajo thotë se përpiqet që të mos presë kuponë tatimorë përtej një shume të caktuar, që ia ka thënë ekonomistja, e cila i bën mbylljet vjetore. Si arsye kryesore të këtij veprimi, për të cilin ajo është e ndërgjegjshme që është kundër ligjit, është frika e dështimit të biznesit të saj.
“Në rast se do t’i deklaroj të gjitha, detyrimet do të jenë aq të larta sa nuk do të mbyll dot as shpenzimet dhe jo më të nxjerr një fitim për vete” – shton ajo.
Të njëjtën arsye për “evazionin” me prerjen e kuponëve e jep edhe pronari i bar-kafesë që punon ngjitur me dyqanin e Elonës. Ai tregon se grosistët e kafesë nuk i lëshojnë fatura të sakta. Edhe pse ora shënon 12:00, në faturën tatimore që ka sjellë për porosinë është shkruar ora 9:47.
Pronari thotë se ka vendosur të rrezikojë duke qenë i ndërgjegjshëm se ndryshe nuk ia del dot. “Nëse deklaroj çdo kafe në dyqan, unë nuk ia dal dot. Qiranë e kam shumë të lartë, edhe pse në kontratë kemi deklaruar një shumë disa herë më të ulët.
Synimi i qeverisë nuk ishte të mblidhte para nga biznesi i vogël, por nga i madhi, pasi ky i fundit ishte ankuar se nuk mund të shkarkonte dot faturat e TVSH-së, pasi të vegjlit nuk i merrnin nga frika se mos kalonin kufirin. Për këtë arsye, qeveria e uli kufirin nga 5 në 2 milionë lekë, në mënyrë që biznesi i vogël të nxitej të merrte fatura me TVSH.
Megjithatë, përveç bizneseve të mëdha që nuk lëshojnë fatura të sakta, janë edhe bizneset e vogla që nga frika se mos kalojnë në fashën e përfshirjes me TVSH, nuk pranojnë që të marrin fatura nga grosistët.
Burime nga tregu pohuan se ulja e kufirit e ka shtuar dhe më shumë këtë tendencë, pra subjektet e vogla po kryejnë furnizime në minimum, në mënyrë që të mos kalojnë pragun e 2 milionë lekëve.
Më të prekura, bizneset e shërbimit
Janë bizneset e shërbimit që e kanë ndier më së shumti pagesën e TVSH për herë të parë. Për shkak se këto subjekte nuk kanë pasur mundësi që të shkarkojnë TVSh, pasi kanë shumë pak blerje, TVSH-ja për t’u paguar ju ka rezultuar e rëndë për xhepat e tyre. Rajmonda S., është e punësuar në një byrektore në zonën e Tiranës së Re. Më 16 korrik, pronarët e dyqanit bënë pagesën e parë si biznes me TVSH. Sipas Rajmondës, shuma ishte e lartë dhe ka pasiguri për vendin e punës.
Bizneset që janë shërbime dhe nuk kanë pothuajse fare TVSH në zbritje, s’kanë ku ta amortizojnë koston e saj. Dhe për këto biznese është fatal kalimi në TVSH, sepse automatikisht shteti i fut në xhep dhe i merr 20% të xhiros së tij bruto.
Edhe një pjesë e tregtarëve të fruta-perimeve te Lulishte 1 maji u përfshinë në skemën e TVSH-së. Në tre muajt e parë H. E., ka paguar 6,241 lekë. Sipas të dhënave të detajuara në Urdhër-Pagesën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, TVSH-ja e kreditueshme ka qenë 1,963 lekë, ndërsa TVSh e mbledhshme 8204 lekë.
Fatale për shërbimet
Bizneset që janë shërbime dhe nuk kanë pothuajse fare TVSH në zbritje, s’kanë ku ta amortizojnë koston e saj. Dhe për këto biznese është fatal kalimi në TVSH, sepse automatikisht shteti i fut në xhep dhe i merr 20% të xhiros së tij bruto.
Rritje e informalitetit
Ulja e kufirit e ka shtuar dhe më shumë informalitetin, me subjektet e vogla që po kryejnë furnizime në minimum dhe nuk shtypin kuponët, në mënyrë që të mos kalojnë pragun e 2 milionë lekëve dhe bizneset e mëdha që japin fatura me çmime fiktive më të ulëta.
Kush nuk deklaroi mori penalitet
Nga 11,700 biznese që u përfshinë në skemën e TVSH-së, 11,340 subjekte kanë mbyllur detyrimet që i përkasin fashës 2 deri në 5 milionë lekë, sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Kjo shifër përbën rreth 97% të totalit të deklaratave të gjeneruara nga sistemi, për tatimpaguesit e vegjël, të cilët mbartën detyrimin për të deklaruar dhe për të paguar TVSH-në. Administrata Tatimore, nga data 1-16 korrik, ofroi për 900 subjekte të biznesit të vogël asistencën e nevojshme për plotësimin e librave të shitjes dhe blerjes, si dhe plotësimin e deklaratës së thjeshtuar të TVSH-së.
Për të gjithë ato biznese që nuk kanë përmbushur detyrimet e tyre tatimore, penaliteti për çdo deklaratë të padorëzuar ka qenë 5 mijë lekë. Ndërsa për ato që e kanë plotësuar gabim, nuk ka pasur penalitete.
Efekti real do të ndihet tremujorin e ardhshëm
Një pjesë e bizneseve të tregtisë nuk kanë paguar shumë TVSH në tremujorin e parë të zbatimit të tij, pasi kanë pasur mundësi që të shkarkonin inventarin e një viti (1 prill 2017 – 1 prill 2018). Efekti i vërtetë do të ndihet në tremujorin e dytë, kur subjektet nuk do të kenë luksin të shkarkojnë faturat e një viti, por vetëm të tremujorit korrent
Ulja e pragut të TVSH rriti informalitetin?!
Përpjekja e qeverisë për të rritur të ardhurat nga TVSH nëpërmjet përfshirjes në TVSH të bizneseve me xhiro 2 milionë lekë në vit të vogël ka dështuar për të tretin muaj radhazi.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, të ardhurat nga TVSH-ja e brendshme jo vetëm që nuk u rritën, por pësuan ulje me 7.1% (420 milionë lekë) krahasuar me qershorin e vitit të kaluar. Në terma realë TVSH ka pësuar rënie për të tretin muaj radhazi (që kur nis aplikimi në biznesin e vogël më 1 prill) duke akumuluar një rënie në terma realë për 6-mujorin me 3% (531 milionë lekë).
Me gjithë kundërshtitë që erdhën nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe ekspertët ekonomisë, Ministria e Financës arsyetoi se TVSH në biznesin e vogël në vetvete nuk do të kishte ndikimin në rritjen e barrës fiskale te kjo kategori biznesi, porse do të nxiste shkarkimin e TVSH-së nga bizneset e mëdha e për pasojë do të rriste të ardhurat në buxhet.
Vitin e kaluar kur u propozua ulja e pragut të TVSH-së, ministri i Financave, Arben Ahmetaj, në takim me bizneset në Lushnjë deklaroi, se për “as për konsumatorin dhe as për biznesin e vogël, nuk ka asnjë kosto të re. Ajo që është e re, është filozofia që ne nuk do merremi me ato që ka biznesi i vogël, e gjithë logjika është të fokusohemi tek biznesi i madh.
Për të ndarë me ju një statistikë domethënëse, çka vjen nga biznesi i vogël është 0,8% e të ardhurave nga TVSH-ja. Tani secili mund ta kuptoj qartë se si mundet që një administratë të fokusohet tek 0,8% dhe jo tek 99%? Pra fokusi ynë është zinxhiri i transaksionit tek biznesi i madh për ta detyruar biznesin e madh dhe për ta skanuar transaksionin e tij nga A tek ZH, pra deri te konsumatori.”
Mirëpo duket se filozofia e vënies së tatimit mbi biznesin e vogël me synimin për të kapur të madhin nuk ka funksionuar në tre muajt e parë të aplikimit të tatimit.
Ministria e Financave thotë se politika ka qenë e efektshme, porse të ardhurat nga TVSH-e brendshme kanë ardhur për shkak të mosfunksionimit të të rafinerisë së ARMO-s.
Që në tetor të vitit të kaluar, kur qeveria prezantoi planin e saj për të ulur pragun e TVSH-së, FMN-ja e shprehu hapur skepticizmin e saj. Më herët, ish përfaqësuesi i përhershëm i FMN-së, në Shqipëri, Jens Reinke, është shprehur se “Pas vlerësimeve të shumta nga ekspertët tanë të taksave, ne e kemi këshilluar qeverinë fuqimisht kundër uljes së kufirit të TVSH-së nga niveli aktual.
Ndërmarrjet e vogla përbëjnë gjysmën e të gjithë bizneseve, por sjellin vetëm 2% të transaksioneve të taksueshme. Zgjerimi i sistemit të TVSH-së do të jetë një barrë shumë e rëndë për burimet e Departamentit të Taksave. Informaliteti dhe evazioni i taksave mund të rritet dhe eficenca e administratës së taksave ka të ngjarë të bjerë. Sipërmarrjet e vogla do të mund të përballen me një barrë të shtuar të kërkesave për raportime”.
Fraksion.com