AktualitetBota+Të fundit

SHBA: Rikthehet vëmendja te sportistët që protesojnë gjatë ekzekutimit të himnit

Ndërsa sezoni përgatitor për Ligën Kombëtare të Futbollit (NFL) filloi të enjten në mbrëmje për shumë ekipe, disa lojtarë vazhduan ta kundërshtojnë Presidentin Donald Trump dhe të protestojnë kundër padrejtësive racore gjatë ekzekutimit të himnit kombëtar.

Që nga sezoni i vitit 2016, disa lojtarë të NFL-së janë ulur në gjunjë ose kanë kthyer shpinën në fushë gjatë ekzekutimit të himnit. Në Shtetet e Bashkuara është e zakonshme të qëndrosh me dorën mbi zemër, ndërsa ekzekutohet himni.

Në shtator 2017, gjatë një tubimi në Alabama, zoti Trump shprehu dëshirën e tij që çdo lojtar që protestonte gjatë himnit ta largonin nga skuandra, duke iu referuar çdo lojtari që protestonte si “bir bushtre”.

Presidenti Trump u bëri jehonë këtyre kritikave në Twitter të premten në mëngjes, duke u bërë thirrje lojtarëve të “qetësohen”.

“Gjeni një mënyrë tjetër për të protestuar. Qëndroni me krenari ndaj himnit tuaj kombëtar ose do të pezulloheni pa u paguar! “shkruante zoti Trump.

Në maj, pronarët e Ligës Kombëtare të Futbollit (NFL), disa prej të cilëve kanë dhënë donacione për zotin Trump gjatë fushatës së tij zgjedhore, miratuan një masë që i detyronte lojtarët të “ngrihen dhe të tregojnë respekt për himnin”, ndërsa ata lojtarë që nuk do ta respektonin këtë vendim do të rrezikonin të gjobiteshin nga Liga. Bashkimi i lojtarëve të NFL tha se nuk ishte pyetur për këtë vendim dhe ka paraqitur një ankesë kundër Ligës mbi këtë çështje.

NFL njoftoi këtë javë nëpërmjet një deklarate se do ta “shtynte zbatimin e rregullave të punës së klubit që mund të rezultonin në ndëshkimin e lojtarëve për sjelljen e tyre gjatë ekzekutimit së himnit”.

 

Fraksion.com