Paraja në qarkullim vijon të tkurret, ra me 1.2 % në tre-mujorin e dytë
Ekonomia këtë vit është rritur me ritmet më të larta, punësimi gjithashtu, por në kundërt të këtyre zhvillimeve qarkullimi i parasë në ekonomi vijon të bjerë.
Banka e Shqipërisë raportoi se, treguesi i parasë në monedhë vendase, agregati M2, vijon të shfaqë tkurrje në terma vjetorë. Ai ka thelluar normën vjetore të tkurrjes në 1.2% mesatarisht në tremujorin e dytë të vitit.
Banka e Shqipërisë analizon se ecuria e ofertës monetare vijon të kushtëzohet nga financimi i pakët i qeverisë me mjete monetare të brendshme. Kontributi i kredisë për sektorin privat në rritjen e masës monetare mbetet gjithashtu në nivele të moderuara, duke reflektuar aktivitet kreditues ende të plogësht. Kushtëzimet në rritjen e masës monetare, në kahun e pasivit të sistemit bankar, vijojnë të reflektojnë ndryshimet strukturore të zhvendosjes së depozitave në maturitete mbi dy vjet.
Ekspertët e Bankës sqarojnë se, ecuria e këtij treguesi reflekton nga njëra anë krijimin e ulët të parasë në lekë dhe nga ana tjetër ndryshimin e pjesshëm të formës së mbajtjes së kursimeve të individëve: nga depozita nën dy vjet, në depozita me afat maturimi mbi dy vjet dhe, në një masë më të madhe, në investime në letra me vlerë të qeverisë. Duke e rregulluar për këtë efekt, norma vjetore e agregatit M2 shfaq rritje me 1.5% vit mbi vit.
Gjithashtu agregati i parasë likuide, M1, ka shënuar ngadalësim të ritmeve të rritjes, në 4.1% në terma vjetorë mesatarë. Paraja jashtë bankave, në fund të muajit qershor, përbën rreth 35.8% të agregatit M2, ose rreth 27.3% të agregatit M2 të rregulluar.
Paraja e gjerë në ekonomi ka vijuar të zgjerohet me ritme të moderuara, në tremujorin e dytë të vitit. Korrektuar për kursin e këmbimit, norma vjetore e rritjes së agregatit M3 është luhatur rreth vlerës 2%, në ngadalësim të mëtejshëm krahasuar me një tremujor më parë.
Në kahun e aktivit të sistemit bankar, krijimi i parasë në ekonomi është mbështetur nga zgjerimi i mjeteve valutore neto të sistemit bankar, të cilat bartin efektin kryesor të mbiçmimit të monedhës vendase.
Fraksion.com