ONM kundër konfirmimit të gjykatësit Malaj
Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM), organi i përbërë nga ekspertë europianë dhe amerikanë, të cilët ndjekin procesin dhe kanë një rol këshillues, i ka rekomanduar sot, Komisionerëve Publikë që të ankimojnë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) me anë të të cilit u konfirmua në detyrë gjyqtari pranë Gjykatës administrative të Apelit Artur Malaj.
Gjatë seancës dëgjimore, përfaqësuesi i ONM-ës, i kërkoi atij shpjegime të shumta rreth një morie pikëpyetjesh lidhur me pasurinë e tij. Banesat në zotërim të gjyqtarit dhe veçanërisht pronat në apartamente dhe sipërfaqe tokash në emër të kunatit të tij, ishin një tjetër pikë në të cilën u ndal si trupa e KPK-ës ashtu dhe përfaqësuesi i ONM-ës.
Ndaj Malajt ka patur dhe raportime të shumta të institucioneve të sigurisë, si Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Kualifikuar, (DSIK) për dyshime për korrupsion pasiv dhe lidhje me elementë kriminalë. DSIK-ja i kishte dërguar Komisionit një vlerësim negativ për gjyqtarin duke e cilësuar të papërshtatshëm për të vijuar detyrën, por KPK vlerësoi se dyshimet nuk kishin qenë të mbështetura në prova.
Pas rekomandimit të ONM-ës, është në dorën e Komisionerëve Publikë të vendosin nëse do të bëjnë ose jo ankim. Përmes një njoftimi zyrtar, Komisionerët Publikë, shpjeguan se pasi t’u jetë njoftuar “vendimi me shkrim i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit do ta shqyrtojnë atë krahas rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit”. Vendimi për kreun e Gjykatës së Lartë u mor më 3 Gusht, dhe KPK, sipas ligjit, ka afat 30 ditë, për t’ia njoftuar me shkrim Komisionerëve, të cilët nga ana e tyre kanë 15 ditë për të vendosur.
Një ditë më parë ONM-ja rekomandoi ankimim edhe për gjyqtarin e Gjykatës Administrative Gentian Medja dhe prokurorin e Krimeve të Rënda Gentian Osmani, gjithashtu të konfirmuar në detyrë. I njejti rekomandim është bërë më parë dhe për Kryetarin e Gjykatës Kushtetues Bashkim Dedja dhe atë të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori.
Fraksion.com