AktualitetEkonomiTë fundit

Dollari në rritje të fortë, BSH mban nën kontroll rënien e euros

Dollari amerikan ka shënuar një rritje të fortë gjatë ditës së sotme në tregun e brendshëm, duke arritur afër nivelit të janarit, ndërsa euro ka shënuar një rënie të lehtë, pasi Banka e Shqipërisë blen vazhdimisht tepricën e euros në treg, duke mos lejuar nënçmimin e fortë të saj.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një dollar është këmbyer sot me 109.37 lekë, me një rritje prej 1.08 lekë në krahasim me ditën e mëparshme.

Ndërsa euro ka rënë me 0.07 lekë, duke u këmbyer me 125.48 lekë, niveli më i ulët që nga fillimi i qershorit, kur Banka e Shqipërisë filloi ndërhyrjet në tregun e brendshëm valutor.

Në bursat ndërkombëtare euro shënoi një rënie të fortë sot, duke zbritur në në 1.146 USD, si rrjedhojë e shqetësimeve të rritura nga kriza turke, ku lira arriti në nivelet minimale historike të saj dhe Banka Qendrore Europiane shprehu shqetësimin për ekspozimin që mund të kenë disa banka të BE-së ndaj huamarrësve në Turqi.

Por, në tregun shqiptar rënia e euros ishte shumë më e ulët në raport me tkurrjen e monedhës së përbashkët në bursa dhe kjo çoi në mbiçmimin e fortë të dollarit për të ruajtur raportet e këmbimit me bursat ndërkombëtare. Euro tradicionalisht është e dobët në muajin gusht për shkak të prurjeve të larta nga turistët dhe emigrantët, por këtë vit Banka e Shqipërisë është vazhdimisht e pranishme në treg, për të mos lejuar një ulje të pakontrolluar të monedhës së përbashkët.

Banka e Shqipërisë bëri të ditur dje në raportin e politikës monetare të tremujorit të dytë se  ndërhyrjet në tregun valuator do të vijojnë të përdoren deri kur rreziqet me origjinë kursin e këmbimit të menjanohen.

Banka analizon se, mbiçmimi i kursit të këmbimit në gjysmën e parë të vitit 2018 shkoi përtej trendit forcues të diktuar nga faktorët strukturorë. Ky mbiçmim pasqyroi një koncensues të fortë të pritjeve rreth forcimit të mëtejshëm të kursit të këmbimit në të ardhmen, duke sjellë ndryshimin e sjelljës së agjentëve dhe operatorëve të tregut valutor dhe duke rezultuar në një zhballancim të raporteve ndërmjet kërkesës dhe ofertës për valutë./Monitor

 

Fraksion.com