AktualitetBota+Të fundit

Athina: dëbimi nga Rusia i diplomatëve grekë akt arbitrar

Autoritetet greke thanë sot se dëbimi nga Rusia i diplomatëve grekë ishte “arbitrar” dhe nuk bazohej në prova, pas një lëvizjeje të ngjashme nga Athina muajin e kaluar.

“Vendimi i palës ruse është arbitrar, hakmarrës dhe nuk bazohet në asnjë provë,” thuhet në një deklaratë të ministrisë së Jashtme greke.

“Duam t’u kujtojmë miqve tanë rusë se asnjë vend në botë nuk mund të tolerojë përpjekje për t’i dhënë rryshfet zyrtarëve shtetërorë, për të minuar politikën e jashtme dhe për të ndërhyrë në çështjet e brendshme të tij”, thuhej në njoftim.

Në muajin korrik Greqia dëboi dy diplomatë rusë dhe ndaloi dy qytetarë rusë të hyjnë në vend, të akuzuar për ndërhyrje në marrëdhëniet e tyre me Maqedoninë.

Sipas kanalit televiziv publik grek ERT1, Athina akuzonte zyrtarët rusë se po përpiqeshin të nxisnin protesta kundër një marrëveshjeje të kohëve të fundit me Shkupin, lidhur me emrin e ri zyrtar për Maqedoninë.

Athina dhe Shkupi nënshkruan një marrëveshje në qershor për të zgjidhur mosmarrëveshjen disa vjeçare lidhur me përdorimin e emrit Maqedoni, që është gjithashtu emri i një krahine në veri të Greqisë.

Rusia ka nxitur zemërimin e Greqinë edhe me marrëveshjen për shitjen e raketave të mbrojtjes ajrore S-400, rivalit rajonal të saj, Turqisë.

 

Fraksion.com