AktualitetKosovaTë fundit

Veseli: Deklaratat e liderëve për territorin s’dëmtojnë sovranitetin; Kosova s’do të ndahet

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se Kosova është një dhe nuk do të ndahet, raporton Ekonomia Online.

Sipas tij, deklarata e liderëve s’dëmtojnë sovranitetin e vendit, duke folur rreth komenteve të fundit të presidentit Hashim Thaçi për mundësinë e bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën.

Por edhe komentet e kryeministrit Ramush Haradinaj, se kufijtë mund të ndryshohen vetëm me luftë, ngase veç ashtu janë përcaktuar.

Por sipas tij, çdo deklaratë tjerë, çdo qëllim tjetër është një lojë për të nxitur pasiguri dhe frikë, e që nuk i bën “hajr” Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Veseli shtoi se shteti është i shenjtë dhe nuk është çështje e deklaratave dhe se çështja e kufijve lidhet shumë me sakrificat në të kaluarën, por edhe më shumë me të ardhmen.

“Kosova është një, është bashkë dhe të largohen ëndrrat e dikujt se Kosova mund ta ndahet ose ta cenojnë në ndonjë aspekt. Nuk kam parë ndonjë aspekt tek deklaratat e liderëve në të cilën mundet dikund me u nxit ndonjë çështje që e dëmton shtetin dhe sovranitetin”.

“Për neve është shteti i shenjtë dhe nuk është çështje e deklaratave, çështja e kufijve është çështje e shenjtë për ne e cila lidhet shumë me sakrificat në të kaluarën, por edhe më shumë me të ardhmen ku dëshirojmë të jemi”.

“Kosova do të shkoj në dialog, e pret nga dialogu njohjen e shtetit tonë të pavarur dhe sovran anëtarësimin në organizata të Kombeve të Bashkuara, ruajtja e partneriteti me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian”.

“Ky është qëllimi jonë edhe e çdo deklaratë tjerë çdo qëllim tjetër më tepër është një lojë për me nxit pasiguri për me nxit frikë dhe për me nxit paqartësi e cila ma së pakti i bën ‘hajr’ Kosovës dhe qytetarëve tanë”.

Këto komente ai i bëri kur bashkë me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, vizituan Stadiumin Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë, për të parë nga afër situatën në këtë stadium dhe nevojat të cilat i ka kjo arenë sportive.

Kur u pyet a ka mundësi që Kosova të bashkohet me Luginën dhe veriu të jetë pjesë e shtetit, Veseli nuk deshi që të komentoj, raporton EO.

“Ne mund të kemi gjasë me pas shtetin tonë të pavarur dhe sovran i cili është shpallë me 17 shkurt 2008 të gjitha çështjet tjera janë çështje të cilat s’kam dëshirë t’i interpretoj”.

 

Fraksion.com