AktualitetRajoniTë fundit

Scaparrotti: Maqedonia po ndërton një të ardhme të ndritur

Republika e Maqedonisë është duke ndërtuar një të ardhme të ndritur të saj, ndërkohë që NATO çmon lart rolin kyç që ka Shkupi për promovimin e paqes dhe stabilitetit rajonin me plot sfida, është mesazhi i komandantit të Komandës së forcave amerikane në Evropë dhe Komandës së Lartë të NATO-s për Evropën, gjeneralit Curtis Scaparrotti, i cili po qëndron për një vizitë në Maqedoni.

Pasi ndoqi një stërvitje demonstruese në kazermën “Ilinden” në Shkup, bashkë me delegacionin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Armatës së Republikës së Maqedonisë, të cilin e kryesoi ministrja Radmilla Shekerinska, gjenerali Scaparrotti tha se përmes partneritetit shumëvjeçar me NATO-n, vendi ka shënuar përparim të madh në reformat në mbrojtje dhe interoperativitetin ushtarak me aleatët. Ndërsa ftesa për çeljen e bisedimeve për anëtarësim në NATO, sipas tij, “ka kuptimin se njohim sfidat tuaja, por akoma keni shumë punë.”

Gjenerali amerikan tha më tej se me padurim presin të japin kontributin praktik për autoritetet ushtarake të vendit në procesin e anëtarësimit.

“Kemi bindje të plotë se adresimi i këtyre sfidave dhe anëtarësimi i suksesshëm në Aleancë do të shoqërohet me dobi të mëdha për ju. Vendet të cilat i janë bashkuar Aleancës kanë arritur ta përforcojnë demokracinë e tyre, ta avancojnë sigurinë dhe ta bëjnë jetën e qytetarëve të tyre më të sigurt”, tha Scaparrotti.

Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, tha se vizita e gjeneralit amerikan në Shkup, është një dëshmi për atë se sa shpejtë kanë filluar të ndryshojnë gjërat në Maqedoni pas 11 korrikut, atëherë kur vendi mori ftesë për anëtarësim në NATO.

Sot, tha Shekerinska, jemi mikpritës të përfaqësuesit më të lartë ushtarak të NATO-s në Evropë, për të cilin, kjo është njëherësh vizita e parë në vend.

“Kjo dinamikë e përforcuar, manifeston vendosmërinë e fuqishme që Maqedonia përmes një procesi të shpejtë dhe intensiv të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s. Ajo çfarë është e rëndësishme në këtë moment, është që të konfirmojmë përkushtimin mbi dy dekadësh të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë për anëtarësim në NATO, ndërsa ne si Qeveri dhe Ministri është të sigurojmë një proces të papenguar dhe rezultat të suksesshëm, ndërsa njëri nga këto hapa do të jetë referendumi i 30 shtatorit”, theksoi Shekerinska.

Gjatë ditës gjenerali Skaparoti u prit në takim edhe nga kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.

 

Fraksion.com