Rusia: Sanksionet e SHBA të paligjshme, do të hakmerremi
Rusia tha të enjten se ka në plan të kundërpërgjigjet ndaj Shteteve të Bashkuara për sanksionet e Uashingtonitkundër Moskës në lidhje me helmimin e një agjenti rus dhe të bijës së tij në Britani në muajin mars.
Departamenti amerikan i Shtetit i njoftoi sanksionet të mërkurën, duke thënë se Rusia shkeli ligjin ndërkombëtar duke përdorur një agjent nervor vdekjeprurës kundër shtetasve të vet.
Sanksionet e reja hyjnë në fuqi më 22 gusht dhe përgjithësisht kanë të bëjnë me liçencat amerikane për eksportimin në Rusi të mallrave të tilla sensitive për sigurinë kombëtare siç janë pajisjet elektronike.
Sergei Skripal dhe vajza e tij, Julia, mundën të shërohen pas helmimit në muajin mars. Por tre muaj më vonë, i njëjti agjent nervor me emrin Novichok, që shkaktoi sëmundjen e tyre, sëmuri dy njerëz të tjerë. Njëri prej tyre nuk arriti të mbijetojë. Dawn Sturgess vdiq një javë pasi kishte ardhur në kontakt me helmin. Partneri i saj Charlie Rowley, është shëruar.
“Duart e mia u mbuluan me këtë substancë dhe mund t’ju them se ishte diçka si vaj dhe me shumë pak erë. U trondita shumë kur më thanë se ishte Novichok“, thotë Charlie Rowley.
Çifti mund të mos ketë qenë në shënjestër, por ata prekën objektet e ndotura me këtë substancë në një qytet jo shumë larg Sollsbërit, ku u helmuan Skripalët. Kryeministrja britanike Theresa May ka kërkuar hetim të plotë për të dy rastet:
“Jam e sigurt se Dhoma e Komuneve do të bashkohet me mua për t’u dërguar ngushëllimet tona më të thella familjes dhe miqve të zonjës Sturgess, e cila vdiq mbrëmë. Policia dhe shërbimet e sigurisë po punojnë me urgjencë për të sqaruar faktet në këtë hetim që mund të quhet tani hetim për vrasje të qëllimshme.”
Hetuesit kanë identifikuar të paktën dy të dyshuar në një videoklip të nxjerrë nga një dyqan ku mund të jetë helmuar çifti. Të dyshuarit besohet të jenë në Rusi.
Britania e ka akuzuar Rusinë se qëndron pas sulmit, të cilin Kremlini e mohon me forcë. Por Moska nuk ka ofruar ndonjë shpjegim se si ky helm ushtarak, i prodhuar në Rusinë sovjetike, mund të ketë dalë nga vendi. Dhe nuk është hera e parë që një agjent rus është helmuar në Britani. Në vitin 2006, ish-oficeri i KGB-së, Aleksandër Litvinenko vdiq nga helmimi me polonium. Një hetim britanik arriti në përfundimin se përgjegjëse për vrasjen ishte qeveria ruse.
Britania u ka bërë thirrje aleatëve të saj që të dënojnë Moskën për sulmet e dyshuara me helm.
“Realiteti i thjeshtë është se Rusia ka kryer një sulm në tokën britanike, ku ka vdekur një shtetase britanike. Mendoj se bota do të bashkohet me ne për ta dënuar,” thotë Gavin Williamson. Sekretar britanik i mbrojtjes.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë dëbuar shumë diplomatë rusë për helmimin me Novichok. Departamenti i Shtetit tha të mërkurën se Rusia do të ndëshkohet me sanksione për shkeljen e ligjit ndërkombëtar, duke përdorur një agjent nervor vdekjeprurës. Një ligj amerikan i vitit 1991 i bën të detyrueshme sanksionet për shkelje të tilla.
Fraksion.com