Komuna e Parisit bëhet me rrugë të re, Veliaj: Gjatë verës, investime kapilare në çdo lagje
Pas rehabilitimit të hyrjes dhe ndërtimit të rrethrrotullimit në Rr. “Medar Shtylla”, çka lehtësoi trafikun në gjithë Komunën e Parisit, Bashkia e Tiranës ka nisur një rruge të re që i jep më shumë frymëmarrje një prej zonave më të mëdha të qytetit.
“Filluam me Unazën e Re, pra një aks nga Shkolla Teknologjike, Fabrika e Miellit dhe deri në Farkë, që sistemon të gjithë ata që janë tranzit nëpër këtë zonë. Më parë i gjithë ai trafik shkonte mes përmes Komunës së Parisit. Vazhduam pastaj me hapin e dytë, sistemimet nëpër lagje. Siç e dini, rrethrrotullimi i madh i Komunës së Parisit dhe rrugët me sens unik e kanë bërë një mini-unazë të gjithë këtë lagje, duke qetësuar trafikun midis autostradës dhe stadiumit “Dinamo”. Ndërkohë, tani po hyjmë në nivel kapilar, në çdo lagje”, u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku theksoi se si në çdo investim tjetër, edhe ky segment do të pajiset me korsi të dedikuara për biçikletat. “Ka qenë angazhimi ynë që investimet e reja, nga tani e tutje të jenë të pajisura me korsi të dedikuara për biçikletat. Kemi parë një rritje të jashtëzakonshme, shumë inkurajuese, të biçikletave në Tiranë, ndaj do të vazhdojmë me këtë frymë. Nëse trafiku përshtatet për biçikletat, do të kemi më shumë biçikleta. Nëse trafiku është vetëm për makinat, do të kemi më shumë makina. Pra, secili prej nesh merr trafikun për të cilin planifikon dhe për të cilin ndërton”, tha Veliaj.
Më tej, ai shtoi se Bashkia e Tiranës po shfrytëzon periudhën e verës, kur edhe qytetarët janë larguar me pushime, për të vijuar me një intensitet më të lartë punimet në një sërë projektesh të rëndësishme infrastrukturore. “Po kalojmë gjithë verës me forca të shtuara në terren, qofshin ato të bashkisë apo të kontraktorëve, që kur qytetarët të kthehen nga pushimet e tyre në shtator, para se të fillojë viti i ri shkollor, punët publike të kenë mbaruar”, tha Veliaj.
Ai theksoi se në këtë vit të fundit të mandatit të parë do të ketë një vëmendje të shtuar që investimet të shtrihen në çdo lagje të Tiranës dhe në zonat rurale. “Do të kemi një sprint në këtë vit të fundit të mandatit tonë të parë, por unë besoj se diferenca, qoftë edhe në këtë lagje, është si dita me natën me atë që trashëguam. Sigurisht, e mira nuk ka fund, ndaj edhe do të fokusohemi që tani që kanë mbaruar akset kryesore, vëmendja më e madhe të jetë në zonat informale, në zonat periurbane dhe sidomos në zonat rurale”, deklaroi Veliaj.
Rruga e re që do të lidh Rr. “Tish Daia” me “Robert Zhvarc” shtrihet në pjesën jugore të qytetit të Tiranës, në zonën e njohur si “Komuna e Parisit”, në Njësinë 5. Rruga fillon nga rrethrrotullimi në Rr. “Medar Shtylla” dhe përfundon në kryqëzim me rrugën “Robert Zhvarc”. Rruga ka një gjerësi prej 23.5 m, ndërsa do jetë e pajisur në të dy krahët me korsi të dedikuara për biçikletat.
Fraksion.com