AktualitetEkonomiTë fundit

Tatimet këshillojnë: Si bëhet çregjistrimi i personave juridikë

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar një material informues lidhur me procedurat e çregjistrimit të tatimpapaguesve persona juridikë, që kryejnë veprimtari ekonomike fitimprurëse. Por, tatimet paralajmërojnë se çregjistrimi tatimor nuk eliminon detyrimet ekzistuese tatimore dhe nuk parandalon administratën tatimore të vlerësojë ose të mbledhë detyrimet tatimore.

 

Çregjistrimi nëpërmjet likuidimit  

Tatimpaguesit persona juridikë, të cilët kryejnë veprimtari ekonomike fitimprurëse, çregjistrohen sipas dispozitave të ligjit “Për Qendrën Kombëtare te Biznesit” dhe pas kryerjes prej tyre të  procedurave të likuidimit të njohura nga ligji “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”. Kërkesa për çregjistrim paraqitet në QKB, sipas procedurave të përcaktuara në ligjin “Për Qendrën Kombëtare te Biznesit “.

Qendra Kombëtare e Biznesit, menjëherë me marrjen e kërkesës për çregjistrim prej tatimpaguesit, njofton organin tatimor kompetent për regjistrimin e hapjes së procedurave të likuidimit ose për kërkesën për çregjistrim të personit fizik apo për aplikimin për çregjistrim të personit juridik, edhe kur kemi të bëjmë me aplikimin për çregjistrim pa kryerjen e likuidimit.

Në momentin e dorëzimit të raportit përfundimtar dhe të bilancit të likuidimit prej likuiduesit në Qendrën Kombëtare të Biznesit, kjo e fundit njofton administratën tatimore. Me marrjen e këtij njoftimi, tatimpaguesit nuk i gjenerohen më deklarata tatimore nga sistemi për periudhën pasardhëse. Administrata tatimore, brenda 10 ditëve pune nga data e paraqitjes së kërkesës për çregjistrim është e detyruar të verifikojë situatën tatimore të personit juridik.

Verifikimi përfshin të gjitha llojet e detyrimeve tatimore të personit të tatueshëm, përfshirë edhe kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore dhe gjobat e kamatëvonesat eventuale të lidhura me këto detyrime. Kur organi tatimor, sipas analizës së riskut, gjykon se është e nevojshme të ushtrojë kontroll në mjedisin ku ushtron veprimtarinë subjekti, atëherë ky afat nuk mund të jetë më shumë se 30 ditë pune, përfshirë kryerjen e kontrollit.

Qendra Kombëtare e Biznesit nuk mund të kryejë çregjistrimin, në qoftë se brenda afatit 30-ditor, të përmendur në pikën 4, të këtij neni, administrata tatimore e kundërshton me shkrim çregjistrimin. Kundërshtimi i çregjistrimit të tatimpaguesit nga administrata tatimore tregon shumën e detyrimeve tatimore të papaguara të tatimpaguesit dhe, në rastin e personit juridik, faktin se ai nuk ka paraqitur pasqyrat financiare të mbylljes së aktivitetit deri në momentin e likuidimit, ose nuk ka dorëzuar deklaratat tatimore. Kundërshtimi nga administrate tatimore është i vlefshëm dhe kur dërgohet elektronikisht sipas protokollit elektronik të shkëmbimit të të dhënave midis QKB-së dhe administratës tatimore.

Nëse organi tatimor nuk i përgjigjet QKB-së ose gjykatës brenda afatit, QKB-ja ose gjykata çregjistron automatikisht subjektin dhe njofton në të njëjtën ditë organin tatimor dhe tatimpaguesin.

Në rastin kur subjektet e regjistruara pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit ose gjykatës rezultojnë me detyrime tatimore, ato çregjistrohen automatikisht pasi të kenë paguar të gjitha detyrimet tatimore, përfshirë detyrimet që lindin në rastin kur çregjistrimi kryhet me likuidim. Në momentin kur subjekti paguan detyrimet tatimore, organi tatimor menjëherë njofton QKB-në ose gjykatën dhe subjektin, që subjekti nuk ka detyrime tatimore të papaguara. Në rastin kur kundërshtimi për çregjistrim nga organet tatimore është bërë si pasojë e mosdorëzimit të pasqyrave financiare ose deklaratave tatimore, atëherë, me paraqitjen e tyre, organi tatimor kompetent detyrohet të tërheqë menjëherë kundërshtimin për çregjistrim dhe QKB-ja kryen menjëherë çregjistrimin e tatimpaguesit.

Nëse, pavarësisht nga shlyerja e detyrimit, për të cilin është kundërshtuar çregjistrimi, organi tatimor kompetent nuk ka tërhequr kundërshtimin, atëherë subjekti paraqet pranë QKB-së dokumentin që vërteton shlyerjen e këtyre detyrimeve tatimore. Në këtë rast, QKBja kryen menjëherë çregjistrimin e subjektit dhe njofton menjëherë organin tatimor kompetent dhe tatimpaguesin. Për çdo procedurë që organi tatimor dhe QKB-ja kryejnë, sipas ligjit dhe këtij udhëzimi, që kur fillon procedura e çregjistrimit dhe deri në çregjistrimin përfundimtar, njoftojnë në të njëjtën kohë edhe tatimpaguesin.

Nëse organi tatimor nuk i përgjigjet QKB-së ose gjykatës brenda afatit, QKB-ja ose gjykata çregjistron automatikisht subjektin dhe njofton në të njëjtën ditë organin tatimor dhe tatimpaguesin. Në këtë rast, përgjegjësia është e Drejtorisë Rajonale të Tatimeve, drejtori i së cilës nxjerr përgjegjësinë personale të punonjësve të tatimeve dhe propozon masat përkatëse ligjore disiplinore apo penale ndaj tyre. Për çdo çregjistrim të personave të tatueshëm, Qendra Kombëtare e Biznesit njofton Drejtorinë Rajonale të Tatimeve të juridiksionit përkatës.

Efektet e çregjistrimit

Pas çregjistrimit, tatimpaguesi që çregjistrohet dorëzon Çertifikatën e Regjistrimit, përkatësisht në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe në Drejtorinë Rajonale të Tatimeve të juridiksionit.  Për periudhën para çregjistrimit, detyrimet e mundshme tatimore të papaguara, përfshirë këtu edhe çdo gjobë apo kamatëvonesë mbeten në fuqi dhe, për mbledhjen e tyre, vazhdohet të ndërmerren të gjitha masat e mbledhjes me forcë të përcaktuara në ligj dhe në udhëzim.

 

Fraksion.com