Spanja kërkon koalicion shtetesh për problemin e refugjatëve
Ministri i Jashtëm i Spanjës, Borell, ka kërkuar përballë vërshimit të refugjatëve drejt vendit të tij solidaritet më të madh evropian.
Ministri i Jashtëm spanjoll lëvdoi politikën ndaj refugjatëve të Kancelares Federale Angela Merkel. Borreli përmendi shprehimisht hapjen e kufijve nga Merkeli në vitin 2015. “Për mua, Kancelarja Federale thjesht shpëtoi nderin e Evropës”, tha politikani spanjoll.
Në lidhje me grupin pararojë që synon ai në BE, Borell tha se ai duhet të kundërshtojë me zgjidhje konstruktive”politikën e frikës”, të cilën e praktikojnë aktualisht qeveritë populiste të djathta. Në këtë kuadër duhet të ketë edhe nxitje për vendet e origjinës së migrantëve, që t’i ripranojnë ata. Propozimi i Borellit është që për çdo imigrant të riatdhesuar, shtetet evropiane mund të pranojnë një migrant legal, të cilin ta kualifikojnë.
“Erasmus evropiano-afrikan”
Ministri i Jashtëm spanjoll foli për një “lloj Erasmusi evropiano-afrikan”, duke iu referuar programit me të njëjtin emër të studentëve. Por pas kualifikimit, njerëzit duhet të kthehen sërish në shtetin e tyre të origjinës dhe t’ia vënë në dispozicion dijen e tyre ekonomisë vendase. Një marrëveshje të kësaj natyre Spanja ka lidhur me Marokun dhe sipas Borellit nuk ka pasur probleme me riatdhesime atje.
Partitë e mëdha në Spanjë, me përjashtim të Podemos pajtohen në mendimin se numri më i madh i afrikanëve që vjen aktualisht në Spanjë përmes “itinerarit të Magrebit”, nuk janë njerëz në hall. Edhe statistikat e Zyrës së Imigrimit dëshmojnë se thuajse të gjithë migrantët e rinj janë nga shtresa e mesme dhe ëndërrojnë për mirëqënie, karriera si muzikantë ose futbollistë. Shumë ekspertë janë të mendimit se ata do të ndodhen në një rrugë pa krye në Evropë.
Fraksion.com